Përpjekja e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nuk ka prodhuar asnjë rezultat. Deputetët kanë dështuar sërish të përmbyllin seancën konstituive të nisur më 15 prill.
Në sallë ishin të pranishëm 104 deputetë, por vetëm 53 prej tyre morën pjesë në votimin për formimin e Komisionit për votim të fshehtë.
Seanca e radhës është caktuar për të mërkurën, në orën 11:00.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, u ka kërkuar partive që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë që të propozojnë emrat e kandidatëve për komisionin, i cili do të zhvillojë procesin e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Gjatë seancës, deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, i kërkoi Deharit që “të mos lejojë të keqpërdoret” procesi, ndërsa deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, e akuzoi atë se po abuzon me të drejtën për të udhëhequr seancën.
Në përgjigje, Dehari deklaroi se debati nuk lejohet dhe se deputetët kanë të drejtë vetëm të propozojnë emra për komisionin që do të organizojë votimin e fshehtë.