Dr. Bekim Vishaj: URAGANI I LUFTËS ÇLIRIMTARE NË DUKAGJIN

Dr. Bekim Vishaj: URAGANI I LUFTËS ÇLIRIMTARE NË DUKAGJIN

Në vend të përkujtimit: Komandantit, Adem Haxhosaj – Epror i lartë i UÇK-së në ZOD-it dhe epror në FSK

 Me rastin e ndarjes nga jeta të Komandantit, Adem Haxhosaj. Familja Haxhosaj, humbi më të dashurin e vet, Prokollukasit e Vokshjanët humbën një vëlla – një djalë fisi, ne – bashkëluftëtarët – humbëm një shok besnik e trim të luftës, kolegët e punës -humbën një koleg fisnik dhe profesionist, Deçani humbi një qytetar të kulturuar e punëtor, Kosova humbi një njeri që kontribuoj shumë në luftë dhe në paqe.

 

Adem Haxhosaj, (19.06.1967-19.09.2025). Lindi në fshatin Prokolluk të Deçanit në një familje me tradita patriotike, të cilët ishin në shërbim të atdheut brez pas brezi. Djalë i babë Rrustemit dhe nënës Tushë, vëlla i 3 vëllezërve dhe 4 motrave.

Shkollën fillore e kreu në Irzniq, të mesmen në Deçan, përfundoj fakultetin – dega e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës.

Babai i Ademit, Rrustem (Alia) Haxhosaj, ishte pjesëtar i Organizatës së Ballit Kombëtar bashkë me të vëllanë. Rrugën patriotike të trasuar nga familja e ndoqi edhe Adem Haxhosaj me vëllezërit e tij më të mëdhenj, Aliun, Avdiun dhe mbarë familjen e tyre që prej kohësh njiheshin si kundërshtarë të pushtetit serb. “Kjo familje, e pathyeshme ndër breza, mbeti e qëndrueshme edhe gjatë luftës së fundit, kur mbi supe bartën barrën e dyluftimit në shumë beteja. As plagët e rënda nuk i larguan nga fronti. Kujtesa jonë historike mban vulën e Komandant Ademit dhe Prof. Aliut (cituar: Daut Haradinaj).

Jeta e Ademit, dhe kontributi i tij patriotik e atdhetar, mund të ndahen në tri periudha të rëndësishme të jetës së tij, gjithmonë në shërbim të vendit dhe popullit tonë. Periudha para luftës (vitet 80 dhe 90-ta), periudha gjatë Luftës Çlirimtare 1998-1999 dhe periudha e tretë pas luftës (shtet ndërtimi i Kosovës).

-Periudha para luftës, Ademi si i ri, si nxënës dhe student, asnjëherë nuk pajtohej më gjendjen që ishte në Kosovën e atyre viteve. Ishte pjesëmarrës dhe organizator në protestat e demonstratat e kohës në Kosovë. Kishte rol të rëndësishëm në këto ngjarje dhe lëvizje popullore. Për aktivitetin e tij dhe të familjes, disa herë ishte arrestuar nga forcat serbe por gjithmonë qëndroi i papërkulur.

Aktivist me një kontribut të veçantë në lëvizjet atdhetare gjatë viteve 80 –ta dhe 90-ta.

-Periudha e luftës Çlirimtare – 1998-1999. Luftëtar i orëve të para të luftës së UÇK-së në Dukagjin, e udhëhequr me shumë sukses nga komandanti i saj, Ramush Haradinaj.

Ademi, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte angazhuar qe nga 15 korriku i vitit 1997.

Me luftën e Jasharajve në Prekazin e Drenicës me 5, 6 dhe 7 mars 1998, Ademi tashmë ishte edhe më i vendosur se duhej luftuar me çdo çmim për lirinë e Kosovës.

Fillimi i luftës në Dukagjin, 24 marsi i vitit 1998 dhe sulmi i forcave serbe mbi familjen Haradinaj në Gllogjan, atë, e gjen të përgatitur për luftë, që nga ajo ditë ai ishte aktiv në terren, do zgjerohej dhe obligohej në kryerjen e shumë detyrave tjera të kohës. Në fshatin e tij të lindjes në Prokolluk angazhohet në shërbim të UÇK-së me gjithë familjen e tij. Vëllau, Ali Haxhosaj, tashmë ishte emër i rëndësishëm në organizimet e paraluftës në këtë rajon dhe me gjerë. Ademi, së bashku me vëllezërit, më gjithë familjen e tyre, marrin detyra të rëndësishme në shërbim të luftës.

Gjatë luftës, në vitet 1998-99, shërbeu me sukses po thuajse në tërë Zonën Operative te Dukagjinit, Në Prokolluk e Rostovicë, në Prejlep e Carrabreg, në Gllogjan e Pozhar, Dashinoc e Jabllanicë, në Gërgoc e Lumbardh, në Maznikë e Ratishë, aty ku e kërkonte lufta dhe shokët, aty ishte Ademi.

Adem Haxhosaj, kishte marrë pjesë në ditën e parë kur ishte sulmuar Carrabregu i Epërm, dt. 29 maj 1998, në këtë betejë, gjatë luftimeve nga granatimet i ishte vrarë vajza e motrës, Teuta Loshaj 21 vjeçare, si dhe ishte plagosur rëndë motra e tij, Hatmanja (kujton bashkëluftëtari i tij, Jashar Dobraj).

Ademi disa herë ka shkuar në Shqipëri për furnizim me armatim. Një kohë kishte qëndruar atje me detyra organizative për ti përforcuar vijat e furnizimit me armatim. Së bashku me shokët tjerë  bënë organizimin e disa grupeve, të cilat hynë me sukses në Kosovë (kujton bashkëluftëtari i tij, Faton Mehmetaj).

Ademi, hyn në Kosovë në tetor të vitit 1998, me grupin e luftëtarëve të Smolicës dhe vendoset në Jabllanicë të Dushkajës. Pas një kohe kalon në Brig. 131 “Jusuf Gërvalla” në Ratish të Deçanit, ai emërohet Komandant i Batalionit të I-rë në kuadër të brigadës.

Ademi, ishte Komandant i vijave të frontit dhe njëri prej luftëtarëve më të spikatur të Zonës së Dukagjinit. Nuk kishte front-vijë frontale të luftës kur UÇK përballej me forcat serbe e që aty nuk ishte Adem Haxhosaj.

Ademi, gjatë kohës së lirë, jashtë angazhimeve direkte në vijat e frontit, punonte nate e ditë me ushtarë të rinj, i përgatiste për luftë, i trajnonte dhe i motivonte ata. E donin dhe vlerësonin të gjithë. Gjatë luftës, bashkëluftëtarët Ademit i kishin vënë nofkën “Komandant Daja”.

Si, Komandant Batalioni në Brigadën Heroike 131 “Jusuf Gërvalla”, nën drejtimin e komandantit Daut Haradinaj së bashku me shokë, ka zhvilluar shumë beteja të rëndësishme në luftën çlirimtare kundër armikut serb, ka mbijetuar beteja të përgjakshme e heroike, pa u trembur kurrë…, dhe pa humbur asnjë betejë.

Batalioni i Ademit (Batalioni i I-rë i brig. 131 “Jusuf Gërvalla” në ZOD) ishte një ndër njësitet ushtarake më të rëndësishme gjatë luftës në Zonën Operative të Dukagjinit dhe me gjerë. Njësit mirë i organizuar, i disiplinuar, funksional dhe i suksesshëm në luftën e shenjtë për liri. Ky njësit, vendit i kishte dhënë shumë luftëtarë – emra të mëdhenj të luftës së UÇK-së në Dukagjin.

Në luftimet me forcat armike disa herë u plagos për vdekje, por shpëtoj, u shërua dhe vazhdoi luftën për liri.

Ai ishte simbol i trimërisë në Dukagjin, fuqi e shumë betejave dhe frymëzim për të gjithë ata që e njihnin dhe e kishin afër në luftë. Mbetët simbol i pavdekësisë. Udhëheqës – bartës dhe meritor i shumë betejave të lavdishme në Rrafshin e Dukagjinit gjerë. “Në momentet më të vështira, ishte ai që na dha kurajë dhe besim, se fitorja ishte e pashmangshme” (kujtojnë bashkëluftëtarët).

Komandant Ademi, nga Lufta doli me plot merita dhe shumë krenar- veteran i Luftës, me shumë plagë në trup – Invalid i UÇK-së, doli me një bagazh të pashoq dhe përvojë të madhe ushtarake.

-Periudha e tretë, kontributi në shtet ndërtimin e Kosovës.

Vepra e Adem Haxhosajt nuk përfundoi me luftën. Ai nuk u ndal asnjëherë, vazhdoi me përkushtim t’i shërbejë Kosovës si pjesëtar i TMK-së dhe FSK-së – Epror i Lartë me gradën kolonel në Ushtrinë e re të Kosovës. “Ishte bartës i proceseve në ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke kontribuar me përkushtim, profesionalizëm dhe vizion, duke u bërë shembull i punës dhe profesionalizmit, punoj derisa u pensionua me dt. 15.06.2022”. (kujton bashkëluftëtari, Nazim Ademaj – epror në FSK).

 

Karakteri personal dhe trashëgimia

Adem Haxhosaj, ishte njeri i mirë, familjar i mirë, punëtor, atdhetar, luftëtar i zoti dhe  profesionist i madh. Shumë epitete këto që e karakterizonin atë, por, ai me shumë vullnet, punë e sinqeritet i bëri suksesshëm pjesë të jetës dhe karakterit të tij personal.

Kur duam të kujtojmë figurën shumëdimensionale dhe historinë e Ademit, aty në sinonim shohim historinë e popullit tonë.

-Sa herë do kujtojmë përpjekjet dhe luftën e popullit tonë – kujtojmë edhe kontributin e Adem Haxhosaj si atdhetar e ushtar lirie.

Kur kujtojmë Ushtrinë Çlirimtarë të Kosovës  – Ademin e kujtojmë si komandant trim i vijave të frontit, gjithmonë në ballë të luftës. Komandant batalioni, që u shqua për disiplinë, drejtim, trimëri dhe përkushtim.

Kur kujtojmë betejën e Pozharit (mars 1999) – Ademin do ta kujtojmë si komandant të suksesshëm, luftëtar dhe epror vizionar edhe në këtë betejë ku u thyen keq forcat serbe, aty, ku lanë të vrarë mbi 40 policë e ushtarë serbë, e nga radhët e UÇK, heroikisht ranë për të mos vdekur kurrë Elez Geci e Maxhun Berisha, dhe u plagosën disa ushtarë të tjerë të UÇK-së. Kjo betejë – Beteja e Pozharit ishte një ndër fitoret më të mëdha gjatë Luftës Çlirimtare. “Në fundin e marsit 1999, kur Kosova po digjej në të katër anët, bashkëluftëtarët e mi të Zonës Operative të Dukagjinit, thyen keq armikun në Betejën e Pozharit. Kjo betejë u shënua me emrat e heronjve të saj, Elez Geci e Maxhun Berisha”. “Beteja e Pozharit i tregoi armikut vendosmërinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ta vazhduar luftën deri në fitore”. (cituar: Ramush Haradinaj).

-Adem Haxhosaj, do e kujtojmë si bashkëluftëtar i heronjve: Shkëlzen Haradinaj, Enver Dobraj, bacës – Elez Geci, Maxhun Berisha, Fatmir e Luan Nimanaj, Çelë Ukaj, bashkëluftëtar i Beg Rizaj, Bajram Latës e Selmon Kuqit, bashkëluftëtar edhe i shumë dëshmorëve tjerë. Bashkëluftëtar i shumë luftëtarëve – ushtarë të UÇK-së, me të cilët bashkëpunoj edhe pas luftës në shërbim të vendit.

E sot, kur shijojmë lirinë e Kosovës, e ndiejmë mundin dhe gjakun e tij si çlirimtarë i atdheut.

Kur shikojmë gjeneratat e reja të ushtarëve dhe oficerëve tanë – shohim se gjurmët e Adem Haxhosajt ende jetojnë dhe do jetojnë gjithmonë.

Emri i tij është simbol dhe mishërim i përkushtimit, guximit dhe sakrificës për liri. Ai nuk ishte vetëm një ushtar i luftës çlirimtare, ai ishte një strateg, një udhëheqës i pashoq dhe një burrë trim, gjithherë kishte besim të palëkundur se Kosova do të jetë e lirë.

Adem Haxhosaj, pas vetes la gruan – Valbonën, dy djemtë Arbrin dhe Arditin të cilët do të burrërohen me të bëmat e babait të tyre, çlirimtar i atdheut.

 

Përmbyllje

Komandant, “Ndershëm luftove, ndershëm jetove dhe ndershëm punove, për të qenë shembull i patriotizmit dhe humanizmit”. Njeri me një biografi të veçantë – unike, shembull për të tjerët.

Ishe një burrë i madh, një luftëtar i pathyeshëm.

Tani në përjetësi, po ju bashkohesh shokëve – Dëshmorë të luftës që kanë fituar pavdekësinë …!

Përjetësisht mirënjohës për mundin, luftën dhe sakrificat që ke bërë për lirinë tonë.

Lavdi jetës dhe veprës suaj, komandant !

Lavdi dëshmorëve të kombit !

Kontrolloni gjithashtu

Vaso Pasha: Shqyptarë me vëllezër jeni tuj u vra, ndër një qind çeta jeni shpërnda!

Vaso Pashë Shkodrani ( 1825-1892)

Pashko Vasa lindi në vitin 1825 në qytetin e Shkodrës dhe vdiq me 29 qershor …