Doli nga shtypi libri “Monografia e Belles”, e autorit Faton Mehmetaj

Këto ditë doli nga shtypi libri  i radhës “Monografia e Belles”, e autorit Faton Mehmetaj, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Instituti Për Studime Gjeopolitike dhe Siguri”, Prishtinë, 2022. Libri ka 323 faqe, vështrime historike, kulturore, mjaftë dokumente, dhe të dhëna tjera të vlefshme. Është një histori e pa thënë që kap një hark kohor 2000 vjeçar. Këtu janë paraqitur doket dhe zakonet e popullatës së Belles, jetesa, qëndresa, luftërat dhe mbijetesa në këtë truall të lashtë deri në ditët tona. Emri i Belles figuron të jetë i përmendur qysh në kohërat e lashta, fillimisht nga Prekopi i Cezaresë historian që ka jetuar në oborrin e Perandorit Justin Janit, i cili në librin e tij të rëndësishëm “De Difici”-“Mbindërtimet”, ai radhitë aty të gjitha ndërtimet dhe mbindërtimet që i kishte realizuar Perandori Justin Jan në territorin e Dardanisë. Prekopi në këtë listë të fortifikimeve e përmend edhe një fortifikim më emrin Bella, që bëhët fjalë për kalanë e Belles së sotme. Belleja përmendet edhe në Krisobulën e Deçanit 1330, por përmendet edhe nga Sulltan Sylejmani në një dokument turk të vitit 1565. Më vonë Belleja përmendet edhe në një ferman të Sulltan Selimit të Dytë të datës 22 shkurt 1572, i lëshuar me rastin e ankesës së manastireve të Deçanit, Belles, Dostovës, Shën Nikollës dhe manastireve të tjera në kadillukun e Pejës. Belleja është përmendur edhe në shënimet gjeografike (hartat) për territorin e Kosovës të Katib Çelebiut të vitit 1635 si Bella, por edhe në shënimet e konsullit rus Jastrebov 1879, si dhe tek studiuesi dhe udhëpërshkruesi M.S.Milojeviçit gjatë ekspeditave që i bëri në Kosovë gjatë viteve 1871-1877. Më vonë Bellen e përmend edhe studiuesi i njohur Jovan Cvijiçi në vitin 1905. Belleja përmendet edhe në disa shkrime të vitit 1921, por edhe në vitin 1948, si vendbanim me 13 shtëpi e 80 banor.

Emërvendi Belle rrjedh nga latinishtja Bellum-Belle që do të thotë luftë, pra bellagjitë ishin popull luftarak. Trualli i hershëm i bellagjive ishte në Bellene e Poshtme. Banorët e hershëm të Belles, këtu kishin ardhur nga fshati Dakaj i Dukagjinit të Shkodrës. Në Belle ende janë gjurmët e tri kishave të vogla apo kishëzave iliro-shqiptare. Kisha më e hershme është ajo në Bellene e Poshtme, në Shpellën e Madhe, e cila u takon shekujve III-IV të erës sonë. Kisha tjetër, është ajo e Shën Nikollës, e cila gjendët në Bellene e Mesme, u takon shekujve IV-VI të erës sonë. Smajl Demushi i Belles së Epërme plak 75 vjeçar thoshte se, aty m’ka jetue babë e babgjysh, katragjysh e stërgjysh.

Në territorin e Belles gjenden dy kala, njëra gjendet mbi Kerrshin e Kalasë, 3 km mbi Kishën e Deçanit, e cila nga banorët e Deçanit me rrethinë njihej me emrin Kalaja e Madhe, gjurmët e të cilës gjendën aty edhe sot e kësaj dite dhe tjetra gjendet në mes të Belles së Mesme dhe Belles së Epërme e ndertuar në shk.5-6 e.r. Vendi ku gjendet kalaja është i rrethuar me shkëmbinj të lartë, kurse në jug i rrjedhë nën këmbë lumi. Aty pranë kalasë gjendet Kerrshi i Kalasë, që është përdorur për vrojtim. Në periudhat më të hershme banorët e Belles e ruanin territorin e tyre natën dhe ditën. Në rast rreziku, nga rojtarët lëshohej kushtrimi nga Bregu i Varreve në Bellen e Poshtme, te Guri i Sokolit në Belle të Mesme e prej andej te Guri i Çardakut në Belle të Epërme dhe anasjelltas. Bregu i Vorreve, Guri i Sokolit, Guri i Çardakut kanë qenë gurë me shenjë. Është lokalitet i lashtë, arkeologjik, dhe historik në Grykën e Deanit. Fshati përbëhet prej tri lagjeve: Belleja e Poshtme, Belleja e Mesme dhe Belleja e Epërme. Është djegur e plaqkitur gjatë kohërave shumë herë nga pushtuesit e ndryshëm. Nëpër territorin e Belles kalonin disa rrugë të rëndësishme në mesin e tyre edhe Rruga e Prapshtisë që ishin segment i rrugës Via Egnatia përmes së cilës Deçani me fshatra por edhe Belleja lidheshin me Shkodrën dhe vendet shqiptare të bregdetit në Mal të Zi.

Belleja ka bërë tregti me Dubrovnik, Shkodër, Kotorr, Ulqin etj. Është njoftë për tregtimin e mjaltit, djathit, mishit të terur dhe lëkurave. Banorët e Belles kanë marrë pjesë në shumë luftëra nga mesjeta e deri në luftën e fundit të UÇK-së. Në vitin 1913 Belleja digjet dhe banorët e Belles masakrohen duke mos i kursyr as fëmijët dy tri vjeç. Në aktin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor të vitit 1912, kanë marrë pjesë disa personalitete të njohura historike nga Deçani dhe rrethina. Në mesin e tyre pos të tjerëve morën pjesë edhe: Hazir Laha, Hasan Beqiri, Muzli Coli e Smajl Çekaj, të gjith nga Belleja. Në luftën e fundit të UÇK-së, nga Belleja ranë për lirinë që e gëzojmë sot: Sali Beqir Çekaj (1956-1999) nga Broliqi, Ekrem Zekë Lulaj (1981-1998) nga Broliqi, Isuf Shaban Shala (1951-1999) nga Graboci i Pejës, Demë Avdyl Shala (1964-1998) nga Graboci i Pejës dhe Nysret Ali Shala (1958-1999) nga Broliqi të gjith me prejardhje nga Belleja.

Në monografinë e Belles gjëni edhe shumë gjëra të rëndësishme, historike, kulturore, arkeologjike, etnokulturore etj. Shumica e fakteve dhe të dhënave që janë paraqitur në këtë monohrafi janë risi dhe të publikuara për herë të parë.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …