Dr. Skënder Demaliaj: HAZIR RRUSTEMI (1929-1996) MBRETI I KËRCIMIT TË BURRAVE, VALLTARI FLUTURUES

Dr. Skënder Demaliaj: HAZIR RRUSTEMI (1929-1996) MBRETI I KËRCIMIT TË BURRAVE, VALLTARI FLUTURUES

 HAZIR RRUSTEMI (1929-1996) MBRETI I KËRCIMIT TË BURRAVE, VALLTARI FLUTURUES

U lind, më 10 maj 1929 në Kepenek (Krahina e Bytyçit) dhe u nda nga jeta, më 28 maj 1996 në vendlindjen e tij.

Burrë shtatlartë, me mustaqe, me cigarishten e gjatë të zbukuruar e me qostekun e sahatit, plot rrezatim jete dhe shprehje emotive. I veshur me kostumin kombëtar që nuk e ndante asnjëherë.

Vallja është pjesë e kulturës së një kombi. Nuk mund të ketë komb pa një kulturë të traditës, të lashtësisë, të jetës, aty ku ka lindur ai komb dhe aty ku është pasqyruar jeta, historia, puna, vaji, gëzimi, vallja, kënga, instrumentet muzikorë dhe kostumet popullore.

Jeta e tij artistike është e lidhur me jetën artistike të Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve “Dardania” të Tropojës. Mbreti i kërcimit të burrave la vulën e tij të pashlyer në skenën e Bytyçit, të Tropojës, të Gjirokastrës, të Kosovës, të Zvicrës dhe të shumë vendeve të tjera të botës. Kërcimi i burrave në Tropojë nuk mund të kuptohet e të interpretohet pa përfaqësuesin e tij, Hazir Rrustemi. Epizmi i valltarit Hazir Rrustemi, në interpretimin e valles popullore tropojane do të mbetej i paarritshëm dhe i papërsëritshëm për shumë kohë.

Është simbol i vullnetit dhe i pasionit për kërcimin popullor. Shpirti i tij, interpretimi, sytë komunikonin aq bukur me publikun që e ndiqte. Shkëlqimi i syve i vinte nga brendësia e botës së tij shpirtërore. Me buzëqeshjen e tij, në lëvizjet e tij plot gjallëri kishte shpërthim, burrëri dhe karakter. Me njërën dorë të ngritur lart, ai krijonte nën tingujt e lartë të thuprës së tupanit, lëvizje të shpejta që rrallë kush i bënte. Binte në gjunjë, ecte me gjunjë nën ritmin e tupanit dhe ngrihej fluturimthi. Luftarak, por edhe i lehtë si pupël. Talent i lindur, interpretues i lartë, virtuoz si askush tjetër. Duart i lëvizte me shpejtësi dhe elegancë, grushtet i mbante pak të hapur. Të gjithë këta elementë te jepnin idenë e mobilizimit për fillimin e një beteje. Çdo lëvizje e tij kishte një domethënie. Mimika gjatë interpretimit ishte deri mistike. Kërcimi i tij demonstronte forcë, qëndresë, rezistencë, dhimbje, gëzim dhe dashuri për njerëzit. Vështrimi ekspresiv e njëkohësisht i ngrohtë merrte jetë nga potenca shpirtërore pa u sforcuar. Ajo buronte lirshëm si një ujvarë që zbret nga mali, herë me vrull e herë i qetë. Ai shprehte me anë të kërcimit natyrën e tij entuziaste. I kënaqte spektatorët, por edhe lumturohej prej tyre. Është nderi i valles popullore tropojane, shqipja e valleve tona. Mjeshtri i Madh i koreografisë, Besim Zekthi thotë se vallet tona vijnë nga historia, lindin nga zemra dhe ne në skenë u japim atyre shpirtin tonë. Si ky kërcimtar i madh edhe Hazir Rrustemi i dha skenës për dekada të tëra shpirtin e tij.

Në kërcimin e tij karakteristik, i papërsëritshëm në llojin e tij shprehte forcën e brendshme, karakterin epik, por edhe elegancë, vendosmëri për të ecur përpara, për të mos u ndalur deri në perfeksionim si askush tjetër. Në kërcim, ai shprehte gëzimin, fitoren, suksesin, krenarinë, fuqinë e pashterueshme e pse jo edhe dufin e brendshëm. Mbetet një histori më vete për skenën tonë, një shqiponjë që fluturonte, fluturonte e nuk dinte të ndalej. Në të gjitha rastet ruante dhe afirmonte përherë e më tepër personalitetin e një artisti kurajoz, i matur e i kujdesshëm në të gjitha lëvizjet e tij dhe i besueshëm për publikun.

Pasioni dhe përkushtimi ndaj valles popullore, dëshira për të dhënë gjithçka në mënyrë të përkryer dhe të bukur, në raport me simbolikën dhe estetikën e saj e karakterizuan gjithë jetën dhe e ngritën lart e më lart, krahas mejshtrave më të mëdhenj si: Besim Zekthi, Rexhep Çeliku, Liljana Cingu, Panajot Kanaçi, Agron Aliaj, Skënder Selimi e të tjerë. Kërceu me mjeshtrat e valles së Tropojës: Ramë Myftari, Deli Metaliaj, Skënder Haklaj, Xhevahire Gashi, Bubë Mici, me kërcimtaret e Bytyçit: Sanie Gjediaj, Sanie Imeraj etj. Vetëm nën ritmin e tupanxhiut të njohur, Mustafë Uka, të mjeshtrit të fyellit Ali Mula. Lujati edhe në filmin “Dasma” në rolin e kërcimtarit. 

Kur flasim për personalitetet e artit në Bytyç e në Tropojë, emri i tij është në krye të listës. Njerëz si ky meritojnë të jenë në muze, sepse kanë bërë shumë për vendin e tyre. Iu kanë dhënë njerëzve buzëqeshje, mirësi e para së gjithash kulturë kombëtare, art të një niveli të lartë, i kanë shërbyer vendit, u kanë shërbyer njerëzve me profesionalizëm të lartë.

Është e njohur sentenca se arti vulën e fundit e merr nga opinioni qytetar. Kur dilte Haziri në skenë, duartrokitjen nuk kishin të ndalur, bashkë me të jashtë skenës kërcente edhe publiku. Në çdo festival brenda dhe jashtë Tropojës së tij nuk u kthye asnjëherë duarbosh. Gjithmonë u nderua me çmim të parë dhe u përzgjodh në koncertin final. Lodhje nuk shprehu asnjëherë. Ndërsa në sytë e spektatorëve dukej mahnitës, me veten e tij nuk ishte asnjëherë i kënaqur. Luftoi për përsosmëri dhe ia arriti. Në bisedë me të ai thoshte çiltër: “Potenciali, mundësitë tona dhe çfarë bëjmë ne është tjetër gjë. Pavarësisht sesa rëndësi ka talenti, përpjekja vlen dy herë më shumë”. Kështu ndodh dhe sipas psikologëve: Talenti x përpjekje = aftësi, aftësi x përpjekje = sukses. Me punë talenti përkthehet në aftësi dhe në të njëjtën kohë përpjekja e bën produktive aftësinë. Hazir Rrustemi edhe kishte talent, edhe punoi shumë.

Të arrish një nivel të lartë, do të thotë të përqendrohesh vazhdimisht dhe të bësh absolutisht më të mirën e mundshme në çdo moment nga fillimi deri në fund. Ai ishte në konkurencë me veten, por edhe me të tjerët. Ndryshe nuk do të qëndronte gati 35 vjet në skenë i suksesshëm. Konkurenca gjithmonë nënkupton: “Bëni ç’të mundeni, çfarëdo që të jetë! Arrini maksimumin!” Kur e pyetën se çfarë këshille u jep të rinjve, përgjigja ishte e thjeshtë, por kuptimplotë, me domethënie të madhe: “Të vazhdohet tradita, të mos ndërpritet, të punohet shumë për të arritur suksesin”. Ishte optimist për këtë. Vallja e Tropojës edhe sot nuk zbret asnjëherë nga vendi i parë. Kërcimi i tij të bën krenar për vlerat e Bytyçit e të Malësisë së Gjakovës, për thesaret e çmuara të tyre, të rrit optimizmin, vetbesimin për ditë më të mira, mbështetur fort në rrënjët e traditave dhe të vlerave më të mira kulturore e artistike të trashëguara brez pas brezi.

Hazir Rrustemi është ikonë e valles me motive kombëtare, amabsadori më i mirë për të përfaqësuar Bytyçin e Malësinë e Gjakovës. Ai mbetet valltari i shekullit, një yll që nuk përsëritet kollaj dhe shpejt në vallen popullore. I ka bërë nder artit në Tropojë e në Shqipëri. Sipas një kritiku të artit: “Të vallëzuarit i ngjan valëve të detit. Kur janë të qeta bëjnë të ëndërrosh dhe kur janë të shqetësuara dhe të larta dëshiron të fluturosh në kohët e ëndrrave që ndjell pasoja e këtyre valëve. Jo gjithkush e ndjen këtë gjë dhe nuk arrin të kuptojë se trupi i njeriut i ka aftësitë të shprehë botën dhe ndjenjat në tërë labirinthin e jetës njerëzore”. Kështu ka ndodhur edhe me Hazir Rrustemin e Kepenekut… Asnjëherë për të nuk qe kërcimi i fundit… Artistët në vetvete mbartin peshën e trashëgimit të kulturës së një vendi. Kjo është edhe një ndër arsyet pse pas ndarjes nga jeta, çdokush i cilëson si të pavdekshëm. I tillë mbetet edhe Hazir Rrustemi.

Populli e ka përjetësuar në këngë:

“Çel e mshel synin vetimë,

Nëpër skena “Lis i bimë”,

Kur hedh kambën, lshon xixëllimë.

N’ at’ kala ku bjen tupani.

Kah ka arrdh ky soj valltari?!

Dritë po i ban ktij festivali”

Ai e kaloi jetën duke vallzuar. Edhe vdekjen e shihte si një vallzim. Duke besuar se asgjë nuk përfundon në këtë tokë , u largua për të vazhduar vallzimin në dimensione të tjera… Ka plot çmime, dekorata por e meriton titullin: “Mjeshtër i Madh”. Duhej ta kishte marrë shumë vite më parë, por edhe tani nuk është vonë. Shpresojmë…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Adem Demaçi dhe projekti i tij për TV-Diellin

Mujë Hyseni: TV DIELLIT

Për mua sot qe o një ditë e mbarë U binda unë sot qe kemi …