Doli nga shtypi përmbledhja poetike, “Bulbëri mendimesh” e poetit, Bajram Bekteshi

Doli nga shtypi përmbledhja poetike, “Bulbëri mendimesh” e poetit, Bajram Bekteshi

Poeti i mirënjohur, Bajram Bekteshi ka nxjerrë në dritë përmbledhjen e 12-të me poezi, titulluar, “Bulbëri mendimesh”. Bajram Bekteshi është tashmë emër i njohur i rezistencës kombëtare, pjesëmarrës dhe epror i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, ndërsa kohë më parë është pensionuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Përmbledhja poetike, “Bulbëri mendimesh” 106 faqe, botoi Radio-Kosova e Lirë, shtypi,  Shtëpia Botuese, Pena në Prizren.

Poezia e Bajram Bekteshit është një si  burim ujëvare që prore lëviz, derdhet  qetas e rrëmbyeshëm në rrjedhën e vet

Poezia e Bajram Bekteshit është si një burim ujëvare që prore lëviz në rrjedhën e vet me vokacionin e pasur të shtrirjes së bulbërisë në kohë e hapësirë, duke qenë e lidhur ngushtë me fjalën e lirë, me vargun e lirë dhe lirinë e shprehjes, që nuk e kishte dikur, në kohën e jetës nën robëri, por që luftoi për te me bashkëmendimtarët e bashkëveprimtarët.

Kjo është përmbledhja e 12-të e poetit, veprimtarit të lirisë, invalidit e veteranit të luftës së UÇK-së, eprorit të TMK-FSK-së, poetit që bëri bashkë pushkën e fjalën e lirisë, me qëllim për ta perceptuar më pas edhe realitetin e pas luftës në vorbullën e zhvillimeve të papërmbajtura dhe të pakontrolluara të kohës plot me sfida, pengesa, ndeshtrasha shqiptarësh, që shekuj kanë jetuar nga një robëri në tjetrën.

Duke qenë se vetë kjo përmbledhje është sintezë poetike, në reflektimin tim lidhur për këtë rast, nuk do të ndalem në analizën e tekstit, motiveve, frymëzimeve e të tjera,  sikur kam shkruar në disa nga përmbledhjet paraprake, por do të segmentoj disa veçanti krijuese të poetit dhe poezisë së tij përgjithësisht, të cilat janë pjesë integrale e krijimtarisë së tij të deritanishme.

Përmbledhja  e dymbëdhjetë poetike e Bajram Bekteshit, mund të jetë edhe koincidencë e këtij numri hyjnor, por ajo që e dallon këtë përmbledhje nga të tjerat, është krijimi i një simfonie në kuptimin artistik, përmbajtësor dhe  stilistik të krijimtarisë së tij të pasur letrare, është një e arritur që buron edhe nga përvoja e gjatë në krijimtari, që për bazë ka përvojën jetësore të vrojtimit të drejtë të realitetit objektiv.

E kam përcjellë me vëmendje poezinë e Bajram Bekteshit, prej atyre belbëzimeve të para, që janë të rëndomta për çdo krijues e deri tani, kur niveli i perceptimit të shprehjes së tij artistike ka arritur në nivelin e dymbëdhjetë, nëse mund të cilësohet kështu, sa i përket pjekurisë  së krijimtarisë së tij. Ky nivel është prodhim I përkushtimit të pandalshëm e të pandërprerë duke qenë gjithnjë mik me fjalën e urtë por edhe të sertë, sipas kutit e rrethanave.

Kjo përmbledhje poetike, është njëlloj sinteze e angazhimit të tij tridhjetëvjeçar e më shumë, ku ai ka arritur ta përsos stilin e deklamimit poetik, duke shkrirë motivet  njëri në tjetrin, duke

rrugëtuar lirshëm nëpër ecejaket e frymëzimit, të cilat burojnë nga të gjitha anët dhe ai merr nga të gjitha nga pak, sepse vetëm me këtë nivel të pjekurisë artistike arrihet perceptimi shumë i thellë i botës meditative, psikologjike e filozofike.

Poezia si e tillë është univers në vete, sepse ajo i lejon të gjitha mundësitë e shprehje, ndryshe nuk do të ishte poezi, por radhitje mekanike vargjesh, me qëllim për të shprehur një emocion, një shfryrje valvule të ngarkuar me energji, herë pozitive herë negative, që lidhet me disponimin shpirtëror të poetit, qoftë ai momental dhe i shkaktuar një fenomen i rastit, qoftë dukuri e ligë e cila të bezdis dhe nuk të lë të qetë, sidomos kur kundër vlera përpiqet  ta ngulfat vlerën.

Bajram Bekteshi është luftëtar edhe në poezi, andaj edhe krijimtaria e tij artistike nuk ka të sosur, sepse jeta është luftë, pikërisht ashtu sikur thoshte, Dostojevski i madh, “Jeta vdes, atëherë kur pushon lufta” dhe si e tillë, lufta në kushte dhe rrethana të caktuara është vetë jeta, e cila rrjedhë në pjesën e vetë të ekzistencës universale pambarimisht, ndërsa ne jetojmë në çaste tona të lidhur jetë e vdekje përqafuar, sikur shkruan Lasgushi.

Motivi meditativ është dominues në të gjitha përmbledhjet poetike të Bajram Bekteshit  dhe kjo tekefundit është vetë  kredoja e tij krijuese dhe jo vetëm e tij,  por edhe e shumicës së poetëve të afirmuar,  sepse ata kanë imagjinatë të pasur, e cila materializon pasqyrimin subjektiv të realitetit objektiv, të atij realiteti i cili fragmentohet, në pjesë, pasazhe, kreacione, çaste dhe në fund sintetizohet në kumt poezie.

Bajram Bekteshi, tashmë është në mesin e poetëve të afirmuar shqiptarë të kohës sonë. Nuk e përcaktoj dot vendin e tij meritor në letërsinë e sotme bashkëkohore shqiptare, meqë mund të kem edhe një gjykim subjektiv, pasi me Bajramin njihemi ka  më shumë se tridhjetë vjet prej kohës së ilegales e legales atdhetare, duke qenë gjithnjë bashkë në rrugën e vështirë e të mundimshme historike, për të realizuar idealet e luftës për drejtësi, barazi e liri, një pjesë e së cilave edhe janë realizuar.

Në përmbledhjen, “Bulbëri mendimesh”, poeti ka parakaluar në rrugëtimin e tij poetik duke qenë jo vetëm vrojtues i tërë asaj që po na ndodh dhe në të cilën jemi pleksur, por edhe udhërrëfyes, veprimtar, luftëtar, invalid e veteran i luftës, ushtarak dhe epror, te i cili ka zënë vend një epokë e tërë, epoka lavdiplote e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lirinë që ajo i solli kësaj pjese të ndarë dhunshëm e përgjakshëm nga barbaria, me ndihmën edhe të një segmenti demokratik përparimtar të botës, në të cilën po jetojmë. 

Në pasusin  12-të të këtij vështrimi të degëzuar e të shkapërderdhur, me rastin e daljes në dritë të kësaj përmbledhjeje poetike të Bajram Bekteshit, ndihem mirë, madje shumë mirë, sepse  ai ka arritur të bëhet emër meritor i poezisë, po aq sa është emër meritor i luftës sonë për liri, emër i shtet-ndërtimit të Kosovës, emër që kurë nuk do të harrohet, sepse krejt jeta, veprimtaria dhe krijimtaria e tij është vënë në shërbim të kombit e Atdheut, në shërbim të së mirës e kundër së keqes, në shërbim të dritës e kundër territ, në shërbim të njeriut e kundër satanait. (Ahmet Qeriqi)

 

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …