Dështimi i dhjetë me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Për të dhjetën herë radhazi, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të përmbyllë seancën konstituive, e cila ka nisur më 15 prill, për shkak të mungesës së kuorumit dhe mospajtimit mes grupeve parlamentare për mënyrën e votimit të kryetarit të Kuvendit. Edhe në seancën e sotme, Lëvizja Vetëvendosje insistoi në procedimin e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit, duke kërkuar krijimin e një komisioni ad-hoc. Propozimi mori vetëm 54 vota, të pamjaftueshme për të vazhduar më tej me këtë procedurë.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deklaroi se partia e tij nuk ka propozim për postin e kryetarit të Kuvendit, por kritikoi qasjen e Vetëvendosjes duke theksuar se kërkesa për votim të fshehtë bie ndesh me Kushtetutën. “Iu ftoj që përkundër presionit që e keni nga partia që i takoni, mos u bëni pjesë e shkeljes ligjore dhe kushtetuese,” deklaroi ai. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu diskutimet dhe urdhëroi ndaljen e mikrofonit të Krasniqit, duke thënë se nuk ka vend për debat në këtë fazë të seancës dhe kërkoi vetëm propozime konkrete.Për shkak të mungesës së kuorumit, seanca u mbyll pa rezultat.

Kryesuesi Dehari njoftoi se seanca e radhës do të mbahet të hënën, më 5 maj, në orën 10:00.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia ka vendosur 70% të ushtrisë pranë kufirit me Kosovën

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka paralajmëruar për një situatë të rrezikshme sigurie, …