Brickos

Dilaver Goxhaj: Historia e dy këngëve të dy luftërave çlirimtare

(Historia e të dyjave fillon në pranverë, e para në Tepelenën e viti 1942, e dyta në Tiranën e vitit 1998, e para për LANÇ, e dyta për UÇK-në.)


 


Kënga e parë


 


Historia e kësaj kënge nis në pranverën e vitit 1942. Në një luftim midis njësitit gueril të qytetit të Vlorës me ushtrinë fashiste italiane, vriten dy heronj, ndaj dhe kënga titullohet: “Dy heroj, një ushtri”. Heroizmi i tyre mori dhénë. Në këtë periudhë shkrimtari dhe poeti Kolë Jakova ndodhej  i burgosur në burgun e Tepelenës. Dy-tre ditë pasi kish ndodhur ngjarja epope e Vlorës, poetit Kolë Jakova i mbrin një letër nga Mustafa Matohiti (Hero i Popullit), atëherë komisari i çetës së Kurveleshit, ku i kërkohej një tekst-këngë partizane. Dhe Kolë Jakova tregon: “Pasi ma sollën letrën, fillova të mendohesha për tekstin e këngës. Në burg më kishin lejuar ta mbaja mandolinën që ma kish sjellë familja në një nga vizitat kur isha në burgun e Tiranës. Në një nga pushimet  e shëtitjes së paradites që bënim në kala, (burgu ishte brenda në kalanë e Tepelenës), e hartova tekstin”. (Dhe poeti filloi recitoi rreshtin e parë të vargut të parë, ndërkohë, ne dëgjuesit e bisedës, e pasuam në kor: “Dalëngadalë po vjen behari/ Dalëngadalë po na vjen/ Po na vjen, po na vjen / Bota zjen , bota zjen/ Shokët tanë kjo luftë po na i rrëmben…etj”). Pasi mbaruam së kënduari, ai vijoi:


 



 


“Si shkodran që jam, kuptohet që edhe melodinë duhej me e ba vetë. E bana edhe melodinë dhe po e ekzekutoja me mandolinën teme. Kur e mbarova së ekzekituemi me mandolinë dhe tuj e këndu me za të ulët, pash se para meje, kish zgjat kokën një gjarpën prej një vrimë muri dhe po ndigjonte. Thashë me veti: derisa edhe gjarpni nuk po lëviz vendit dhe po ndigjon me vemendie, kënga qenka shumë e goditun si tekst dhe si  muzikë, ndaj dhe fillova me ua mësu të burgosunve të tjerë, të cilët pothuj se ishin që të gjithë rini. Për fat, të rinjtë që u bënë më së shumti entusiaztë me atë këngë, u liruan nga burgu shpejt. U gëzova, pasi këngo do përhapej. Mirëpo, pas disa ditësh u pat zhvillu një demostratë në qytet dhe mësuam se ata të rinj që e kishin mësuar më së miri atë këngë, ishin arrestuar dhe dërguar në burgun e kalasë së Gjinokastrës. Epo, thash me veti, humbi dhe kënga ime.


Pasi dola nga burgu, dola partizan. Në verën e vitit 1944, pasi kish mbaruar lufta për çlirimin e qytetit të Burrelit, ndërkohë që ne partianët po pushonim në hijet e pyllit në periferi të qytetit, dhe po këndonim, në një moment dëgjoj që një grup partizanësh filluan të këndonin këngën: “Dalngadal po vjen behari….”, dhe menjëherë brofa në këmbë, duke thirrur gjithë gëzim: “Kënga jeme, kënga jeme!”, dhe nuk po mbahesha prej gëzimit që kënga jeme nuk kish humbur. Disa partizanë u befasuan nga thirrjet e mia, dhe më kapën e më çuan te komandanti i Brigadës Partizane, Shefqet Peçi, duke I thënë se ky partizani kërkon që të na përvetësoi këngën tonë partizane, duke ia shpjeguar se si kish ndodhur grindja me mua. Komandanti më pyeti se si ishte e vërteta, dhe pasi ia shpjegova në qetësi, thirri komandantin e batalionit ku unë bëja pjesë, dhe i tha: “Të urdhëroj që partizani poet, Kolë Jakova, të mos lejohet më të marrë pjesë drejtpërdrejt në luftime. Ky poet dhe muzikant është fat që e kemi në brigadën tonë, prandaj kemi detyrë ta ruajmë. Ai duhet të jetoi që të na e ngrejë në piedestalin që i takon luftën tonë heroike”. E falnderova komandantin për “shpërblimin”, por edhe duke i shprehur pikëllimin tem ngaqë nuk më erdhi mirë që nuk do të merrja pjesë direkt në luftime. Urdhëri u zbatua, prandaj dhe jam gjallë e po bisedoj me ju skëndërbegasit sot, pasi luftë ishte…”, e përfundoi bisedën me ne studentët e Shkollës së Mesme Ushtarake ”Skëndërbej”, shkrimtari dhe poeti i madh Kolë Jakova, në qershorin e vitit 1964.


Kjo këngë këndohej edhe nga luftëtarët e formacioneve të UÇK-së gjatë pushimeve të luftimeve, madje në një rast edhe është filmuar nga Nuri Bexheti, “Hoxha”, si dhe është shfaqur edhe në televizionin e TVSH, Tiranë, dhe nga RTK e Prishtinës.


                               


Kënga e dytë


              


Kënga e dytë, ndodh përsëri në pranverë, por pas 56 pranverash, në pranverën e viti 1998. Historinë e saj po e marrim të plotë nga libri “Lëvizja”, botim i “Tringa Design” (Tetovë, MK), 2012, faqe 403-405, me autorë Bedri Islami dhe Ibrahim Kelmendi.


“Bedri Islami: Jemi ende në marsin dhe në prillin e vitit 1998. Le të merremi me një ngjarje tjetër, e cila, në dukje, ishte e parëndësishme, por në fakt u bë një gjë jetike, sidomos për të ardhmen. Si çdo ngjarje epike, edhe lufta e zhvilluar në Drenicë, do të kishte jehonën e saj, në mes të tjerave, edhe në këngë, të cilat, kur vijnë në kohën e duhur dhe me frymën e duhur janë, siç e thashë, jetike. Një herë, më duket se ka qenë fillim i vitit 1999, po rrinim në familjen Jashari, tek Baca Rifat, në Mynih dhe djemtë e shtëpisë e pyetën Arif Vladin, këngëtarin e njohur, për këngën e parë që doli menjëherë pas rënies së Ademit, Hamzës dhe të tjerëve.  Kënga është kënduar nga Arif Vladi, me tekst të Gjokë Becit dhe me muzikën e Edmond Zhulalit, në mos gaboj. Arifi, ndërsa fliste për këngën, përmendi edhe emrin tënd (të Ibrahim Kelmendit), si nismëtar i saj. Çfarë lidhje kishe ti Ibrahim me këtë këngë? Nuk të kam pyetur asnjëherë, tani, erdhi koha.


 



 


Ibrahim Kelmendi: Merita për këngën himn të UÇK-së u takon kryesisht Arif Vladit, Gjokë Becit dhe Edmond Zhulalit. Roli im qe rastësor dhe më vjen turp të tregoj si ka ndodhur. Dy-tre ditë para se të bëhej kënga, kisha bërë një ujdi me vëllanë e Aif Vladit (më vjen keq që nuk më kujtohet  emri). Më parë ai kishte qenë polic. Meqë pagat ishin të vogla, e kish lënë atë punë dhe punonte taksist, në Tiranë. Unë e angazhova atë për 50 dollarë në ditë, që të na shërbente, qoftë për të na bartur ne, qoftë për të transportuar ndonjë sasi urgjente të armëve, qoftë për të na gjetur njerëz dhe baza në krahinën prej nga vinte ai, (Peshkopi-Kukës). Në fund të ditës së parë dëgjova nga ai një slogan domethënës për kapitalizmin. Honorarin prej 50 dollarësh ia pagova siç ishim marrë vesh. Ai më kërkoi 57 dollarë. E kundërshtova për 7 dollarët më shumë. U arsyetua se duke na pritur gjatë ditës, në lokale kishte pirë kafe dhe kishte ngrënë sanduiç që i kishin kushtuar 7 dollarë. I thashë – paguaj nga 50 dollarët. Më tha: Zotëri, po të mos isha në shërbimin tuaj, kafe dhe bukë do të pija dhe do të haja në shtëpi, te gruaja ime dhe nuk do të paguaja 7 dollarë. Në kapitalizëm, vetëm mirëmëngjesi është pa lekë, të tjerat i ke me lekë. Më provokoi arsyetimi ndaj ia dhashë 7 dollarët..


Arifi duhet të jetë informuar nga i vëllai se ku mund të më gjente. Ai më njihte qysh në fillim të viteve të 90-ta. Erdhi dhe më tha se ishte koha për të bërë një këngë për UÇK-në. Kishte disa herë që më thoshte dhe prandaj po më bezdiste.Dikur reagova: “Shko, përse nuk e bën këngën!?” Më tha se duhen lekë për tekstin dhe kompozimin. E pyeta sa duheshin. Më tha 700-800 dollarë. Thënë të drejtën, nuk e parashikoja fare rëndësinë e këngës, por që ta hiqja qafe, nxora dhe i dhashë njëmijë dollarë. Menjëherë iku nga tavolina.  Të nesërmen erdhi dhe më tha: “Kënga është gati. Do ta dëgjosh?” “Aman, iu përgjërova, më le rehat tani! Nuk dua ta dëgjoj, pa le që nuk marr vesh nga muzika.”


Kaq ishte kontributi im rastësor për atë këngë…….. Sa për rëndësinë e këngës tejet motivuese: “Marshi i ÇK-së”, duhet ta vlerësojnë profesionistët. E falnderoj me këtë rast mikun tim Arif Vladin, që paska përmendur veprimin tim, ndërsa mjetet ishin të Fondit dhe duhen falnderuar donatorët.

Kontrolloni gjithashtu

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka pranuar kallëzimin penal kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj

Në raportin vjetor të organizatës “Freedom House” janë përmendur rastet e Shemsi Hazitit, Nagip Krasniqit dhe Martin Berishajt

Në raportin vjetor për vitin e kaluar 2023 të organizatës ndërkombëtare “Freedom House” është përmendur …