Ish-deputeti dhe njëri nga figurat e njohura të luftës, Daut Haradinaj, ka nisur mobilizimin e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për protestën e paralajmëruar më 7 gusht në Prishtinë. Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Haradinaj shfaqet në shoqëri të disa veteranëve të UÇK-së, duke diskutuar organizimin dhe duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestë. “Qysh i kemi punët me organizim?”, dëgjohet teksa pyet në video Haradinaj, ndërsa thekson rëndësinë e unitetit në këtë moment kritik. Protesta e 7 gushtit synon të kundërshtojë proceset gjyqësore që po zhvillohen në Gjykatën Speciale në Hagë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët shumë qytetarë dhe veprimtarë i konsiderojnë çlirimtarë dhe jo kriminelë.
