Republika e Kosovës e mbështet plotësisht Ukrainën si një shtet të pavarur, me sovranitet dhe integritet territorial

Deputetja ukrainase: Ukraina do ta njohë Kosovën në të ardhmen e afërt

Deputetja e parlamentit ukrainas, Ivanna Klympush Tsintsadze, deklaroi në një intervistë për Klan News se Ukraina pritet të njohë pavarësinë e Kosovës në një të ardhme të afërt. Ajo theksoi se kjo çështje nuk do të mbetet më e hapur dhe se vendimi për njohjen do të jetë në përputhje me pritshmëritë e popullit të Kosovës.

“Unë besoj se në të ardhmen e afërt Ukraina do ta njohë Kosovën. Kjo nuk do të jetë më një çështje e hapur. Jam e bindur se vendimi që do të merret do të jetë ai që pritet nga qytetarët e Kosovës,” u shpreh Klympush Tsintsadze.

Në intervistën e saj, deputetja ukrainase falënderoi qytetarët dhe shtetin shqiptar për mbështetjen e vazhdueshme dhe të jashtëzakonshme ndaj Ukrainës, duke e cilësuar Shqipërinë si një aleat të rëndësishëm dhe të pozicionuar “në anën e duhur të historisë”.

“Jam thellësisht mirënjohëse për ndihmën që kanë dhënë qytetarët e Shqipërisë. Ata janë në anën e duhur të historisë. Vlerësoj gjithashtu mbështetjen e shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare, përfshirë organizatat politike, ushtarake dhe humanitare. Kemi ndërtuar një koordinim të ngushtë dhe një besim të ndërsjellë që për ne ka rëndësi të madhe,” tha ajo.

Deputetja ukrainase nënvizoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh për çështjet e sigurisë dhe shprehu shpresën që Shqipëria do të vijojë të ofrojë mbështetje të fortë në procesin e integrimit euroatlantik të Ukrainës.

“Kemi arritur disa marrëveshje me Shqipërinë për çështje sigurie që do të vazhdojnë të zbatohen në vitet në vijim. E çmojmë ndihmën humanitare dhe ushtarake të dhënë deri më tani dhe shpresojmë se kjo mbështetje do të vijojë në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Së bashku, do të arrijmë të gjitha objektivat tona strategjike,” përfundoi Klympush Tsintsadze.

Kontrolloni gjithashtu

Shukri Buja fton qytetarët në protestën e 7 gushtit, për të mbrojtur simbolin e lirisë

Ish komandanti i UÇK-së, Shukri Buja, nëpërmjet një video të publikuar, ka bërë thirrje për …