leoni

Dr. Gurakuç Kuçi: Nga Kaliningradi në Beograd: kordoni i kërcënimit euro-atlantik

Brenda pak ditësh, Rusia provokoi Perëndimin nga veriu deri në juglindje, duke treguar se në dy pikat strategjike – nga Deti i Zi deri në Adriatik – mbështetet mbi dy gurë kyç: Kaliningradin në veri dhe Serbinë në jug.

 

Inteligjenca ruse në ndihmë të konsolidimit të regjimit të Vuçiqit

Më 15 shtator 2025, Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR), përmes agjencisë shtetërore TASS, paralajmëroi se më 1 nëntor Bashkimi Evropian do të organizojë një “Maidan Serb” në Serbi, pikërisht në përvjetorin e tragjedisë së stacionit të trenit në Novi Sad. Ky paralajmërim nuk është rastësor: është një operacion psikologjik tipik rus, që përdor një kombinim të simbolikës (përvjetori tragjik) dhe analogjisë destabilizuese (ngjashmëria me Ukrainën e 2014) për të ndërtuar perceptimin se Perëndimi po planifikon grusht-shtete në hapësirën sllave. Qëllimi: të prodhohet frikë dhe të mobilizohet popullsia rreth regjimit të Vuçiqit, duke e pozicionuar atë si mbrojtës kundër komplotit të huaj.

Në vijim të kësaj narrative, në Serbi janë organizuar sipas mediave pro-qeveritare rreth 140 tubime mobilizuese pro-Vuçiq dhe kundër bllokadave. Këto shërbejnë si infrastrukturë për reagim të kontrolluar: prova gjenerale për të neutralizuar protestat antiqeveritare duke i balancuar me “kundër-protesta” të orkestruara. Vuçiq vetë ka deklaruar se “revolucioni me ngjyra” ka dështuar, duke shpallur jo vetëm fitoren ndaj opozitës, por edhe dështimin e Perëndimit për ta rrëzuar pasi vazhdimisht ka akuzuar këta të fundit si organizator të protestave. Ky diskurs është pjesë e përgatitjes për fitoren e tij politike ndaj çdo lëvizjeje qytetare.

Konsolidimi i pushteti të Vuçiqit nuk kufizohet tek tubimet: ai shtrihet në kontrollin total të sigurisë. Rasti i shkarkimit të Spasoje Vuleviçit, komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ), është shembull kyç. Vuleviç deklaroi publikisht se: “Ministri Ivica Daçiç dhe Drejtori i Policisë Dragan Vasiljeviç e kishin informuar se Presidenti Vuçiq nuk donte të kishte një formacion të armatosur jashtë kontrollit të tij absolut”. Ky veprim tregon se Vuçiq po kujdeset që të zhduket çdo lloj autonomie e aparatit të sigurisë në Serbi, që do të mund të funksiononte kundër tij. Kjo siguron edhe dekurajimin e protestuesve pasi duke e ditur që çdo sektor i sigurisë punon për interesat e Vuçiqit, atëherë ndryshimi i rrethanave ose duhet të eskalojë në luftë civile ose dorëzim. Lufta civile është një iniciativë pothuajse e vështirë pasi për të duhen mjete të posaqme dhe përkrahje nga jashtë.

Vuçiq pas forcimit autoritarist dhe dhënies fund të çdo zëri serioz opozitar do të bëhet i pa alternativë në zgjedhje pasi palnifikon që Serbinë ta dërgojë në zgjedhje presidenciale dhe parlamentare nga mesi apo fundi i vitit të ardhshëm. Potencialisht në politikë përsëri mund ta rikthejë Tomislav Nikoliçin, në stilin Putin-Medvedev.

Pse i duhet Vuçiqi pa alternativë, Rusisë në Serbi

Ky konsolidim e bën Serbinë proxy të pakundërshtueshëm të Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Për BE-në dhe SHBA-në, kjo krijon një regjim pa alternativë të dukëshm: ose pranohet Vuçiqi si partner, ose humbet tërësisht qasja në Serbi. Kjo situatë i imponon Perëndimit interesat e boshtit Vuçiq–Putin dhe e kufizon hapësirën diplomatike. Me gjasë edhe vetë diplomacia e largimit të Serbisë nga orbita e Rusisë do prodhojë vetëm një kalë troje më shumë të Rusisë në rrethin e sigurisë së Perëndimit.

Në të njëjtën periudhë, Rusia ka ndërmarrë provokime me dronë në Poloni, Rumani dhe, sipas dyshimeve, edhe Estoni. Të gjitha janë vende anëtare të NATO-s. Këto veprime, së bashku me paralajmërimin për Serbinë, vendosen përgjatë një linje që përkon me atë që dikur quhej “kordoni sanitar”, nga Baltiku në Adriatik. Për Moskën, kjo është vija e kuqe e negociatave të heshtura: një zonë ku kërkon të mos sfidohet dhe ku lejohet forcimi i saj por jo edhe kalimi. Serbia është pika kyçe e kësaj vije, ku Rusia e përdor plus një partner lokal për të testuar kufijtë e NATO-s.

Një provokim i shtuar në Ballkanin Perëndimor nga Serbia është edhe proklamimi i armës së blerë nga Izraeli, me rreze veprimi deri në 300 km. Ky zhvillim i jep Serbisë kapacitete të reja që ndikojnë jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnjë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, etj.

Kompromisi i pakompromis

Të gjitha këto elemente, paralajmërimi i SVR-së për 1 nëntor, 140 tubimet pro-regjim, shkarkimi i Vuleviçit, plani për rikthimin e Nikoliçit, provokimet me dronë, “kordoni sanitar” dhe arma izraelite 300 km, tregojnë një realitet të ri: Serbia po shndërrohet jo vetëm në një Rusi të vogël, por në një teatër eksperimental të Moskës në Evropë.

Frenimi i Serbisë dhe Rusisë është i domosdoshëm. Strategjia për ta larguar Serbinë nga orbita ruse duhet të ndërtohet me kujdes dhe nuk duhet të bazohet më në qasjen e rrezikshme të “stabiliokracisë” apo të “politikës së paqëtimit”.

Kjo strategji duhet të përfshijë jo vetëm shtetet tradicionale të Ballkanit Perëndimor, por edhe Kroacinë, Slloveninë dhe Bullgarinë, të cilat kanë rol kyç në arkitekturën e sigurisë rajonale.

Nëse kjo qasje mungon, Ballkani Perëndimor rrezikon të shndërrohet në një zgjatim të kordonit kërcënues ndaj sigurisë euroatlantike. Një situatë e tillë jo vetëm që do të konsolidonte ndikimin ruso-serb, por do të hapte gjithashtu hapësira të reja për zgjerimin e Kinës në rajon, duke e bërë krizën shumëplanëshe dhe më të vështirë për t’u menaxhuar.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: LAVDI KONFERENCES SE PEZËS ,QE HODHI THEMELET E PUSHTETIT TE RI POPULLOR!

83 VJET vjer me pare – Konferenca e Parë Nacional- Çlirimtare u mblodh në fshatin …