KEK
Fillimi / Kultura / Dilaver Goxhaj “Kush harron, nuk jeton më”
Dilaver Goxhaj

Dilaver Goxhaj “Kush harron, nuk jeton më”

(Një vështrim i shkurtër për romanin “Lemza e dheut”  të  autorit,  Ilir Shaqiri)

 Shpesh, në zhargonin e përditshëm, me të drejtë thuhet se “rasti është mbreti i botës”. Një koincidencë e para ca ditshme ma përforcoi edhe më shumë këtë bindje. Gjatë ditëve të muajit shtator të këtij viti, u ndodha në Prishtine, kur  “Demokracia Studentore” po zhvillonte një aksion simbolik para kishës serbe, e ndërtuar në oborrin e Universitetit, të cilët ftonin Qeverinë e Kosovës, Kuvendin si dhe komunën e Prishtinës që sa më parë të zgjidhin problemin e këtij objekti të jashtëligjshëm, i ndërtuar gjatë kohës së fashizmit të Milloshoviqit, e cila e ka fillesën e saj me urdhër të Millosheviçit, në shkurt të vitit 1999. Madje ai e kish emërtuar që në themel kisha “Krishti i Shpëtimit”, por që lufta e UÇK-së dhe angazhimi i NATO-s bënë që të mos përfundonte. Atë ditë që zhvillohej ky aktivitet nga Unioni Studentor i Prishtinës, u takova me muzikantin Ilir Shaqiri, për karshi asaj ngrehine, në pritje të një promovimi në auditorin e Bibliotekës Kombëtare, rreth 100 metra larg asaj Kishe. Ilir Shaqiri, gjatë bisedës më dhuroi edhe romanin e tij të fundit  “Lemza e dhéut”. Porsa e hapa librin në faqet e para të tij, në pritje për të hyrë në Bibliotekën Kombëtare, u befasova që autori e nis romanin me këtë kishë, ku thotë: “Ai (Millosheviçi) besonte se shumë shpejt do të ngrihej kjo faltore, aty ku do të bekoheshin të gjithë ata që do t’i vrisnin dijeeturit, ashtu siç u bekuan nëpër faltoret serbe të gjithë ata që morën udhën e Kosovës në vitin 1998-1999 për t’i vrarë lirieturit”.(f.13).

Kjo ishte befasia e parë e imja.

Po atë ditë, të gjitha mediat e shkruara të Prishtinës botonin reagimin e ish-drejtorit politik të UÇK-së, Hashim Thaçit, tani në postin e kryetarit të Kosovës, i cili merrte në mbrojtje Kishën politike të Milosheviqit në Kosovë, edhe pse e di fare mirë se për çfarë qëllimi dhe kush e kishte ndërtuar atë Kishë në kohën kur Kosova vazhdonte të përgjakej me bekimin e klerikëve serbë dhe të kryekriminelit serb të Ballkanit. Çuditërisht, po këtë lloj mbrojtje ndaj asaj Kishe e bënte po atë ditë edhe një prej ish-komandantëve të zonave operative të UÇK-së, Rrustem Mustafa, ish deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, i cili,  përmes një postimi për media shprehej njësoj si dhe Thaçi: “Kisha serbe, duhet të qëndrojë aty ku është  për t’iu shërbyer besimtarëve ortodoksë serbë në Prishtinë dhe në Kosovë”.

Këto deklarata ishin befasia e dytë e po asaj dite.

Në roman ilir Shaqiri, përmes personazhit “që më ka dhënë frymëmarrjen”, shtron pyetjen: “Si ka mundësi që studentët e tashëm të jenë pajtuar nga pamja e kësaj gërdalle të dhunshme, apo nuk u ngjajnë më atyre studentëve të Pranverave të Mëdha?” Dhe unë, duke pasur përballë studentët në atë aksion simbolik, ndërkohë që lexova pasazhin e mësipërm të romanit, menjëherë  kërkova në libër vitin e botimit të tij. Në të shkruhet: “Prishtinë 2016”.Fakt ky që ma përforcoi bindjen se shkrimtarët janë gjuhët e popujve. Ilir Shaqiri, me përgjegjësinë që ka marrë me vetëdije përmes këtij romani, ka ngritur në këmbë gjithë shoqërinë kosovare, e në radhë të parë studentët, pjesën më aktive dhe më të përgjegjshme të kombit. Realiteti i Kosovës, pse mos të themi edhe i Shqipërisë, në krahasim me kombet e tjera, është një realitet plot shqetësime. Dhe ilir Shaqiri është një zë intelektual, që përmes këtij romani ngrihet për t’i treguar popullit shqiptar në Kosovë se si mund të shpëtojë nga ky realitet shqetësues. Dhe gjithë indinjatë thotë: “Duhet të jesh mungos (shurdhmemec),që të heshtësh përpara këtyre dukurive”,(f.12).

Të gjitha këto më nxitën që librin ta lexoja me shumë vëmendje gjatë ditëve në vijim.

Historia e letërsisë ka treguar se shkrimtarët realistë janë ata në radhë të parë që shfaqen konsekuentë jo vetëm në shtrimin, po edhe në zgjidhjen e konflikteve dhe kontradiktave shoqërore. Edhe romani i Ilir Shaqirit po përshkohet nga lidhjet e ligjshme të jetës së njerëzve me fenomenet politike e shoqërore në Kosovë, e veçanërisht në Prishtinë, në kryeqytetin e saj, në të cilin pasqyrohet vetëm të vërteta reale.Këtë, artisti ynë muzikant e shkrimtar e ka arritur jo vetëm me përshkrimin tipik të veprimtarisë së kryeministrit dhe të kryekomunarit të Prishtinës të vitit 2012, me një konkretësi shumë reale të ngjarjeve, në pragun e festivalit “Kënga më e bukur për flamur”, në kuadrin e 100 vjetorit të Ngritjes së Flamurit Shqiptar. Ndaj dhe kemi më se të drejtë të themi se ky është një roman i vërtetë, art i vërtetë, sepse ecën paralel me jetën në Kosovë.  Përmes këtij romani dhe i atij aktiviteti zjarr për zjarr i studentëve të Prishtinës kuptohet më së miri rëndësia dhe roli i letërsisë realiste. Edhe pse Ilir Shaqiri është një romancier i ri, gjithkush nga shkrimtarët në Kosovë ka shumë për të mësuar prej romanit të tij. Ilir Shaqiri, ky artist dhe shkrimtar, përmes këtij romani, na tregon se duhet të ketë mësuar shumë nga mjeshtërit e mëdhenj të letërsisë botërore Hygoi, Balzaku, Tolstoi, Dikensi e veçanërisht nga De Rada e Rexhep Qosja, të cilit i referohet në këtë roman edhe për librin e tij më të fundit “Bijtë e askujt”.

Duke lexuar këtë roman bindemi se Ilir Shaqiri ka fituar përvojë shumë shpejt, gjë që tregon se ka pas dhe ka shumë interes për jetën e popullit të tij, për kulturën shqiptare, për shkencën, filozofinë por edhe për politikën; ai nuk është indiferent. Si i tillë prandaj dhe ky roman i tij nuk ka asgjë të mangët. Puna prej muzikanti, poeti dhe romancieri, ngjarjet e epokës ku jeton dhe ku ka qenë, e identifikon atë si një ndër intelektualët më aktivë në Kosovë; e ka bërë të tillë përvoja e epokave të mëparshme të historisë së popullit tonë, por edhe ajo e arbëreshëve të Kalabrisë, prandaj bën atë shtegtim në Kalabri, “që të shohë më shumë, që të mbledhë më shumë, që të mësojë më shumë, që të ndritë më shumë” ngaqë “arbëreshët nuk njohin çregullime hyjnore, përsërisin të njohurat stërgjyshore, duke mbetur roje kohe të së njëjtës histori përbashkuese, duke shkuar fillimisht atje ku bën gjumin De Rada”, (f.286). Dhe është kjo përvojë arbëreshe që e ndihmon autorin për ta trajtuar me saktësi jetën e popullit shqiptar në ditët e sotme në Kosovë, për të nxjerrë në pah mediokritetin, korrupsionin galopant të politikanëve, që me të drejtë ata dhe administratën e zgjedhur prej tyre, autori i quan HIÇËR. “Hiçët, thotë autori, nuk kanë kënaqësi tjetër, përveç të mëkatojnë”, (f.315).  Dhe autori e nxjerr mjaft bukur injorancën e këtyre HIÇËVE përmes bisedave ironike të “Aristofanit të kryeqytetit”, redaktorit të muzikës në RTK, Ylberit, drejtuar administratores, e cila kishte tre muaj rresht duke kërkuar xhirollogarinë bankare të poetit Ali Asllani!

“-Unë bëj punën time… Aliut thuaj të sjellë xhirollogarinë!-thirri ajo.

-Ali Asllanin e gjen në libra, jeton dinjitetshëm aty, aty ku mund të flasësh edhe ti me të”,(f.323), i përgjigjet Aristofani Ylber.

Me romanin “Lemza e dhéut”, autori i thotë lexuesit se politikanët kosovarë të shekullit XXI nuk e ndjejnë jetën e kohës së vet, nuk jetojnë as me kulturën dhe as me jetën e hallet e popullit të vet, sado që vishen firmato, sado që kapardisen me një turë të tërë badigardësh, sepse ata nuk e dinë që edhe politika është një krijim dhe jo një skemë; për ata, lë të kuptohet autori, politika është thjeshtë dogmë. E gjithë shterpësia e politikanëve kosovarë të këtij fillim shekulli, na thotë shkrimtari, vjen ngaqë nuk e kuptojnë këtë realitet, dhe kjo ka bërë që mëkatet e shoqërisë kosovare kanë filluar të ndahen sipas klasave shoqërore, brenda jetës morale dhe shpirtërore të kësaj shoqërie, (f.265).

Ilir Shaqiri, duke e jetuar intensivisht aventurën e politikës kosovare të këtij fillim shekulli, ose më saktë aventurën e politikanëve të Kosovës, prandaj është së bashku me mendimin e popullit të kësaj periudhe kohore që jetojmë. Sikundër shihet nga ky roman, filozofia specifike e Ilir Shaqirit është filozofia e shqiptarit të Kosovës të lidhur kryekëput me çlirimtarët e saj të vërtetë, të “martuar” me vajzën e nëntë të Djallit, Ndërgjegjen. Dhe kjo aftësi e tij vjen për fatin se ai është himnizuesi i Luftës Çlirimtare të Kosovës, i cili, me këngën e tij “Himni Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” frymëzoi gjithë rininë shqiptare dhe e ngriti atë peshë për të rrëmbyer armët e të marrë malet për liri.

Kjo është edhe veçoria kryesore e këtij shkrimtari këngëtar, kompozitor e poet njëkohësisht. Si i tillë ai është në gjendje ta njohë  realitetin e shoqërisë së sotme kosovare, sidomos të politikanëve dhe administratës shtetërore, duke na i përshkruar në formë kronike, pothuaj ditë pas dite ngjarjet në Prishtinë (ndodhitë e vitit 2012), si dhe në Filarmoninë e Kosovës, e cila bëhet gati për festivalin e 100-vjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar.

Ai përshkruan se si klasa e re politike, Hiçët, sikundër i etiketon, nën presionin e makutërisë për t’u pasuruar, janë kthyer në pasanikë vulgarë, arrogantë e pa dinjitet. Dhe kjo, ngaqë kanë harruar përse luftuan. Por, “Harrimi është mëkati më i madh”, na thotë autori; mirëpo, “kush harron, nuk jeton më”, e plotëson Zef Kakoca në recensionin e librit.

Fakti që autori është i detyruar të ngrihet kundër këtyre politikanëve të dalë nga lufta, të cilës Iliri i këndoi tërë patos, në të cilën ai shihte të ardhmen e ndritur të Kosovës demokratike, duke i parë njerëzit e së ardhmes atje dhe vetëm atje, unë do ta quaja arritjen më të madhe të këtij romani dhe një nga tiparet më të vlefshme të këtij artisti-shkrimtar.

Dhe, i zhgënjyer nga politikanët e dalë nga ajo luftë çlirimtare, prandaj dhe Iliri e titullon librin “Lemza e dheut”. Dhe që kjo shoqëri e sotme kosovare të mund të kthehet në një shoqëri për së mbari, autori merr si model arbëreshët me 560 vjet identitet të papërkulur, në një udhëtim të tij “imagjinar” nëpër Kalabëri, të cilët Lemëzës i thonë ashtu nga ajo ka dhe shkakun e lindjes së saj: Helmëz: “kur kujtojmë diçka të hidhur na nget helmëza, themi ne arbëreshët”,(f.25). Edhe Dhéu është helmuar e po helmohet nga këta politikanë të paidentitet. Ky është edhe nënteksti i romanit “Lemza e dhéut” i Ilir Shaqirit.

Tiranë, 3.10.2016

Kontrolloni gjithashtu

Kongresi i Manastirit i vitit 1908

Prof. dr. Valter Memisha: “Kongresi i Manastirit, ngjarje përcaktuese në rrugëtimin shqiptar “Një komb-një gjuhë”.

Prof. dr. Valter Memisha: “Kongresi i Manastirit, ngjarje përcaktuese në rrugëtimin shqiptar “Një komb-një gjuhë”. ...