Fragment nga romani në dorëshkrim, "Kthimi nga burgu"

“Ditët e para të kthimit nga burgu”, fragment nga romani në dorëshkrim, “Kthimi”

Eknat Malmiri ishte liruar nga Burgu. Kishte qenë dhjetori  i vitit 1987, kur ishte  rishfaqur në shtëpi, pas mungesës afër shtatë-vjeçare, duke llogaritur kohën në arrati dhe kohën që kishte kaluar në burgje.

E dinte se edhe ditët e kthimit ishin të bezdisshme, mbase të një natyre tjetër, por edhe të njëjta me ditët e fillimit të burgut. Çdo fillim i ri  e shqetësonte, sepse ishte mësuar të jetonte në vetvete, i mbyllur dhe i degdisur. Fakti se kishte  kaluar shtatë vjet larg familjes, larg vendit dhe pas tërë kësaj kohe  ishte kthyer në një burg të madh,  po ia rëndonte  edhe më shumë trurin  e trazuar. Po futej me një ndjenjë pasigurie e trishtimi  në podrumin e shtëpisë, ku jetonin bijat, djali i vetëm dhe bashkëshortja. Një ndjenjë pezmatimi e përzier me urrejtje kundër robërisë, pa dashur ia kishte shtangur  vështrimin. Nuk ishte treguar i hareshëm, madje as në çastin kur të gjithë ishin ngrehur në këmbë dhe ishin drejtuar ta përqafonin. Zemra iu kishte bërë gur. Nuk ishte dorëzuar para lotëve të vakët të bijave të mitura, as birit, shtatëvjeçar,  i cili e shikonte paksa me habi. Bijat ishin rritur. Loti kishte filluar të shkonte në shkollë. Ai kishte lindur në mars të vitit 1981, pikërisht në ditët e fillimit të ndërrimeve të mëdha, që solli pranvera e atij viti. Antiga, Arba, Labja dhe Kruja ishin shend e verë, meqë babai ishte kthyer në familje. Edhe Rija, bashkëshortja e Eknatit, dukej sikur ishte gjallëruar. Tani e tutje të paktën kishte me kë t’ i ndante brengat e shqetësimet. Babë Zani,  si gjithnjë i zënë me punë. Ai me ndihmën edhe të vëllezërve të Eknatit kishte arritur në përfundim të ndërtimit të një shtëpie për familjen e tij, e cila gjatë tërë atyre viteve kishte gjalluar në podrumin e shtëpisë. Kishte frikë mos fëmijët kishin pësuar nga shëndeti, por kujdesi që kishte treguar bashkëshortja, vërehej në çdo pore të qenieve të tyre. Nëna e tij, Hirja ishte tretur nga shëndeti, por ende mbahej e fortë. Vëllezërit kishin mbijetuar disi.

Ata sapo kishin dëgjuar se Eknati ishte liruar nga burgu kishin shkuar për ta parë dhe për t’u çmallur.

Mani, së bashku me Canin kishin punuar më së shumti dhe së bashku me babanë, Zanin kishin arritur të mbijetonin, pa ia shtrirë dorën askujt. Vëllai tjetër, Cufa së bashku me familjen ndodhej në Libi, ku kishte shkuar për të punuar. Edhe vëllai i vogël, Limi, ishte martuar, por ndodhej në Zagreb të Kroacisë. Motra e vetme, Rija ishte e martuar dhe kishte dy fëmijë. Ajo, me familjen e saj jetonte në Prishtinë….

Po ai podrum, por ata shtretër druri për anash, të mbuluar me batanije mbi sfungjerin e hollë, qysh prej vitit 1981. Tutje, një televizor i vjetër dhe një radio. Përballë derës së bodrumit,  si gjithnjë, ndodhej  shporeti, i cili përdorej, në verë dhe në dimër. Në të djathtë, kah dritarja e vogël një portret i Skënderbeut. Në Këndin tjetër një kornizë me portretin e Naim Frashrit, dhe një tablo, “Nëna përkund djepin”. Asgjë nuk kishte ndërruar…

Nuk ishte më frika e kohës së arratisë, por as ngazëllimi i viteve të mëparshme. Në mend i silleshin kujtimet e shumta të së kaluarës, bezdia  për çastet e kthimit dhe droja për të ardhmen. E tillë ishte jeta: “Pendim për të kaluarën, bezdi për të tanishmen dhe frikë për të ardhmen e panjohur”. Vitet kishin kaluar. Eknati, i vërente të gjitha me një brengë të thellë në shpirtin e tij të ndjeshëm, por nuk jepej. Duhej të tregohej i fortë, në mos për tjetër, për hir të fëmijëve, për t’ ua ruajtur dinjitetin, por edhe dashurinë atërore.

                                                         ***

Në dokumentin zyrtar të burgut të Novi Sadit, me rastin e lirimit, shkruante se i porsaliruari duhej të paraqitej në SPB-në më atë afërt,  sapo të arrinte në shtëpi. Pas dy ditë qëndrimi në familje, Eknati paraqitet në SPB, në Fortesë. E dinte se po të mos shkonte, policët do ta arrestonin. Qysh ditën e parë të kthimit, në Qytezë, e kishte parë Has Milici. Ai mezi priste, që me apo pa urdhër të milicisë ta arrestonte me akuzë se kishte thyer ligjin për moslajmërim në SPB.

Godina e UDB-së, në Fortesë, ku kishte shkuar së bashku me Manin, vëllanë e tij, ishte një ngrehinë  e madhe disa katërshe, të cilën po e shihte për herë të parë.

Qe lajmëruar në sportelin e parë duke i zgjatur letër-lirimin nga burgu një gruaje trashaluqe, e cila i kishte thënë  të priste te dera. Ndihej i bezdisur. E dinte se paraqitja nuk ishte vetëm  një formalitet i rëndomtë. Ndiente një shtangim momental të frymëmarrjes dhe një bezdi, ashtu sikur në kohën e arratisë, shtatë vjet më parë.

Pas pak, zyrtarja e sportelit i thotë të lajmërohej në katin e katërt duke i treguar edhe numrin e zyrës, ku duhej të paraqitej.

Inspektori, një burrë rreth të tridhjetave, apo ndoshta më i moshuar, e kishte pritur me mendjemadhësinë e robit, i cili bën përpjekje  të tregohet i gjithëpushtetshëm. Ai nuk i kishte tregaur emrin. Eknati e dinte se aty punonte Adgogu, Muhgagi, Nez-Sheri, Dem-Meri dhe inspektorë të tjerë, që i njihte dhe e njihnin, të cilët edhe e kishin arrestuar disa herë, madje  edhe e kishin torturuar.

-Ulu atje, i thotë, meqë Eknati po qëndronte këmbë, te dera. Ulet duke u munduar të sillte ndërmend se ku e kishte parë atë njeri.

-Si ke kaluar gjatë këtyre viteve, i drejtohet inspektori duke e shikuar ngultas dhe duke ndezur shkujdesur një cigare.

– Si në burg.

– Si kalohet në burg, mirë apo keq?

– Zakonisht keq.

– Disa kalojnë mirë dhe nuk ankohen për trajtimin. Unë i njoh të gjithë, sepse sapo të lirohen, duhet të paraqiten këtu… Por ti, po dukesh i lodhur, qenke dobësuar shumë…

Eknati nuk kishte folur. Sërish ishte munduar të saktësonte ku e kishte parë atë njeri, i cili e shikonte jo vetëm ngultas, por edhe përçmueshëm, në mënyrë cinike.

-Tani që je liruar, çka do të bësh, me se do të merresh?

-Nuk e di.

-Ke ndonjë plan, ndonjë ide?.

-Nuk kam plan, as ide.

-Nga përgjigjet dukesh shumë i nevrikosur, madje edhe refuzues.

-Në burg më kanë mësuar të përgjigjem shkurt dhe qartë.

-Ashtu, apo? – i thotë duke tymosur cigaren dhe duke u shtrirë thellë në kolltukun e kadifesë me ngjyrë të kaltër.

Ai po e vështronte, ashtu sikur e shikon xhelati viktimën.  Ishte mësuar me vështrime të tilla përbuzëse e kërcënuese dhe nuk i bënin gjithaq përshtypje, edhe pse e dinte nga përvoja se qëndrimi i tillë, i mbyllur,  në shumë raste i kishte sjellë dhe mund t’i sillte pasoja. Ndiente se inspektori po bluante diçka në mendje, por nuk parandiente se do ta provokonte.

– Po shihet  se nuk je i disponuar, andaj edhe po e përfundojmë. Mbase nuk ka nevojë të të përkujtoj si duhet të sillesh tani e tutje, i thotë pas pak.

– Nuk po e kuptoj, si u dashka të sillem, tani që kam kryer dënimin dhe sipas ligjeve, që përfaqësoni ju si shoqëri, duhet t’i gëzoj ato, që ju i quani të drejta qytetare.

– Ti ke abuzuar me të drejtat qytetare. Ke propaganduar shkatërrimin e Jugosllavisë, e cila tash është shumë më e fortë sesa ishte atëherë. Andaj edhe të kanë porositur të paraqitesh këtu dhe unë po  të tregoj se ne jemi të fortë, madje shumë të fortë…

Eknati nuk dëshironte ta zgjaste.

Inspektori i kishte bërë  me shenjë se mund të largohej.

Në kohën kur po bëhej gati të dilte, dera ishte hapur papritmas dhe ishte futur  një inspektor tjetër,  i zeshkët me vetulla të trasha, tipike, të racës  dinarike dhe me flokë shumë  të dendur. Eknati e kishte njohur. Disa vjet më parë kishin punuar së bashku në Gjimnazin e Fortesës. Ishte Misha.

–  Jel’ ga poznajesh? E kishte pyetur inspektori të sapoardhurin, në gjuhën serbe.

– Ne, ne verujem, – thotë i duke e shikuar dhe duke rrudhur krahët.

– Me sa di unë keni punuar dy vjet në të njëjtin kolektiv, ndoshta para 10 vitesh.

– Është e mundshme… po cili je ti iu drejtua Eknatit, duke shikuar paksa hutueshëm. Eknati kishte shqiptuar emrin e mbiemrin e tij.

-“Jao, covece, kako si se izmenio”.

–  Po, si je bre, – ia kthen në gjuhën  shqipe dhe ia zgjat dorën.

Eknati ia kishte dhënë dorën ftohtë,  duk mos treguar interesim se po shiheshin pas 10 vitesh me kolegun e dikurshëm të punës.

-Çka të bësh, kështu e ka kjo jetë, gabojnë njerëzit…, por mirë që je liruar, edhe pse ta them të drejtën qenke dobësuar shumë….

Nuk ishte përgjigjur, as  ishte përshëndetur, por derën e kishte mbyllur me kujdes.

                                                     ***

Në ditët e para të kthimit shkonin  të njohurit për ta vizituar. Disa ditën, disa të tjerë, pasi errësohej. Disa hynin e dilnin tinëz, meqë Has Milici kishte porositur ca nga gjitonët e Eknatit, që të shënonin emrat e mbiemrat e të gjithë atyre, që shkonin për ta vizituar dhe pastaj ta lajmëronin SUP-in, në Fortesë.

Vajtje-ardhjet iu bënë të padurueshme, pasi  prej atyre që vinin kishte edhe të tillë, të cilët përgjonin dhe mundoheshin të nxirrnin fjalë, se i kishte ndërruar bindjet i kthyeri nga burgu, apo kishte mbetur i njëjtë. Po kishte edhe mjaft të tillë, që shkonin  me dëshirën dhe qëllimin më të mirë për ta parë dhe për t’ u çmallur.

Një ditë, dy javë pas kthimit, në kohën kur po lexonte një libër në odën e pritjes, ku rrinte për të kontaktuar me njerëzit, që vinin për ta parë, futet fare pa trokitur në derë,  një plak, të cilin nuk e njihte.

-A je ti ai burgaxhia, i drejtohet plaku me trup mesatar, me një vështrim të çiltër dhe me ecje të sigurt, për moshën. Kishte dy sy të shndritshëm. Nuk ia përcaktonte dot moshën. Në kokë mbante një plis të bardhë dhe kishte veshur  një xhybe të gjatë, të hollë e të vjetër.

-Po, unë jam kthyer nga burgu, hajde urdhëro, i thotë.

Ende pa u ulur, as pa i folur ato fjalët e zakonshme, plaku, nga i cili kishte mësuar  se quhej, mulla Ramë Govori, vazhdon bisedën e tij.

-Më vjen mirë që po t’ shoh gjallë, por edhe të pathyeshëm, e cyt bisedën duke e shikuar ngultas në sy, sikur për të vërtetuar se vërtet ishte kthyer i pathyeshëm, apo vetëm shtirej.

-Nuk e di a jam apo jo i pathyeshëm. Nuk po më shkruan në ballë, ia kthen Eknati me qesëndi, duke kuptuar se kishte të bënte me një plak hokatar.

-Pikërisht në ballë po të shkruan. I njoh mirë burgaxhitë. 15 vjet kam mbajtur edhe vetë nëpër burgjet e Serbisë dhe qe, ende jam gjallë, vetëm sepse nuk jam thyer. Po t’ isha thyer, do të kisha tretur dhe nuk do të kishe pasur rast të më kishe njohur. Adem Demaçin, qe 25 vjet po e mbajnë për ta thyer, por nuk po arrijnë. Qe besa meqë jemi vetë po të them se Ademi dhe të gjithë ne po e thyejmë  me themel. Njeriu nganjëherë bëhet i fortë edhe nga inati, madje më duket se shumica e njerëzve tanë vetëm nga inati mbijetojnë.

Ndërkohë futet në odë, bija e madhe e Eknatit,  Antiga, e cila mbante në dorë një tabaka me një kafe dhe një gotë ujë, të cilën e kishte përgatitur bashkëshortja e Eknatit, Rija dhe e kishte dërguar pas bijës për të sapoardhurin.

-Si të quajnë oj bijë, e pyet plaku.

-Antiga i tregon emrin.

-A je gëzuar për babanë?

-Po shumë…

-Po babi nuk të ka sjellë asgjë, as fustan, as këpucë, as para, çka të duhet një baba i tillë? Konstatimi diskret dhe i vrazhdë e kishte turbulluar Antigën, e cila qe zënë ngushtë. Ajo shikonte hutueshëm duke buzëqeshur, shenjë kjo se kishte kuptuar shakanë e plakut. Në kohën kur ajo po largohej, në odë hyn babai i Eknatit, Zani. Ai përshëndetet me mullain, me të cilën kishte kohë që njiheshin.

-Të erdhi ky hajrsuzi, apo? – i drejtohet ende pa folur fjalët e rëndomta, që zakonisht  thuhen në takime të tilla.

-Erdh, erdh shëndosh e mirë, ia kthen Zani duke nënqeshur me shakanë e mullait,  e cila duket se nuk  i kishte pëlqyer.

Zani e dinte  se Eknati nuk e kishte njohur më parë plakun shakaxhi dhe  fillon t’i rrëfejë se kush dhe nga ishte, dhe sesi ishte njohur me të.

-Kur i them, “hajrsuz”, ti mos u fyej, sepse unë jam dy herë më hajrsuz se ky. Ka 30 vjet që jam kthyer prej burgu dhe askush nuk ma ka pa hajrin. Erdha ta shoh mos është thyer, mos e ka lakuar rrugën. Unë shkoj dhe i vizitoj të gjithë burgaxhitë. Disa kthehen të thyer,  e ky po më duket po qëndron, edhe pse paska harruar të flasë.

-Nuk flet shumë,  ia kthen Zani, në kohën kur kishte bërë gati legenin dhe po përgatitej për të marrë avdes.

Me mbajtun shumë vjet në burg e mos me folë, njeriu del i shkalluem. Të gjithë burgaxhitë flasin e flasin. Po ndoshta e ka harruar shqipen, ku di unë, ndoshta e kanë mbajtur mbyllur nëpër qeli dhe i kanë folur vetëm shkinisht, cyt më tej thumbimet mulla Rama, i disponuar për bisedë.

-Çka të flas me dy pleq si ju, një, dy, e turr te legeni për të marrë avdes.

-Ju marksistë-leninistët veç një t’ metë e të madhe e keni, ama,  kah feja nuk lageni hiq.

-E po çka nxorët në dritë ju me fe e me t’u lutur ditë e natë? – cyt më tej bisedën Eknati.

-Të paktën kemi besim, sepse punët e mëdha vetëm Allahu i ka në dorë. Ka qenë dikur moti Roma, pastaj Bizanti, mandej erdhi sllavi, mandej Turku, prapë sllavi, Italja, Gjermani, Tita, dhe të gjitha shkuan. Këto punë i ka në dorë vetëm Zoti. Ai është i përjetshëm, ne jemi kalimtarë nëpër këtë botë.

-Po, pse e paska shkruar  Zoti që fukaraja dhe i pa krahu gjithnjë të vuajnë, që i vogli gjithnjë të shtypet, që i paudhi të fitojë?

-Zoti i lejon të gjitha me masë, por të gjitha i vendos në vend të vet dhe në kohë të vet. Ai ka fuqinë e mbinatyrshme dhe gjithçka ndodhet në botë, gjithçka ka në botë dhe në gjithësi i drejton vetëm Allahu, i qofshim falë.

-Mirë, mulla Ramë, po besojmë se është ashtu, thotë Eknat Malmiri dhe vazhdon bisedën derisa ai së bashku ma babanë e tij Zanin po bëheshin gati ta falnin namazin e Iqindisë.

– Kujt i bëre keq ti që të dënuan 20 vjet burg dhe vuajte të zitë e ullirit. Njeri s’ ke vrarë, nuk ke vjedhë, por ke kërkuar, që shqiptarët të jetojnë bashkë në një shtet, sikur të gjitha kombet, që jetojnë në shtetet e tyre.

-As unë, as ti nuk i kemi bërë keq askujt, mor bir, por ndoshta të parët tanë kanë bërë keq dhe tash Zoti po na kthen neve ndëshkimin, neve pasardhësve, ashtu sikur nesër do ta derdh zemërimin mbi këta, të cilët  po na shtypin sot.

Mulla Rama dhe Zan Malmiri kishin filluar të faleshin. Eknati kishte mbetur anash. Ai qysh moti kishte lënë anash punën e namazit dhe të obligimeve të tjera fetare, edhe pse kishte kryer 7 vjet mësime në medrese.

Nuk e duronte dot fshehjen prapa maskës së fesë të shumë atyre që hiqeshin si besimtarë, mirëpo kishte nderim për ata që fenë e pranonin me shpirt dhe iu përmbaheshin rregullave e dispozitave fetar, sikur ishte babai i tij,  Zani, i cili gjatë tërë jetës së tij nuk kishte lënë as edhe një namaz pa falur dhe pa i kryer të gjitha detyrat e obligimet fetare, por nuk kishte lënë as një  njeriu pa i ndihmuar, kur iu kishte dhënë mundësia.

Pasi falën namazin, mulla Rama gjithnjë i disponuar dhe i gatshëm për të trajtuar tema të ndryshme iu kishte drejtuar Eknatit, i cili rrinte ulur në një qoshe të odës së madhe dhe të pamobiluar. Ishte ajo kthina ku kishte jetuar vëllai i tij Cufa, i cili gjendej me punë në Libi së bashku me gruan dhe tre fëmijët. Ndërkohë pritej të kthehej, meqë puna nuk i shkonte mbarë dhe nuk po mund të adaptohej në klimën e atjeshme.

Mulla Rama tregonte se kishte takuar në autobus, një banor të Qytezës, të cilit fillimisht  nuk ia kishte përmendur emrin dhe nga i cili kishte dëgjuar fjalë të këqija për Eknatin.

-Dhe çka tha, pyet Zani i zemëruar, duke marrë me mend se mullai kishte takuar ndonjë nga hafijet e regjimit.

-Tha se Eknati nuk ka qenë në burg për politikë, po për do punë të tjera të liga. Ndërsa kur insistova se kush kishte përhapë fjalë të tilla, ai ma ktheu.

-E dinë të gjithë, po ai e ka rrethin me të njohur dhe ia kanë mbuluar të zezat. Eknati ishte bërë sy e vesh. Nuk besonte se mulla Rama kishte kurdisur një rreng  të tillë, sa për bisedë.

Zan Malmiri e kishte  pyetur si dukej personi, çfarë moshe kishte, çfarë pamje, sa vjet mund të kishte e të tjera. Ai iu kishte  përgjigjur shkurt.

-Më tha se e quajnë Baser, ishte nga Qyteza.

-E njohim atë pleh. Ai në kohën kur ishte Eknati në arrati së bashku me Has Milicin e kanë gjurmuar se ku fshihej, ku rrinte…

Eknatit i kishte bërë përshtypje të keqe përhapja e gënjeshtrave të tilla, të cilat edhe pse s’ kishin të bënin fare me të vërtetën, krijonin huti te njerëzit. Ishte kjo vepër e hafijeve të regjimit, të cilët kurdisnin çdo të ligë prapa shpine, me qëllim që të ulej autoriteti i atyre që po ktheheshin nga burgjet dhe të cilët nuk po i ndërronin bindjet.  Ata, sipas UDB-së duhej të konsideroheshin si njerëz të thyer, me të kaluar të dyshimtë morale, me prejardhje të keqe familjare…

-Kur dola nga burgu, një bashkëfshatar, të cilin nuk e kisha parë afër 17 vjet, më ndaloi një ditë në rrugë dhe filloi të më përbejë në Allah që t’ i tregoja drejt se për çka më kishin dënuar 20 vjet burg. I tregova shkurtimisht, ndërkohë që ai pranoi me keqardhje se nga të afërmit e mi kishte dëgjuar se mbahesha në burg për shkak se kisha bërë tregti me dukat dhe kisha vjedhë një qyp me lira, kishte thënë mulla Rama, ndoshta duke improvizuar rrëfimin, për ta ulur efektin e keq që mund të kishte bërë me rastin e rrëfimit.

-Nuk mbushet mend ky popull i mjerë, thotë Zani, duke shfryrë inatin kundër hafijes me damkë, por edhe shumë të tjerëve, disa nga të cilët edhe i njihte mirë.

-Nuk pres lavde nga bashkëpunëtorët e regjimit. Edhe gjatë kohës sa kam qëndruar në burg jam ballafaquar me thashetheme të tilla, të cilat edhe atje i kanë përhapur, ata që pendoheshin, ata që pranonin të denonconin, me qëllim për t’ua zbritur dënimin, apo me qëllime të tjera.

-Po megjithatë nuk mund të jesh indiferentë kur godasin kështu prapa shpine, thotë mulla Rama, i cili tashmë ishte mbështetur dhe sytë kishin filluar t’ i zvogëloheshin. Ishte koha e gjumit të pasdrekes dhe pa vonuar kishte filluar  të gërhasë lehtas….

Në orët e mbrëmjes oda ishte mbushur me të afërmit që kishin shkuar për ta parë Eknatin, që sapo ishte liruar nga burgu. Nuk e kishin parë shtatë vjet. Në mesin e tyre ishte edhe daja i tij, Musta, i cili kishte ardhur për herë të dytë. Edhe ai kishte qenë disa herë në burg dhe ishte rrëfimtar shumë i zoti.  Kur e merrte fjalën fliste aq shumë sa nuk i lente shteg askujt për të folur, por me Mulla Ramën i kishte ngecur, sepse ai përveç se ishte burgaxhiu me stazhin më të madh, ishte edhe hoxhë dhe e shfrytëzonte pozitën për të mos lejuar  të dëgjonte injorantët e llafazanët, që dërdëllisnin tërë natën dhe ia humbin fillin “muhabetit”.

Pas darkës oda ishte mbushur përplot. Zan Malmiri, babai i Eknatit kishte shtruar një darkë të begatshme. Oda, edhe pse e madhe mezi i nxinte të pranishmit, shumica prej të cilëve ishin ulur këmbëkryq dhe rrufisnin çajin e rusit nëpër gotat që u kishin vënë para. Eknatit iu kishin skuqur sytë nga tymi i duhanit. Armiku më i madh i burgut nuk po i shqitej as tani që ishte liruar dhe ndodhej në shtëpinë e tij.

Sapo në odë kishte rënë një qetësi momentale fjalën e kishte marrë, Musta, i cili nuk përdorte shkrepëse për cigaret i “saldonte” njërën me tjetrën dhe  kur fillonte rrëfimin s’ kishte të ndalur.

– Kam dëgjuar se De Golli i Francës, gjatë luftës në Algjer, kishte porositur njerëzit e vet, që kur të kryenin burgun ata, që kishin mbajtur shumë vite, njerëzit e zbulimit të shkonin nëpër shtëpitë e algjerianëve dhe të hulumtonin si i prisnin ata. Pas një kohe shumë prej tyre kishin paraqitur raportet dhe kishin konstatuar se ata priteshin me shumë respekt, që të gjithë pa dallim, të rinj apo të moshuar. Kur të liruarit nga burgu hynin në dhomë, të gjithë ngiheshin në këmbë. Askush nuk fliste para tyre. Të gjithë përshëndeteshin për dore e disa edhe përqafoheshin mes veti…

– Paskan zakonin tonë, ndërhyn njëri nga të pranishmit, ndërsa Mulla Rama i cili e dinte se ku po donte të dilte Musta ia kishte prerë shkurt:

– Rri tash, le ta kryejë ky e mandej…

– Po, po veç thashë…

– Kurrgjë nuk the po trus aty, ishte dëgjuar në zë tjetër nga prapa.

– De Golli kishte mbledhë oficerët, politikanët dhe u kishte thënë, se respekti që po tregonte populli i Algjerit për ata që po kthehen nga burgjet, në jep të kuptojmë se ka ardhur  vakti të tërhiqemi. Ata janë lidhë njëri me tjetrin, po e duan dhe po e respektojnë njëri tjetrin,  dhe ka ardhur koha e tyre…

Disa prej të pranishmëve nuk e kishin kuptuar se ku donte të dilte Musta me rrëfimin e tij ndërsa, një shok i Eknatit me të cilin kishin punuar bashkë dhe kishte shkuar për ta vizituar, kishte falënderuar parafolësin.

 – Fole me vend ti daja i Eknatit. Ke qitë në shenj qe besa. Po nga kjo që the, dhe nga biseda që po bëjmë këtu, del se ne jemi ende larg….

–  Besa nëse presim që Milloshi ta kuptojë që kemi të drejtë, do të shkojnë vjet të tëra.

–  Nuk është fjala të Milloshi or ti. A qohesh ti në këmbë nëse tash vjen një i burgosur këtu, edhe pse këtu jemi tre.

– Qohem nëse është më i vjetër e nëse është jabanxhi, nëse është më i ri nuk “e luaj” hiq, kishte thënë dhe kishte ndërruar këmbët e lodhura nga këmbë kryqi. Shumica e të pranishmëve kishin qeshur por edhe e kishin aprovuar  gjykimin babaxhan të Has Hiqit.

– Qe pra, të këtillë jemi ne. Neve as Zoti nuk na ndihmon, sepse edhe respektin për të e kemi sa për sy e faqe, jo më për njëri-tjetrin. Sot kur erdha këtu takova në autobus takova  njëfarë, Basër e quanin, e njihte Zani, e njihni edhe ju.  Ai tha se Eknati nuk ka qenë në burg për politikë, por për punë të liga…  Qe deri ku shkon urrejtja, smira, përçarja dhe deri ku ka rritur të depërtojë regjimi në radhët tona. Larg Algjerit jemi ne.

– Qe besa, këtu te ne, kur rastis të hyjë në odë apo në ndonjë lokal, ndonjëri që dihet apo njihet se ka qenë në burg,  që po i thonë për politikë, disa qohen menjëherë dhe ikin pa u përshëndetur fare, konstaton Mal Hysi, një mik i shtëpisë. Prapë një pjesë e të pranishmëve kishin qeshur, mbase pa të keq po kjo i kishte lënë përshtypje të keqe Eknatit.

– Fol Eknat, a pajtohesh me këtë që tha daja yt? iu kishte drejtuar Mulla Rama.

– Nuk më takon të flas, por sa për ata që përhapin fjalë e gënjeshtra të tilla, kjo është njëra nga punët e vetë atyre, sepse duan ta mbulojnë hafijellëkun dhe nuk më bën përshtypje kush çka flet parapa shpine. Me qëllim për ta zhvendosur bisedën meqë ishte i sigurt se në atë mes kishte të paktën dy të porositur për të përgjuar, Eknati kishte marrë një shembull nga rrëfimet e humorit.

 Daja mori një shembull të mirë dhe unë po e tregoj një nga ato mahitë e Mulla Sherifit të Konzharikës.

– Kishte qenë një hafije i lig në ato anë, njëfarë, Hasan Qeli dhe s’ kishte lënë kënd pa e spiunuar. Shante Zotin, shante fenë dhe dikush e kishte pyetur hoxhën se a do ta lante trupin e atij, dhe a do t ia falte xhenazen në rast se vdiste. Hoxha kishte thënë se nuk do ta lante, sepse komunistët nuk i varrosin të vetët me ritet fetare. Ndien Haso Qeli dhe e thërrasin hoxhën në UDB.

– A ke thanë se nuk i lanë komunistët kur të vdesin, iu kishte drejtuar Zhiviki i UDB-së.

– Nuk kam thënë! – mohon hoxha,

– Jemi të sigurt se ke thanë, pse nuk po e pranon?

– Nëse jeni të sigurt, futja në ballë allti këtij  Hasan Qelit, shtrije për tokë e mandej këqyre e laj apo nuk e laj.

Të gjithë në odë kishin qeshur.  Mulla Rama,  Musta e ndonjë tjetër e kishin kuptuar qëllimin e Eknanit, për ta zhvendosur temën e bisedës. Kosova ishte larg nga Algjeria, jo vetëm me kilometra, por edhe Beogradi ishte shumë larg nga Parisi, po ashtu jo vetëm me kilometra.

(Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Arif Vladi

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit, – këngëtari emblematik, Arif Vladi

Hyrje Këngëtari, i  përmasave kombëtare me origjinë nga Lura e Dibrës, Arif Vladi radhitet në …