Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Arton Demhasaj, ka komentuar me ironi paraqitjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani akuzohen se e kërcënuan atë. Demhasaj ka përmendur faktin se Kurti ka injoruar thirrjet e vazhdueshme të Prokurorisë Speciale dhe një urdhër gjyqësor për të dhënë dëshmi në lidhje me hetimet mbi keqpërdorimin e rezervave shtetërore. “Pamje ‘historike’ – Kryeministri në detyrë – deputeti Kurti, dëshmon në gjykatë për një kërcënim! Ama për aferat me miliona e miliona euro, tendera, korrupsion nuk shkon për të dëshmuar te Prokuroria Speciale… aty s’ka kohë me u paraqit, se qenka shumë i zënë me ‘drejtësi selektive’!”, shkroi Demhasaj. Ai shtoi me ironi: “Luja Albin, luja… Luja popullit sa të mundesh!”, duke nënvizuar perceptimin e tij se kryeministri po zgjedh se për cilat çështje jep llogari dhe për cilat jo, duke dërguar një mesazh kritik për standardet e tij në qeverisje dhe llogaridhënie.
