Edhe pas më shumë se tre muajsh nga mbajtja e zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës ka dështuar për herën e 49-të të konstituohet. Seanca e sotme, përfundoi pa rezultat, duke reflektuar bllokadën e vazhdueshme institucionale. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi që partitë parlamentare – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – të propozojnë anëtarë për komisionin për votim të fshehtë, si hap i domosdoshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Megjithatë, asnjëra nga partitë nuk bëri propozim, ndërsa për komisionin votuan vetëm 50 deputetë, pa vota kundër apo abstenime. Në mungesë të kuorumit të nevojshëm, seanca u shty për 48 orë dhe pritet të vazhdojë të hënën në ora 11:00. Në ndërkohë, burime politike kanë bërë të ditur se pritet një takim mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe liderit të Nismës, Fatmir Limaj, për të diskutuar një koalicion të mundshëm që do t’i hapte rrugë konstituimit të institucioneve. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse do të ketë marrëveshje konkrete nga ky takim.
