leoni

Dënime për sulmin ndaj zyrave të KKZ-së në Mitrovicë të Veriut

Dënime për sulmin ndaj zyrave të KKZ-së në Mitrovicë të Veriut

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me nga 5 vjet burgim Milun Milenkoviqin, i njohur si “Llune”, dhe Aleksandar Vllajiqin, për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicë të Veriut, të ndodhur më 6 dhjetor 2022.

Për të njëjtin rast, Dejan Pantiq është dënuar me 2 vjet burgim, ndërsa Miomir Vakiq është shpallur i pafajshëm dhe është liruar nga akuza.

Asnjëri prej të akuzuarve nuk ishte i pranishëm në seancën e shpalljes së aktgjykimit, pasi kishin kërkuar të mos marrin pjesë.

Në një reagim pas vendimit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ka mirëpritur aktgjykimin, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë. Sipas njoftimit, pas pranimit të aktgjykimit të plotë, prokurori i rastit do të shqyrtojë mundësinë e ankesës.

“Ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë dhe dërgon një mesazh të qartë se aktet e dhunës dhe kërcënimet ndaj institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës nuk do të tolerohen”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, më 6 dhjetor 2022, është kryer një sulm terrorist ndaj zyrave të KKZ-së në Mitrovicë të Veriut, ku është përdorur një autoambulancë për transportimin e granatave të dorës.

Prokuroria pretendon se Milun Milenkoviq ka siguruar granatat, të cilat më pas janë përdorur nga Aleksandar Vllajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq, të cilët, sipas aktakuzës, kanë hedhur granata dore dhe shok-bomba me qëllim të pengimit të organizimit të zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Të akuzuarit dhe mbrojtja e tyre, në fjalët përfundimtare, hodhën poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe të paprovuara.

Megjithatë, prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu theksoi gjatë seancës përfundimtare se provat materiale dhe dëshmitë e paraqitura e kanë vërtetuar fajësinë e të akuzuarve, duke theksuar nevojën për një dënim meritor për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, kritikoi Qeverinë-Kurti për mungesë të reformave në politika fiskale

Rafuna: Tregu i lirë i energjisë po dëmton prodhimin vendor – kërkohet pezullimi urgjent

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në një konferencë për media, shprehu shqetësimin …