Naxhije Doqi

Dibran Fylli: Vështrim i krijimtarisë letrare të autores, Naxhije Doçi

Biografia

 Naxhije Doçi u lind më 10 dhjetor të vitit 1946 në Therandë. Shkollën Fillore e kreu në vendlindje, Shkollën Normale në Prizren, kurse studimet në degën e Gjuhës dhe Leterësisë shqipe në Fakultetin Filozofik në Prishtinë. Rrjedh nga një familje me tradita atdhetare patriotike. Familja e saj, vetëm pse mendonte ndryshe nga pushtuesit, ishte e përndjekur dhe e burgosur shumë herë nga pushtuesit. Ka punuar profesoreshë e gjuhës në disa shkolla fillore dhe të mesme në Prishtinë. Naxhija ishte njëra ndër themelueset e Lidhjes së arsimtarëve shqiptar “Naim Frashëri”, si dhe Shoqatës së Gruas, sot Forumi i Gruas i LDK-së. Ishte anëtare e Kryesisë së nëndegës së Forumit të gruas të LDK-së në Lagjen Dardania në Prishtinë, e më vonë edhe Kryetare e po kësaj nëndege. Për pesë vite ishte Nënkryetare e degës së -IV- të të LDK-së në Prishtinë, më pas edhe anëtare e Kryesisë së Forumit të Gruas, ndërsa në vitin 2000 zgjedhet Sekretare gjenerale e po të njëjtit forum. Në Qershor të vitit 2001 është emëruar shefe e Sektorit për arsimin parashkollor dhe për Shkollat fillorë të komunës së Prishtinës.

Në vitin 2004 zgjidhet Deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në vitin 2005 emërohet Ambasadore e Paqës Universale në Botë, kurse në vitin 2012, në Kongresin Mbarëkombëtar të gruas shqiptare, në Prishtinë e në Vlorë nderohet me titullin; “Gruaja shqiptare e vitit”. Naxhije Doçi është nderuar edhe me shumë tituj e dekorata nga shumë Shoqata kombëtare e ndërkombëtare, si dhe është nderuar me vendin e parë, të dytë e të tretë në shumë Orë letrare.

Punimet e veta shkencore, etnografike, tregime, udhëpërshkrime dhe poezi i ka botuar në periodikun e kohës, sinë; “Gjurmime Albanologjike”, “Rilindje”, “Shkëndija” dhe në “Teuta”. Naxhije Doçi ka të shkruara tri elaborate profesionale pedagogjike për shkollat fillore: 1.”Fletorja ime e punës” (për klasën e katërt), 2.”Fletorja ime e punës” (për klasën e pestë) dhe Librin “Mësojmë shqip” (për klasën e tretë).

Rreth krijimtarisë

Veprat letrare të autores Naxhije Doçi, që në leximin e parë të nxjerrin nga përditshmëria duke të kthyer në kohët e së kaluarës historike, si dhe duke filluar nga paraqitja kuptimplotë e vargëzimit deri të dialogu i personazheve që ruajnë nivelin e duhur të të shprehurit, kuptimin, pamjen dhe kuptueshmërinë e zhvillimit të ngjarjeve në vazhdimësi.

Zhvillimi i një ngjarje, që brenda vetës tregon fakte historike, sjellje njerëzore e veprime humane të familjeve të përndjekura në njërën anë dhe në anën tjetër mashtrimet, dhuna, gjenocidi, vrasjet e shkatërrimet e pushtuesve shekullor, nuk ka sesi të mos jetë e mirëpritur për lexuesin shqiptar.

Duke marrë parasysh se autorja në veprat e saja, ruan largësinë e nevojshme të një periudhe me të sotmen e të ndodhurën, ajo mbetet pjesë e një tërësie që e ruan atë dhe e le si gjurmë në një përmasë historike.  Gjithë kjo i ngjan një  labirinthi, që fundin e errësuar të tij fillon ta ndritë një rreze e ngrohtë dielli, kushedi sa vite më parë…

Duke i lexuar veprat letrare të autores Naxhije Doçi, lexuesit gjejnë pikërisht kreaturen heroike të personazheve që jo vetëm janë shembull i modelit jetësor, por edhe interpretim i së kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes.

Kjo formë e rrëfimit, pavarësisht zhanrit teorik e stilistik quhet vepër letrare në të cilën gjejmë dramën, dhe tragjedinë brenda shumë ngjarjeve të kohës së atëhershme e deri të koha e tanishme ku përshkruhen ngjarjet e dhimbshme dhe papritmas ndërhyn ndërtimi i profilit të heroit që kalon nëpër ngjarjet e së kaluarës, duke ndërtuar praninë e papranishme dhe kjo është një shkathtësi dhe mjeshtri e rrallë rrëfimore dhe reale në të njëjtën kohë.

Jam i bindur se, përmes veprave letrare të  Naxhije Doçit dhe veprave tjerave që trajtojnë tema interesante të së kaluarës sonë historike, lexuesit do të fitojnë shumë njohuri dhe do duhej që të mos i anashkalojmë temat që paraqesin humanizmin e popullit shqiptarë, ndihmën dhe sakrificën në kohët e vështira-në kohë luftë, duke mos e harruar edhe kohën e pasluftës dhe vështirësitë e saj, e që thuajse të gjitha këto i paraqet autorja në veprat e saja letrare, qoftë në prozë apo edhe ato më poezi…

Krijimtaria letrare

Naxhije Doçi ka të botuara këto vepra letrare:

  1. ”Shpirti i dërmuar-dhuna serbe ndaj femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999” (2001)
  1. ”Destan Bajraktari, folklorist, letrar dhe atdhetar” (2009)
  1. ”Krimi dhe përdhunimi serb kundër femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999” (2010)
  1. ”Kohë flakadanësh të lirisë”, poezi (2012)
  1. ”The serbian crime an drape against the albanian ëoman in Kosova 1997-1999” (2013)
  1. ”Udha e kombit-Ëndërr e dehur e rrënjës”, poezi (2015)
  1. ”Vargëzim mbi gjurmë”, poezi (2017)

SHPIRTI I DËRMUAR

Në librin ”Shpirti i dërmuar-dhuna serbe ndaj femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999”, autorja Naxhije Doçi në mënyrë bindëse pasqyron përjetimet dhe pësimet tragjike të femrës shqiptare gjatë kohës së luftës 1997/1998/1999. Naxhija rrëfimet i përshkruan me origjinalitet për ngjarjet trishtuese që ndodhën gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ajo të gjitha shënimet i ka grumbulluar nga femrat shqiptare që këto ngjarje tragjike i kishin parë më sytë e vet, madje edhe i kishin përjetuar e bartur mbi supet e tyre. Në libër flitet për dhunën dhe metodat e tmerrshme të dhunës që i kishin bërë forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe ndaj femrës dhe qenies njerëzore shqiptare në përgjithësi. Naxhije Doçi, për t’i grumbulluar këto të dhëna sa më bindëse dhe nga vet protagonistet e këtij tmerri, ajo kishte rrezikuar shpeshherë veten e saj, duke kaluar nëpër mes plumbave të armikut për të arritur në vende ku ishin të strehuar popullata e pa armatosur shqiptare. Ajo të dhënat i kishte marrë nga përjetueset e këtij tmerri në Therandë dhe fshatrat përreth, në Rahovec, në Drenicë, në Klinë, në shumë fshatra të Vushtrrisë e gjetiu. Të gjitha ngjarjet në këtë libër kanë historinë e tyre dhe janë të shkruara sipas rrëfimeve të atyre që përjetuan tmerrin nga forcat armike, pra çdo ngjarje është histori dhe çdo histori, në vete ka çmimin e lirisë. Autorja i përshkruan ngjarjet veç e veç dhe secilës ngjarje i jep nëntitullin domethënës e kuptimplotë, psh. Ngjarjen e fillim marsit të vitit 1998 në Prekazin heroik autorja nxjerr nëntitullin, nga rrëfimet e Besarta Jasharit “Shpëtova për ta dëshmuar ferrin e përjetuar”, pastaj rrëfimit të mbijetuarës nga Theranda, Vjollcë Berisha “Për të vdekur më kanë gjuajtur në kamion”, më pas fjalia e Nurije Mirenes mbetet nëntitull mjaftë domethënës “Shpresa vdes e fundit” dhe së fundi do ta citoj njërin nga paragrafi i Parathënies, ku autorja thotë: “Mund të themi se në një mënyrë apo në mënyrë tjetër luftën më të vështirë apo barrën më të rënd gjatë luftës e ka pasur femra shqiptare. Nga kjo edhe mund të themi se heroizmi i femrës shqiptare gjatë luftës se shenjtë në Kosovë është i pakrahasueshëm. Ajo asnjëherë nuk u hamend që ta ruaj dinjitetin e saj dhe duke luftuar me armë në dorë krah për krah me burrin, me të atin apo me të vëllain ra heroikisht në fushën e nderit…”

DESTAN BAJRAKTARI, FOLKLORIST, LETRAR DHE ATDHETAR

Libri ”Destan Bajraktari, folklorist, letrar dhe atdhetar”, autorja fillon me Parathënien, duke u kthyer në retrospektivë e përkujtuar figurën e atdhetarit Destan Bajraktari. Në këtë libër Naxhije Doçi bënë ecje nëpër kohë, duke gjurmuar rrënjet gjenealogjike të djepit që edhe vet i përket. Libri është një histori e veçantë familjare, ku përpos përshkrimit të ngjarjeve  e historikut të Familjes Bajraktari të Therandës, autorja i paraqet ngjarjet e një pas njëshme në mënyrë kronologjike, duke filluar nga Zekë Bajraktari i parë i Bajrakut të Suharekës e deri të Yll Bajraktari, luftëtar i denjë i ushtrisë çlirimtare të Kosovës, i cili qëndroi trimërisht në istikamet e pathyeshme të betejës së Koshares.

E veçanta e këtij libri është edhe Kapitulli “Të tjerët për jetën dhe veprën e Destanit”, ku ndër 15 figura të shquara të kombit tonë fillon me Simbolin e rezistencës Z. Adem Demaçi, i cili kujton vuajtjet e tyre nëpër kazamatet serbe dhe ndër të tjera Destan Bajraktarit i jep epitetin “Shoku besnik”. Më pas autorja e librit, në Kapitullin “Vlerësime letrare-shkencore për veprimtarinë e Destan Bajraktarit”, i përshkruan vlerësimet e shumë personaliteteve të shquara të fushës letrare shkencore, të cilët kanë folur për vlerën e Destan Bajraktarit. Mjaft interesante dhe me interes autorja në Kapitullin “Përmbledhje artikujsh nga shtypi”, paraqet artikuj të ndryshëm nga shtypi si dhe “Dokumente dhe fotografi”, ku lexuesi, pse jo edhe studiuesi mund të gjej shumë fakte historike për diskriminimin e figurës së Destan Bajraktarit, duke i paraqitur ato faksimile në këtë libër. Dhe krejt në fund, duke e përfunduar librin na paraqitet Pasthënia e shkruar, e thënë dhe e studiuar nga Dr. Mehmet Rrukiqi, i cili mjeshtërisht i pikas shumë gjera meritore të atdhetarit Destan Bajraktari, si; Fjalët e urta, Fjalë të urta dhe thënie popullore shqipe, Aftësitë artistike, Aftësitë estetike, Aftësitë filozofike, Aftësitë gjuhësore, Veçoritë e stilit, Veçoritë e gjuhës popullore dhe Popullarizmi…

KRIMI DHE PËRDHUNIMI SERB KUNDËR FEMRES SHQIPTARE NË KOSOVË

Për librin ”Krimi dhe përdhunimi serb kundër femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999”, është shkruar, është analizuar e vlerësuar nga ekspertët e fushës së faktografisë, prandaj unë në vështrimin tim, në këtë libër kam parë se, femra shqiptare është personazh shumë i rëndësishëm dhe i fuqishëm sepse u ballafaqua me armikun shfarosës serb, me një armik që gjithsesi i ka munguar ndjesia e të çenurit njeri, pra femra shqiptare pas gjithë këtyre sakrificave ajo mbijetoi e po vazhdon të jetoi, edhe pse me shumë vështirësi dhe ende pa përkrahje shtetërore. Këtu duhet përgëzuar autoren Naxhije Doçi, e cila ka arritur ta thyej akullin, ta gjej çelësin e hyrjes në zemrat e thyera e të hapë një dritare ku brenda është dhimbja, vuajtja, loti…

Për vlerën e këtij libri faktografik, më së miri flet fakti se në vitin 2013, ky libër përkthehet edhe në gjuhën anglisht dhe tani më është gjithandej botës së civilizuar e demokratike, duke treguar e argumentuar faktet e krimit dhe përdhunimit serb kundër femrës shqiptare në Kosovë gjatë viteve 1997-1999.

KOHË FLAKADANËSH TË LIRISË

Ligjërimi poetik dhe fuqia e tij…!

Libri poetik ”Kohë flakadanësh të lirisë”, i botuar në gjuhën shqip dhe anglisht në vitin 2012, është libër i shkruar me përkushtim e dashuri për atdheun.

Poetët, të cilët pjesë të jetës, të gjakut dhe të etjes e kanë dashurinë për liri e atdhe, ata vargun e kanë këngë madhështie, me të cilën, sado mirë që e shkruajnë, ata prapëseprapë mbeten të etur për të thënë e për të rrëfyer edhe diçka, dhe atë, duke filluar nga vetvetja e deri tek rrugëtimi nëpër udhët e sakrificës që ka lënë gjurmë për të thënë shumë, për t’u mburrur e për t’u kritikuar. Kjo ngase, toka e lagur me gjak ka shumë këngë, rrëfime e ngjarje të pathëna, mbase edhe të pa shkruara. Për këtë, “Kohë flakadanësh të lirisë” të autores Naxhije Doçi, nuk janë rrëfim vetëm për këtë periudhë zjarri,  ëndrrash, dhembjesh e krenarish por janë edhe rrëfime historike të stolisura në vargje. Andaj, çdo varg i shkruar nga autorja, e ka vulën e ndijimit të veçantë e specifike, që poezinë e shndërron në histori mbase edhe në baladë. Këtu qëndron edhe pesha e vargëzimit të Naxhije Doçit, e cila një kohë të gjatë ka punuar që këto poezi e vargje t’i kapërthejë e përjetësojë në libër. Dhe, mirë ka bërë që vargun e vetë ta lëshojë të ecën botërisht e të jehojë kudo e tek secili lexues…

UDHA E KOMBIT-ËNDËRR E DEHUR E RRËNJËS

Shenjtëria e vargut poetik për shtigjet e jetës dhe periudhat kohore

Libri me poezi ”Udha e kombit-Ëndërr e dehur e rrënjës”, i cili fillon me poezinë Udha e kombit, vargëzimi shndërrohet në rrëfim e histori, e cila pastaj, tërë kohën e ngacmon lexuesin për të ecur krah për krah me përjetimet e poetes, e cila mbi vete ka të ngarkuar lirinë bashkë me vargun përcjellës, dhe se, autorja, përmes vargut fillimisht, shprehet:

“Udha e kombit “Dr. Ibrahim Rugova”

ëndërr e dehur e rrënjës

përfytyrim i pamposhtur bujshmerie

me madhështinë e hovit triumfues

për njëjtësi peizazhesh të etura etnike

në shekullin e ri XXI…”!

Dhe autorja duke u përplasur me situata të ndryshme mbase edhe shpirtërore, vargu i saj merr terrnak  dhe nganjëherë e zhvesh autoren nga vetvetja, sepse, në gjendje të tillë, asgjë nuk ka kuptim kur liria u ngjante prangave. Për këtë, ajo, e trembur nga ecjet, nuk heziton që në shenjë revolte të ligjërojë gjithnjë plotë pezëm:

“…Udha e kombit

mëtim kohësh të braktisura

nga myku i përdaltë i errësirës

i të palarave të shkaktuara

nga xhelozitë e hipokrizuara

të fqinjëve syshkyer e korbzi…”

Kjo formë e të shkruarit e bën poezinë pasqyrë të situatës aktuale në të cilën gjendet, kështu që, përmes vargjeve mbërthehen e tingëllojnë mesazhet karakteristike e qortuese. Me këtë, poetja Naxhije Doçi, sikur do të na thotë se gjeneratat e reja dhe ato të tjera që do vijnë, do ta shërojnë e stolisin lirinë e lënduar dhe të plagosur në mënyra e forma të ndryshme. Dhe, përmes vargut hapë zemrën dhe shpirtin, por shpalos edhe ëndrrat…

 VARGËZIM MBI GJURMË

Fati i kombit e i atdheut në zërin poetik

Në librin tjetër poetik ”Vargëzim mbi gjurmë”, autorja sikur mediton, jo vetëm për fatin e vet, por edhe për fatin e kombit dhe të atdheut  përgjithësisht. Megjithatë, ajo, prapëseprapë na reflekton shpresën dhe qëndrimin e pathyeshëm për liri, duke u shprehur në vargjet e poezisë së parë në libër:

“Mijëvjeçari i tretë në hapërim të stisur

bulëzim stinësh në dheun tim të thinjur

në Kosovën me buzëqeshje të dehur lirie

shkrirë në thellësi të gufuar Pavarësie…”

Si gjithmonë dhe tek secili individ që nganjëherë së tepërmi ngushtohet shpirti, kjo ndodhë edhe tek autorja e këtij libri, jo pse dëshiron të na reflektojë biografinë e vet, por ngase, gjithnjë ka etje për të rrëfyer dhe për të treguar edhe për të tjerët, se jeta dhe njeriu, jo rrallë, janë vetëm kuptim fjale. Për këtë arsye, nganjëherë vetvetiu vargu rrëshqet apo edhe përvidhet përmes penës se autores duke reflektuar si biografi e personazhit të poezia Bardha e Anadrinisë:

“…Tri ditë e tri net

shiu ra si me grykë të testisë

kur qe bërë nuse kohe Bardha e Anadrinisë…”

Të kësaj natyre janë edhe shumë poezi, gjë që është e kuptueshme ngase kanë dalë nga shpirti poetik i autores dhe Naxhije Doçi, sikur ka etje për t’i rregulluar dhe për t’i flakëruar binarët e jetës. Megjithatë, poetja gjithnjë përmes vargut të saj paraqet realitetin shoqëror, dhe mjeshtërisht ligjëron (si me lutje të fshehtë) për ta rregulluar treguesin e orës që dikton ditën dhe për ta bërë ndërgjegjen pjesë detyrimi të jetës.

Duke u mbështetur në një vargëzim të tillë dhe karakteristik, libri poetik ”Vargëzim mbi gjurmë” i Naxhije Doçit, është një vepër e rrëfimit të sinqertë shpirtëror, e cila i ngjanë edhe pikturës, edhe hartës, edhe madhështisë dhe lumturisë, por edhe dhembjes. Kjo vepër e ka mesazhin dhe cilësinë esteto-letrare, e cila begaton vlerat letrare dhe kulturore kombëtare…

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …