Në kuadër të procesit të hartimit të buxhetit komunal për vitin 2026, Komuna e Ferizajt ka zhvilluar sot një dëgjim buxhetor edhe me personelin shëndetësor të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe Qendrave të Mjekësisë Familjare (QMF).
Hapjen e këtij takimi e ka bërë drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Dr. Kemajl Emini, i cili theksoi rëndësinë e këtyre dëgjimeve, duke i cilësuar si mekanizma të nevojshëm për identifikimin dhe trajtimin e çështjeve me të cilat përballen punonjësit shëndetësorë.
“Këto takime kanë rëndësi shumë të madhe, me vet faktin që po diskutohen dhe trajtohen tema të ndryshme në mënyrë që të vijmë deri tek zgjidhja e problemeve. Kontributi juaj është i domosdoshëm për të ndërtuar një sistem shëndetësor më të mirë për qytetarët tanë,” u shpreh Dr. Emini.
Gjatë këtij takimi, stafi mjekësor dhe administrativ pati mundësinë të paraqesë kërkesat dhe rekomandimet e tyre në lidhje me përmirësimin e kushteve të punës, avancimin e shërbimeve shëndetësore dhe investimet e nevojshme në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore. Ata theksuan nevojën për shtim të resurseve njerëzore pra stafin e mesëm me infermierë, duke theksuar faktin se mungesa e infermierëve është evidente tek te gjitha qendrat e mjekësisë familjare në Ferizaj.