Doli nga shtypi libri: "Ahmet Arifi me bashkëluftëtarë të NDSH-së", i autorit, Skënder Haliti

Doli nga shtypi libri: “Ahmet Arifi me bashkëluftëtarë të NDSH-së”, i autorit, Skënder Haliti

Libri i veprimtarit dhe të burgosurit politik, Skënder Haliti, është përpjekja e parë e tij në hulumtimin dhe gjurmimin e jetës dhe veprave të luftëtarëve NDSH-së, në rrethet e Ferizajt, Kaçanikut dhe të Anamoravës. Libri publicistik, “Ahmet Arifi me bashkëluftëtarë të  NDSH-së”, pasqyron fakte e dokumente, proces-verbale të hetuesisë së OZN-së, aktgjykime dhe aktvendime gjyqësore, të dhëna të dëshmitarëve, të cilat autori për disa vjet  rresht i ka gjurmuar, i ka gjetur nëpër arkiva,  i ka përkthyer nga gjuha serbe, në gjuhën shqipe, pastaj  i ka sistemuar në librin e tij. Libri ka 134 faqe, botoi Radio-Kosova e Lirë, shtypi “Shkrola”, në Prishtinë.

Duke pasur në fokus të interesimit, sidomos jetën dhe veprat e luftëtarit të njohur të kësaj ane, Ahmet Arfi nga Komogllava, veprimtari dhe ish i burgosuri politik, Skënder Haliti,  ka gjurmuar dhe ka zbuluar  mjaft dokumente, të cilat hedhin dritë mbi zhvillimet, dhunën dhe represionin sistematik të regjimit jugosllav në Kosovë, sidomos  në vitet 1945-1947, kur kishte marrë hov fushata kundër luftëtarëve të NDSH-së, të cilët regjimi i etiketonte si ballistë, dhe përkrahës të fashizmit, me qëllim për të justifikuar jo vetëm arrestimin e burgosjen, por edhe shfarosjen e tyre kolektive, duke i dënuar me vdekje- pushkatim dhe shumë syresh duk i vrarë pa gjyq, ose duke i likuiduar në rrethim.

Në atë fushatë kishte pësuar edhe Ahmet Arifi me familjen e tij. Atë e kishin dënuara 20 vjet burg, ndërsa i kishin dënuar edhe katër vëllezërit e tij si dhe qindra bashkëluftëtarë.

Ahmet Arifi ka qenë një luftëtar popullor, që nuk iu kishte nënshtruar regjimit të Mbretërisë-Serbe-Kroate e Sllovene, e cila në mënyrë sistematike prej vitit 1912 e deri në vitin 1941 ishte angazhuar në shfarosjen fizike të shqiptarëve, duke i ekzekutuar pa gjyq, duke i dëbuar nga Kosova për në Turqi, duke u mohuar të drejtat elementare të përdorimit të gjuhës, duke mos lejuar mësimin në gjuhën shqipe, duke sjellë dhjetëra mijëra kolonë serbë e malazezë dhe duke i vendosur në trojet e shqiptarëve. Pikërisht për shkak të këtij represioni fashist, shqiptarët në Kosovë e në viset e pushtuara kishin mbështetur regjimin italo-shqiptar, i cili në prill të vitit 1941 kishte përzënë regjimin serb nga trojet tona  dhe kishte sjellë liri të shprehjes, të shkollimit në gjuhën amtare, administratën në gjuhën shqipe dhe italiane, lejimin e përdorimit të Flamurit kombëtar dhe qarkullimin e lirë të shqiptarëve prej Pazarit të Ri në Sanxhak, në Kosovë, Iliridë  Shqipëri e deri në Çamëri.

Ahmet Arifi ashtu sikur shumica dërrmuese shqiptare kishte mbështetur forcat të cilat i kishin sjellë në Kosovë (e vise të pushtuara shqiptare nga ish Jugosllavia monarkike), “lirinë” që nuk e kishin përjetuar kurrë më parë, andaj lufta kundër asaj qeveria, në atë kohë dhe në ato rrethana historike, kishte qenë e  pakuptimtë.

Partizanët shqiptarë në Kosovë i kishin besuar propagandës së Partisë Komuniste të Jugosllavisë, e cila proklamonte, deri edhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë sipas parimit të Vetëvendosjes, por përnjëherë  pas Luftës që u quajt Nacional Çlirimtare, ajo ndërroi qëndrimin dhe filloi represionin sistematik duke i akuzuar të gjithë shqiptarët si përkrahës të fashizmit dhe duke ushtruar një presion sistematik në zhdukjen kolektive  tyre.

Ku libër, me vërtetësinë e fakteve, pasqyron të kaluarën e rëndë dhe mizoritë që kishte ushtruar regjimi Jugosllav mbi shqiptarët, por edhe kundërvënien e luftëtarëve të NDSH-së, të cilët kishin mbetur maleve, me shpesë se do t’iu ndihmonte Amerika dhe Anglia, por u desh kohë e gjatë që ajo ditë të vinte në mars të vitit 1999, kur NATO-ja filloi bombardimin e makinerisë së krimeve të regjimit të Milosheviqit, i cili më 10 qershor  në Kumanovë nënshkroi kapitullimi dhe u dëbua njëherë e përgjithmonë nga Kosova. (Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …