Në kuadër të zbatimit të Planit të Veprimit për Barazi Gjinore në Komunën e Ferizajt, sot është mbajtur takimi hyrës për procesin e monitorimit, në bashkëpunim me organizatën “Follow Up” dhe me mbështetjen e UN Women.
Takimi u organizua në ambientet e Komunës së Ferizajt dhe kishte për qëllim prezantimin e procesit të monitorimit të aktiviteteve të parapara në plan, diskutimin mbi progresin e deritanishëm, sfidat e hasura dhe koordinimin për realizimin e aktiviteteve të mbetura.
Në fokus të takimit ishte prezantimi i progresit në zbatimin e PLVBGJ-së në nivel komunal, shqyrtimi i aktiviteteve të realizuara dhe sfidave gjatë periudhës së kaluar, diskutimi për aktivitetet e mbetura, planifikimi i hapave të ardhshëm, si dhe shkëmbimi i përvojave dhe rekomandimeve nga akterët komunalë dhe organizatat partnere.
Në këtë takim morën pjesë zyrtarë përgjegjës të drejtorive përkatëse, përfaqësues të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, si dhe përfaqësues nga organizatat “Follow Up” dhe UN Women.
Aktivitetet e realizuara dhe ato që mbeten për t’u përfunduar u prezantuan dhe diskutuan në detaje. Gjatë monitorimit u evidentuan aktivitetet e përmbushura sipas planifikimit dhe u identifikuan sfidat që kanë ndikuar në mosrealizimin e disa prej tyre.
Gjithashtu, u theksua rëndësia e organizimit të takimeve të veçanta me drejtorët e drejtorive përkatëse në ditët në vijim, me qëllim të shqyrtimit më të thelluar të aktiviteteve që janë pjesë e PLVBGJ-së dhe përcaktimit të veprimeve konkrete për realizimin e tyre.
Ky proces është zhvilluar me përkushtimin e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu, në funksion të përmirësimit të mirëqenies së komunitetit dhe avancimit të barazisë gjinore në komunën tonë.