Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor pjesëtarin e xhandarmerisë serbe, Sërgjan Lazoviqin, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Panorc të Malishevë, duke e dënuar me 12 vjet e 6 muaj burgim.

Aktgjykimi u shpall nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili.

Ndryshe në aktakuzë thuhet se nga data 3 shtator 1998 deri më 5 shtator 1998, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, me dashje, i armatosur, i uniformuar, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me qëllim të frikësimit, dëbimit masiv dhe spastrimit etnik të popullatës shqiptare, Lazoviq ka arrestuar, ndaluar, torturuar, maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, rreth 500 qytetarë civilë, të cilët nuk ishin të përfshirë në konflikt.

Lazoviq, i cili para se t’i caktohej masa e paraburgimit kishte jetuar në Leposaviq, ishte vetëdeklaruar i pafajshëm gjatë shqyrtimit fillestar të mbajtur më 4 dhjetor 2024.