Dhimbje dhe zhgënjim në Izbicë: Familjarët e viktimave e quajnë të ulët dënimin prej 13 vitesh për Alidemajn

Vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për ta dënuar me 13 vjet burgim Muhamet Alidemajn, të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë masakrës së Izbicës në mars të vitit 1999, ka shkaktuar dhimbje dhe pakënaqësi të thellë te familjarët e viktimave. Ata e kanë cilësuar dënimin si shumë të ulët në raport me përmasat e krimit dhe humbjen e madhe njerëzore që përjetoi fshati Izbicë, ku u vranë dhe u masakruan mbi 130 civilë shqiptarë. Familjarët kanë paralajmëruar se do të ushtrojnë të drejtën e ankesës, duke kërkuar drejtësi më të plotë për të rënët. Islam Dani, familjar i viktimave, tha se e ka parë personalisht të dënuarin duke u prirë forcave serbe për të hyrë në fshat ditën e masakrës. Ai theksoi se ajo që ndodhi në Izbicë nuk mund të relativizohet dhe nuk mund të harrohet. “Vendimi na duket shumë i ulët. Për neve edhe maksimumi i dënimit është pak për atë që ka ndodhur. Nuk ka pasur dasmë atë ditë në Izbicë — ka pasur krisma tankesh, armësh e topash, janë vrarë e masakruar njerëz, është djegur e plaçkitur fshati. Janë djegur të gjallë edhe të paralizuar. Kjo nuk mund të mbetet pa përgjegjësi,” u shpreh ai. Sipas aktakuzës, Alidemaj kishte marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe ushtarake serbe në sulmin ndaj civilëve shqiptarë gjatë operacionit që përfundoi me një nga masakrat më të rënda të luftës në Kosovë. Vendimi ka rihapur plagët e familjeve që edhe pas më shumë se dy dekadash vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për më të dashurit e tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Valmir Ukaj, ish-ushtari i UÇK-së rrëfen vrasjen e vëllait: Çelë Ukaj, 17 vjeç, i tradhëtuar nga OSBE-ja

Ish-ushtari i UÇK-së, Valmir Ukaj, ka treguar me dhimbje për vrasjen e të vëllait, Çelë …