Debatohet për mbrojtjen e ambientit dhe pyjeve të komunës së Shtimes

Nën organizimin e OJQ – së, Shoqata e Familjeve të Pronarëve të Pyjeve Private “Gryka e Carralevës” dhe Kuvendit të Komunës së Shtimes, u mbajt punëtoria me temat:

  1. Kontributi i institucioneve në mbrojtjen e pyjeve, pengesat ligjore, sfidat e ndryshme;
  2. Ngritja e bashkëpunimit të OJQ-ve, në ngritjen e vetëdijes për mbrojtjen e pyjeve.

Këtë takim e hapi Rrahman Jakupi – kryesues i Kuvendit të Komunës së Shtimes, i cili para të pranishmëve shpalosi infrastrukturën ligjore që rregullon mbrojtjen e ambientit dhe në veçanti të pyjeve. Jakupi theksoi se një rregullore që rregullon këtë çështje i mungon Komunës së Shtimes dhe se do të shikohen mundësitë që Kuvendi në të ardhmen të hartoi një të tillë.

Para të pranishmëve për OJQ-në SHFPP “Gryka e Carralevës” foli z. Agron Mehmeti, kryetar i Shoqatës, i cili shpalosi historikun e kësaj organizate dhe aktivitetet e realizuara.

Gjatë diskutimit të hapur nga pjesëmarrësit për gjendjen e përgjithshme të pyjeve në komunën e Shtimes foli z. Fadil Emini, shef i Zyrës së Pylltarisë në Shtime, i cili tha se në komunën e Shtimes gjendja e pyjeve në krahasim me komunat tjera të Republikës së Kosovës nuk është e keqe, mirëpo ballafaqohet me disa sfida.

Tafil Hasani, sekretar i OJQ-së në fjalë, vlerësoi lartë prezencën e OJQ-ve rinore në takim. Ai tha se do të ishte e mirëseardhur që të kërkohej donacione për mbjelljen e fidaneve edhe pse projekte të tilla kishin ndodhur në të kaluarën, mirëpo u kishte munguar përkujdesja pasi që fidanet janë të ndjeshme gjatë tri viteve të rritjes së tyre. Po ashtu ai theksoi se vërshimet, të cilat po ndodhin janë edhe si pasojë e degradimit të pyjeve.

Skender Dauti, përgjegjës për Siguri dhe Emergjencë në Komunën e Shtimes, theksoi se komuna e Shtimes posedon 48% tokë pyjore dhe se drunjtë janë të mirë për mbrojtjen nga vërshimet. Dauti tha se pjesa e pyjeve të Carralevës është e rrezikuar nga ana e minave edhe pse është ligjëruar mjaftë, mirëpo rreziku është permanent. Ai theksoi se duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë edhe florës e faunës. Ndër dëmtuesit kryesorë të pyjeve sipas Dautit është faktori njeri.

Në emër të organizatave rinore të Shtimes foli z. Isa Jakupi, i cili tha se OJQ-të rinore në Shtime janë mjaftë aktive, mirëpo jo të specializuara në fushën e mbrojtjes së ambientit, mirëpo ai tha se gjatë hartimit të planeve për të rinjtë do të inkuadrojnë në veçanti mbrojtjen e ambientit, në veçanti pyjet.

Adem Bajrami, Përmendi se ka pengesa ligjore pasi që nuk kemi ndonjë rregullore për menaxhimin e mbeturinave dhe mbrojtjen e mjedisit. Të mbrohen krojet dhe të shqiptohen dënime lidhur me shkelësit dhe ndotësit e ambientit theksoi Bajrami.

Nga ky takim dolën këto rekomandime;

  • Të inkurajohet themelimi i OJQ-ve për mbrojtjen e ambientit;
  • Të kërkohen donacione për mbjelljen e fidanëve të reja;
  • Të organizohen ligjërata për vetëdijesim për mbrojtjen e ambientit;
  • Të hartohet rregullore komunale për mbrojtjen e ambientit;
  • Të shikohen mundësitë për ngrohje tjera jo të shfrytëzohen drunjtë;
  • Të mos jepen leje për gurthyes afër vendbanimeve;
  • Ambientet e dëmtuara të kthehen në gjendjen e mëparshme;
  • Në toka pyjore të mos vendosen gurore;
  • Të rritet bashkëpunimi etj.

Kontrolloni gjithashtu

Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Komunës së Vitisë dhe organizatës “CNVP”

Sot, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim Xhevat Lushin – …