Demokracia në Veprim, ka reaguar sërish lidhur me dyshimet mbi cilësinë e ngjyrës matrikuluese që do të përdoret në ditën e zgjedhjeve, duke ngritur shqetësime për ndikimin e saj në integritetin e procesit zgjedhor. Në një njoftim zyrtar, DnV ka rikujtuar se, sipas specifikave teknike të kërkuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ngjyra matrikuluese duhet të qëndrojë e dukshme në gisht për të paktën 48 orë. Ky është një ndryshim nga metoda e mëparshme e verifikimit të votuesve, e cila përfshinte përdorimin e sprejit të padukshëm dhe kontrollin e gishtërinjve me UV-llambë. DnV pretendon se sipas burimeve të saj brenda KQZ-së, ngjyra e pranuar përmes procedurave tenderuese nuk i përmbush standardet e kërkuara. Sipas këtyre informatave, shenja e matrikulimit po qëndron në gisht për një kohë të shkurtër dhe mund të fshihet lehtësisht, çka mund të cenojë seriozisht besueshmërinë e zgjedhjeve.