Akademiku i dëshmuar Zymer Neziri e tronditi sallën në Vuthaj…
Me kuriozitet të shtuar u prit fjala e akademikut Zymer Neziri.
Pasi foli për vlerat e librit, ku ishin renditur me qindra veprimtarë të Shqipërisë, ai deklaroi se, nga 1912 e deri më 1999, shqiptarët kanë bërë rreth 1,000 shekuj burg në burgjet e Serbosllavisë.
Vetëm nga kjo e dhënë — pa hyrë thellë në histori dhe pa evidentuar vrasje e dhunime pa cak — shqiptarët nuk duhet të harrojnë kurrë krimet përbindëshme të Serbisë.
Pas veprimtarisë shkuam për një drekë në një pikë turistike aty pranë Vuthajt.
Pimë nga një birrë dhe u prekëm nga afër mikpritjen e atyre anëve.
Tek bisedonim me Binakun, Zymerin, Nurien, Kaltrinën, zonjën Neziri, aty, në tavolinën pranë meje, foli një zë nga Kosova. Ishte një ish-luftëtar i UÇK-së.
“Më fal,” tha i nderuar, “dështa ta di se si do ta bëni bashkimin kombëtar të shqiptarëve, apo, si përherë, flasin njerëzit me demagogji.”
Nuk më erdhi mirë nga ky stil të foluri dhe fillimisht i thashë se tema të tilla serioze nuk diskutohen duke pirë birrë…!
Ndonëse ai heshti, unë e lashë drekën, u ktheva pas dhe u përpoqa t’i jap disa argumenta.
Të gjithë evidentojnë rolin e NATO-s dhe të SHBA-së në çlirimin e Kosovës, dhe kjo është e vërtetë. Nga ana tjetër, të gjithë jemi të bindur se çlirimi i Kosovës nuk mund të arrihej pa kontributin e faktorit të brendshëm, luftën e popullit shqiptar të Kosovës dhe të ushtrisë së tij çlirimtare.
Edhe bashkimi kombëtar i shqiptarëve kërkon angazhimin e plotë të politikës shqiptare dhe vullnetin e politikës ndërkombëtare për të mbështetur aspiratën e kahershme të shqiptarëve për bashkim. Edhe në këtë rast është i domosdoshëm vullneti i popullit shqiptar për t’u bashkuar, i cili duhet publikuar e paraqitur përpara institucioneve vendimmarrëse të politikës botërore.
Rreth 80 përqind e popullit në Shqipëri e në Kosovë janë shprehur për bashkim kombëtar. Pra, faktori i brendshëm merr, në këtë rast, vlera të dorës së parë.
Së dyti, i thashë me durim e të përmbajtur se ne, shqiptarët — të sulmuar gjithandej nga kojshite tanë — duhet të punojmë të gjithë për të mbajtur gjallë frymën kombëtare.
Ka edhe shumë punë të tjera për të bërë, dhe kur të vish në Tiranë pi një kafe vllaznore me mua.
Këtu e ndala bisedën, por shija që më mbeti në gojë ishte e hidhur. Ne, shqiptarët, akoma nuk jemi bërë bashkë; lemë në heshtje ata që rrinë dhe sulmojmë ata që diçka bëjnë për vendin e vet.
Në Shkodër thonë:
“Kush punon ha,
Kush rrin, han e pin…!”
Dashamir Uruçi
Më 10 gusht 2025