Dilaver Goxhaj

Dilaver Goxhaj: Pema e lirisë

Sa më shumë u largohemi  viteve të asaj lufte çlirimtare, duke kujtuar e nderuar ato ngjarje sakrificash e vet mohimi dhe të rënët për liri, sikundër po vepron sot shoqëria “Lëvizja”, duke vendosur këtë pllakat përkujtimor në shtëpinë e “Haxhi Babëa” (Musa Demiri), aktivist i LPK-së, në këtë qendër grumbullimi dhe armatosjeje të qindra vullnetarëve të lirisë së Kosovës, ku nga radhët e tyre 22 kanë rënë dëshmorë, aq më të afërta na duken ngjarjet; në këtë mënyrë ne nderojmë Lirinë e Kosovës, Ushtrinë Çlirimtare të saj dhe forcën politike udhëheqëse të asaj lufte, LPK-në. I zoti i kësaj shtëpie e ndërtoi këtë objekt-bazë lufte me shpenzimet e veta, pa qenë as nënshtetas i këtij shteti, duke shfrytëzuar mos ekzistencën funksionale të tij e sfidoi atë, duke u përkrahur pa as më të voglin hezitim nga gjithë banorët e qytezës së Golemit-Kavajë.

Përmes të tilla nderimeve ne shikojmë një sintezë të çuditshme për sa i përket Lirisë që Kosova ka sot. Ky vështrim përgjithësues i ngjarjeve ku janë stërvitur e pajisur vullnetarët e lirisë, si dhe përkujtimi i luftimeve ku kanë rënë dëshmorët e asaj lufte çlirimtare etj., na e paraqesin LIRINË si një PEMË madhështore, dhe dëshmorët si rrënjët e nëndheshme të kësaj PEME. Ashtu, sikundër rrënjët e fuqishme të një peme vazhdojnë rritjen e saj të fshehtë e të fuqishme, ashtu edhe dëshmorët, duke u nderuar përherë nga gjithë brezat, vazhdojnë ta risin fuqishëm krenarinë dhe të ardhmen e popullit, duke i frymëzuar për vepra të reja.

Duke i nderuar përherë dëshmorët dhe shokët e tyre luftëtarë, vetëm atëherë e kupton pse privilegjohet ajo pjesë e nëndheshme e këtij populli, pavarësisht se ka edhe të tjerë që largohen prej atij nderimi instiktivisht.

Sikundër po veprojmë edhe sot, në krye të këtyre nderimeve gjithmonë ftohen dhe prijnë veteranët, shokët e dëshmorëve, të cilët janë elementi vertikal i tyre. Kjo është arsyeja pse shoqëria njerëzore i nderon njësoj: si dëshmorët, edhe veteranët, sepse janë ata që simbolizojnë vrullin, idealin, hovin e tyre rinor, Shtyllën e Tempullit të Lirisë.

Vetëm njerëzit e vetëdijshëm e të dashuruar me kombin, njerëzit e veprimit, shohin te veteranët, te kjo masë shpirtërore: LIRINË, se veteranët, si dhe lapidarët dhe këto pllakate, i flasin imagjinatës së brezave.

Pasardhësit e dëshmorëve dhe të veteranëve e shohin veten si degët horizontale të PEMËS së LIRISË, të kësaj peme të siguruar nga dëshmorët dhe veteranët. Pasardhësit e dëshmorëve dhe të veteranëve janë solidarë, sepse nuk mund të ketë gjethe pa degë, degë pa trung, dhe as trung pa rrënjë; si të tillë, pasardhësit e tyre përbëjnë  mushkërinë e Pemës së Lirisë; ata janë mijëra flatra  që përplasen, sikur duan të fluturojnë, mijëra gjuhë që mërmërisin së bashku sakrificat e dëshmorëve dhe veteranëve sa herë që dikush mundohet të hedhë fjalë dashakeqe kundër veprës dhe sakrificës së madhe të tyre.  Dhe “Kështu ndodh gjithmonë: / Pas përmbytjes blerojnë / pranë trungjeve të kalbur filizat e rinj.”(Ismail Kadare)

Por, të mos harrojmë gjithashtu, se Pema e Lirisë ka në vetvete imazhet e tri familjeve të mëdha njerëzore: Metafizikët, njerëzit e veprimit dhe poetët. Që të presësh Pemën e Lirisë duhet të bësh atë që thotë poeti ynë Kadare:

“Të ngresh nga varret dhe të pushkatosh të rënët.

Këtë tokë të sigurtë që quhet Atdhe,

na e lanë brezat që ikën,

që ne, të tjerëve t’ua lëmë

kaq sa e gjetëm,

Më pak, asnjë pëllëmbë!

Minat në s’mjaftofshin,

Shpirtrat tanë si mina do të vendosim,

Që armiku mos kalojë.                                    (Ismail Kadare)

Golem-Kavajë, 14 korrik 2018

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …