DR. Sabit Syla: Dokumente diplomatike të Qeverisë shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë VIII

Prof. assoc. dr. Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, ka nxjerrë në dritë librin:

“Dokumente diplomatike të Qeverisë shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”. Në këtë libër ai ka prezantuar materialet autentike të kohës, dokumente të arkivuara, të cilat dëshmojnë qartë e saktësisht të gjitha zhvillimet diplomatike të Shqipërisë në raport me ish-RSFJ dhe shtetet e tjera, lidhur me përkrahjen parimore mbi baza kombëtare, që Tirana zyrtare iu kishte dhënë kërkesave të drejta të shqiptarëve në Jugosllavi, veçmas pas shpërthimit të Demonstratave  e protestave të Marsit e Prillit të vitit 1981. Prezantimi i këtyre dokumenteve origjinale hedh dritë në një segment shumë të rëndësishëm të “Pranverës shqiptare të vitit 1981” kundruar nga regjimi i atëhershëm komunist i Tiranës, një qëndrim vëllazëror e parimor, pa ekuivoke pa stërhollime diplomatike e luhatje politike, te i cili mbante shpresa rinia atdhetare e revolucionare e Kosovës. Shqipëria ishte shteti i vetëm në botë që përkrahu kërkesat e drejta të shqiptarëve në Jugosllavi për formimin e Republikës së Kosovës. Ishte edhe mbështetja e vetme e patriotëve  e revolucionarëve të Kosovës, të cilët luftën e tyre për liri e pavarësi nuk e ndaluan për asnjë çast, deri në çlirimin e Kosovës nga robëria serbe në qershor të vitit 1999 që rezultoi me pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.

III. Qëndrime të opinionit të brendshëm.

Nuk kemi shumë të dhëna të opinionit vendas algjerian. Një punonjëse e zyrës së OKB në Algjeri tha se sado që shkruajnë gazetat e huaja e të shpifin kundër Shqipërisë Socialiste, ato nuk i beson kush. Artikujt e “Zërit të Popullit” u bëjnë një analizë të thellë ngjarjeve në Kosovë dhe problemet shtrohen me gjakftohtësi e argumente. Del qëndrimi shumë i poshtër i jugosllavëve. Vepra e jugosllavëve kundër shqiptarëve ka ngjallur urrejtje kudo.

Ambasada nga ana e vet na njofton se gjatë ditëve që ishte në Algjeri ansambli artistik “Migjeni” shumë njerëz kanë pyetur dhe janë interesuar për ngjarjet në Kosovë. Nga bisedat, thekson ambasada, del se njerëzit kanë dëgjuar artikullin e “Zërit të Popullit” (8 prillit) të transmetuar nga Radio Tirana. Ata shprehen me dashuri e simpati dhe mbështesin qëndrimet tona. Gjatë kohës që shfaqeshin koncertet e ansamblit Migjeni qindra vetë, duke marrë shkas nga vallja e Kosovës dhe ngritja e flamurit, kanë shpërthyer në duartrokitje të fuqishme. Ata në pushimet midis shfaqjes janë afruar tek shokët tanë dhe kanë hapur biseda rreth ngjarjeve në Kosovë.

  1. Qëndrimi i shtypit vendës.

Shtypi algjerian deri tani ka mbajtur heshtje ndaj ngjarjeve në Kosovë dhe materialeve tona. Kjo siç duket për shkaqet që përmendëm më sipër kur folëm për qëndrimin zyrtar.

23 /5 / 1981

Nr. 15

Skedë mbi qëndrimet e vendeve afrikane për ngjarjet në Kosovë

23 maj 1981

Tanzania:

Për qëndrimin zyrtar nuk kemi të dhëna. Duket se qëndrimi i Tanzanisë është neutraliteti. Si vende të paangazhuara dhe për shkak të lidhjeve që kanë, në ditët e ngjarjeve në Kosovë, ishte një delegacion i rangut të lartë jugosllav.

Ambasador tanzanian në vende të ndryshme kanë mbajtur qëndrim, por jo të qartë e pa dënuar kënd. Kështu ambasadori në Kajro tha se ambasada e tyre në Beograd ishte njoftuar nga pala jugosllave, e cila kishte thënë se ngjarjet janë nxitur nga kundërshtarë që ndodhen jashtë vendit. Krijimi i një republike në Kosovë nuk mund të realizohej, sepse do të krijonte vështirësi për Shqipërinë (dy Shqipëri), do dobësohej shumë Maqedonia dhe Mali i Zi dhe do nxitej Bullgaria për të aneksuar Maqedoninë.

Shtypi i vendit nuk ka dhënë ndonjë jehonë të madhe për ngjarjet. Nga ambasada njoftohemi se në fillim të prillit u botua një lajm mbi demonstratat me burim nga Beogradi, ku vihej në dukje shpallja e gjendjes se jashtëzakonshme në Kosovë, mbasi u vranë dy vetë dhe u plagosen disa të tjerë. Një lajm të tillë transmetoi edhe Radio e Dar Es Salamit.

Nuk kemi të dhëna nga mendimet e vendësve.

Nga vendet e tjera:

Ambasadori i Zambias në Kajro: E njoh mirë Jugosllavinë ku kam mbaruar studimet e larta. Sa e njoh unë atë dhe nga biseda me ambasadorin jugosllav, Jugosllavia nuk do ta lëshojë Kosovën, sepse është një element ekuilibri midis Beogradit, Zagrebit dhe Lubjanës. Kosova është shumë e pasur dhe kosovarët trima e luftëtarë ruajnë kufirin me Italinë, Austrinë dhe përdoren si elementë frikësimi ndaj sllovenëve dhe kroatëve.

Ambasadori Polisarios në Havanë: Vala e përleshjeve në Kosovë tregon se popullsia e saj shqiptare vazhdon të ruaj gjithë traditat e tij luftarake. Përdorimi i forcës është një shenjë e dobësisë së autoriteteve jugosllave, të cilat, ashtu si dhe më parë, nuk kanë gjetur rrugën e drejtë të zgjidhjes te kërkesave të ligjshme të popullsisë shqiptare të Kosovës, që aq sa është e prapambetur është edhe e pasur.

Ambasadori i Guinesë në Dar Es Salam: Kishte lexuar artikullin e Zërit Popullit (8 prillit). Tha se e konsideronte të drejtë qëndrimin tonë. Drejt, thoni ju, tha ai, çdo vend ka të drejtë të mbrojë vëllezërit e vet që banojnë në një vend tjetër. Kjo nuk mund të quhet ndërhyrje në punët e brendshme.

Së bashku me atë të Beninit e Voltës se Sipërme edhe ambasadori i Guinesë në OKB kishte thënë se tani po e shohim se përse u përdor dhuna në Kosovë. Shpreh mendimin se drejtuesve jugosllavë u duhet të tregohen të pjekur e gjakftohtë për trajtimin e situatave të tilla, sepse njerëzit e drejtë, kur revoltohen, për të kërkuar të drejtat e tyre, nuk mund të qetësohen me përdorimin e dhunës.

Ambasadoret e Çadit, Nigerit e Mauritanisë në Pekin thanë se i kishin lexuar me vëmendje artikujt e Zërit te Popullit dhe falënderuan për dërgimin e tyre. Thanë se i kishin lexuar me vëmendje dhe argumentet tona i gjenin shumë të drejta. Ambasadori i Çadit tha se jugosllavët bëjnë një politikë diskriminuese të hapur në Kosovë, porse ata duhet të presin edhe pasojat e kësaj politike.

Sekretari i parë i Bregut të Fildishtë në Algjeri kishte lexuar tre herë artikullin  e 23 prillit, i cili e kishte tërhequr për analizën e thellë të ngjarjeve. Qeveria jugosllave, me ketë zgjidhje, tha ai, do ta vështirësojë akoma më shumë gjendjen në këtë zonë dhe gjithë territorin e tij.

I ngarkuari me punë i Zambias në Beograd tha se do të informonte edhe MPJ të vendit të tij për ngjarjet në Kosovë. Mijatoviçi nuk foli asnjë fjalë për Kosovën gjatë bisedimeve të tij me Kuunden, në një kohë kur shtypi botëror shkruante artikuj të shumtë.

Ambasada ne Kajro njofton se tërë punonjësit atje e kishin lexuar artikullin tonë për Kosovën (8 prill) dhe e kishte dërguar në Adis Abeba. Sekretari i ambasadës tha se ne kemi të drejtë kur ngremë zërin në mbrojtje te kosovarëve me qëndrim logjik e pa paramendime.

Pikëpamje të Opinionit Afrikan për ngjarjet ne Kosovë

Nga vendas afrikan kemi nga studentë të ndryshëm që po i rëndësim:

Studentë nga Etiopia e Volta e Sipërme në Kajro folën me simpati për qëndrimin tonë për ngjarjet në Kosovë dhe e përkrahën atë. U shprehën në përkrahje të luftës së drejtë të popullit shqiptar të Kosovës, që derdh gjakun e tij kundër shtypjes së dyfishtë: të borgjezisë serbe dhe të asaj vendase, plus shtypjen nacionale. Përkrahën kërkesat e kosovarëve për statusin e Republikës në kuadrin e federatës jugosllave. Sipas tyre, shumica e studentëve afrikanë në Kajro flasin në favor të qëndrimi tonë.

Tre studentë stazhier në Bizerte të Tunizisë kanë thënë se ngjarjet në Kosovë janë nxitur nga Shqipëria. Sipas ambasadës ata e kishin dëgjuar këtë kur ishin në Jugosllavi. Duket se jugosllavët kanë punuar me ta.

Presidenti i Bashkimit të Studentëve të Voltës së Sipërme në Paris tha se artikujt janë të fortë, të matur dhe argumentuar, që flasin për qëndrime konkrete të Shqipërisë ndaj problemit të Kosovës. Ne dënojmë përdorimin e dhunës e të terrorit të përdorur nga jugosllavët kundër studentëve dhe popullit të Kosovës.

Nuk kemi të dhëna për shtypin afrikan.

23 /5/ 1981

Nr. 16

Drejtoria e Dytë. Sektori i Afrikës. Informacion mbi punën e përfaqësive Algjer-Dar Es Salam lidhur me ngjarjet në Kosovë

(Viti 1981)

Artikujt e gazetës “Zëri i Popullit” iu janë dërguar përfaqësive Algjer e Dar Es Salam, si dhe udhëzimet përkatëse me radiogram, qarkore dhe porosi të veçanta. Këto materiale janë shumëfishuar dhe shpërndarë nga shokët në vendas, gazetarë, miq dhe diplomatë.

Nga përfaqësia jonë në Algjer na janë dërguar disa radiograme me mendime e vlerësime të diplomatëve të ndryshëm të akredituar në Algjeri. Por ka munguar jehona e këtyre ngjarjeve në vendas, me përjashtim të një njoftimi që ka dhënë lidhur me faktin se është dëgjuar artikulli ynë i 8 prillit nga algjerianë nga transmetimi i Radio Tiranës, të cilët kanë mbështetur qëndrimin tonë. Shënojmë se nga ajo përfaqësi nuk ka pasur takime e kontakte me personalitete vendëse, me gazetarë e të njohur të tjerë. Gjithashtu deri më sot nuk kemi njoftime që të jetë shkruar gjë në shtypin algjerian, i cili për këto ngjarje ka mbajtur heshtje.

Për këtë arsye jemi të mendimit që t’i tërheqim vëmendjen përfaqësisë tonë në Algjer, të aktivizohen të gjithë shokët, të mobilizohen dhe të lëvizin në qytete e qendra të tjera të Algjerisë për të shpërndarë artikujt tanë dhe për të grumbulluar jehonë. Gjithashtu të punojnë për të arritur që në shtypin algjerian të shkruhet për këto ngjarje dhe për qëndrimin tonë ndaj Kosovës. Ndërkohë t’i vëmë në dukje Ambasadës në Algjer se jemi të interesuar edhe për opinionin e vendeve të zonës ku ajo vepron, të diplomatëve afrikanë në Algjer, përfaqësues të lëvizjeve të ndryshme progresiste e çlirimtare, të studentëve afrikanë etj.

Nga ambasada jonë në Dar Es Salam lidhur me ngjarjet në Kosovë na janë dërguar disa radiograme, ku bëhet fjalë për interesimin dhe mendimin e ambasadorëve të Bullgarisë, Guinesë, Çekosllovakisë dhe Finlandës. Por ka munguar marrja e mendimeve nga miq e personalitete tanzaniane. Kjo, sipas mendimit të Ambasadës, ishte penguar nga vizita e Mijatoviçit në Tanzani, e cila u bë 3-4 ditë mbas daljes së artikullit të “Zërit të Popullit” të 8 prillit.

Shtypi tanzanian botoi një lajm mbi demonstratat në Prishtinë, me burim nga Beogradi, të cilin e transmetoi edhe radio e Dar Es Salamit. Aktualisht nuk jemi njoftuar për ndonjë shkrim lidhur me këto ngjarje apo për artikujt tanë e qëndrimin tonë ndaj Kosovës. Shokët e përfaqësisë në Dar Es Salam kishin punuar dhe po vazhdojnë të punojnë për botimin e shkrimeve mbi këto ngjarje në përkrahje të qëndrimit tonë dhe shpresonin se me të njohurit e miqtë që kishin në qarqet gazetareske do t’ia arrinin qëllimit. Konkretisht, nga sa na informuan edhe vetë punonjës të gazetës së sindikatave, më 25 prill duhet të jetë botuar një shkrim në përkrahje të qëndrimit tonë ndaj Kosovës. Shënojmë se njoftimet nga Der Es Salami vijnë në Ministri me shumë vonesë, konkretisht akoma nuk ka ardhur lajmi mbi hapjen e ekspozitës për bujqësinë që është transmetuar me teleks. Për këto ngjarje e artikujt tonë lidhur me to, jemi të mendimit që të bisedohet me zëvendëskryeredaktorin e gazetës “Uhuru”, në takimin që do të zhvillohet në gazetën “Zëri i Popullit”, mbasi ai është gazetar me influencë, mik i vendit tonë dhe që mund të shkruajë në gazetën e tij që është e partisë tanzaniane.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Burimet e ndryshme të lajmeve nga Drenica Qendrore bëjnë të ditur se atje ka ndodhur …