Dr. Skënder Demaliaj

Dr. Skënder Demaliaj: Lufta heroike e Brigadës së Shtatë të Kosovës për çlirimin e vendit nga pushtuesit gjermanë me Komandant Shaban Haxhinë

Në 80 vjetorin e formimit të saj në Gjakovë, më 11 nëntor 1944

Shaban Haxhi Demaliaj  (1916-1971)

 

Më 9 nëntor të vitit 1944 u çlirua Gjakova. Brigada IV e Kosovës zhvilloi luftime të përgjakshme, më 2 dhe 3 nëntor, në urën e Terzive dhe në fshatin Junik, ku një pjesë e saj ishte vendosur në fshatin Babaj i Vokshit.

Më 11 nëntor, në orën 1000 luftëtarët e Brigadës së Shtatë u rreshtuan në sheshin para Kazermës dhe të Kafes së Madhe. Nga ballkoni i Kafes, ku ishin udhëheqësit e Shtabit Operativ të UNÇ-së për Kosovë dhe në mesin e tyre ishte Shaban Haxhia dhe Qamil Brovina u bë komunikimi, respektivisht u lexua urdhëri i Shtabit Operativ mbi formimin e Brigadës së Shtatë Sulmuese të UNÇ-së të Kosovës, në përbërjen e të cilës do të jenë luftëtarët e Brigadës së Katërt Sulmuese të Kosovës dhe luftëtarët që u paraqitën nga Gjakova dhe rrethinat, nga Prizreni, Suhareka e Rahoveci. Në këtë moment Brigada numëronte 1950 luftëtarë, duke përfshirë tërë kuadrin komandues.

Shtabi i Brigadës kishte këtë përbërje: komandant Shaban Haxhia, zëvendësi i tij, Ethem Szblla, komisar, Qamil Brovina, zëvendës i tij, Enver Dajçi, oficer informativ Strahinja N. nga Peja, intendant Spasoje Mihajlloviq, udhëheqës i rinisë, Ramadan Vraniqi nga Prizreni. Në udhëheqjen e rinisë ka qenë edhe Fejzullah Cana nga Gjakova. Me rininë në këtë brigadë në ditët në vazhdim ka punuar edhe Isa Mula.

Pas ceremonisë së formimit luftëtarët e saj u kthyen në kazermë, ku pasdite filluan ushtrimet. Më 12 nëntor po në këtë shesh u organizua metingu popullor, ku morën pjesë luftëtarët e Brigadës. Në meting nga ballkoni i Kafes foli Zekrija Rexha dhe Sait Bakalli. Pastaj pjesëmarrësit në meting ecën nëpër rrugët kryesore, brohorisnin parulla të ndryshme dhe këndonin. Atë ditë pasdreke në kazermë u formua kori i Brigadës. Në momentin e formimit të Brigadës u inkuadruan nga Prizreni 41 luftëtarë. Në datat 17-22 nëntor 1944 erdhën edhe 50 luftëtarë të tjerë nga Prizreni. Më 30 nëntor 1944 u formua Çeta e pionierëve të Brigadës

Në Brigadën e Shtatë të Kosovës ka patur gra dhe vajza: Sabrie Kuqi, motrat Hedije e Halise Muhaxheri, Nazmije Brovina, Fatime Llozana, Sevdije Vraniqi etj., të cilat nuk shkuan në Frontin e Sremit.

Është e natyrshme pyetja: Ç’ka ka ndikuar që kjo Brigadë të jetë aq e popullarizuar dhe që populli i Kosovës ka patur dëshirë të madhe të përfshihet në radhët e saj? Duhen analizuar disa faktorë: situata e atëherëshme ushtarako-politike në Kosovë, elemente socialë dhe psikologjikë. Shkaqet janë:

  • Është njësia e parë e këtij rangu, e cila është formuar në territorin e Kosovës – në Gjakovën liridashëse. Brigadat e tjera kosovare u formuan jashtë territorit të Kosovës (Brigada I, në Maqedoni, II, III, V në Serbi, IV në Shqipëri, kryesisht me luftëtarët e LNÇ-së nga Kosova që u gjendën në atë rajon, nga refugjatët nga Kosova dhe nga personat që u liruan nga burgjet. Brigada VI u krijua një muaj më vonë, më 13 dhjetor në Mitrovicë).
  • Numrin më të madh të eprorëve dhe të luftëtarëve të brigadës e kanë përbërë përfaqësuesit e kombësisë shqiptare, duke iu përgjigjur përbërjes nacionale dhe banorëve të Kosovës, ndryshe nga brigadat e tjera.
  • Komandimi është bërë në gjuhën shqipe gjatë kohës së qendrimit të saj në Kosovë. Për shkak të njohjes së gjuhës, të zakoneve, të traditave drejtuesit e saj kanë komunikuar lehtë me njerëzit e kombësisë shqiptare, kanë mbajtur fjalime në gjuhën amtare, i kanë sqaruar qëllimet e LNÇ-së, kanë dhënë urdhëra luftimi në gjuhën amtare.

Në historiografinë kosovare, Brigada e Shtatë është emërtuar Brigada e Shaban Haxhisë. Veprimtaria e tij prej 5 vjetësh i kishte kaluar kufijtë e Tropojës. Ai, me punën e tij këmbëngulëse, me guxim e kurajo arriti t’i organizojë e bashkojë njerëzit në Malësinë e Gjakovës dhe nё Kosovë rreth Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare. Me aftësitë e tij drejtuese fitoi besimin dhe zemrat e tyre. Shaban Haxhia është udhëheqësi kryesor politik e ushtarak i çetës “Bajram Curri”, i batalionit “Bajram Curri”, i Aradhës “Curri-Rexhepi”, delegat në Konferencën e Bujanit dhe një nga nismëtarët e nenit të Rezolutës për të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje e për t’u bashkuar me Shqipërinë. Në krye të kësaj brigade me djem të zgjedhur e trima të Kosovës u çliruan njëra pas tjetrës krahina e qytete në Kosovë. Përveç kësaj, kjo brigadë u bë mbështetja kryesore e popullsisë shqiptare për të mos lejuar terrorizmin e saj nga forcat çetnike serbe. Kosovarët gjetën te ajo një strehëz të sigurtë për jetën. Është kjo arsyeja që u shtuan radhët e saj, duke arritur deri në 17 mijë numri i luftëtarëve të saj, është kjo arsyeja që shtabi i kësaj brigade u arrestua me urdhër të Komandës së Lartë tё Jugosllavisё, është kjo arsyeja që ajo u urdhërua të largohej nga Kosova e të luftonte  në viset jashtë saj; është kjo arsyeja që u rrit simpatia dhe popullariteti i komandantit të saj Shaban Haxhi Demaliaj, popullaritet, i cili ruhet edhe në ditët e sotme e për të cilin këndohet.

Tek shqiptarët e Kosovës Shaban Haxhia zë një vend të veçantë, gati është kthyer në shenjt. Nënat Kosovare e thonë me krenari: “Në këtë odë i kam kthyer bukë Shaban Haxhisë”. Po kështu burrat e Kosovës e kujtojnë me mall, me nostalgji këtë Komandant, duke iu treguar pasardhësve: “Në këtë rrugë ka kaluar Shaban Haxhia me Brigadën e tij”. Ata kanë ruajtur me vite te tëra në fshehtësi fotografinë e tij.

Për merita ushtarake në drejtimin e Brigadës së Shtatë Kosovare, në dhjetor 1944 i jepet grada nënkolonel, nga të paktët në gjithë Ushtrinë Nacionalçlirimtare të Kosovës.

Sa zbriti në Fushë-Kosovë, Shtabin kjo brigadë e vendosi në Lipjan. Shtabi lëshoi një lajmërim që në atë brigadë pranoheshin të gjithë ata që kanë marrë pjesë në polici, xhandarmëri, në forcat vullnetare për mbrojtjen e Kosovës. Shtabi garantonte që asnjë prej këtyre nuk do të lejohej që të merreshin natën nga OZNA e të pushkatoheshin, siç ndodhte në brigadat e tjera, prandaj numri i partizanëve në të i kaloi 17000 vetë! Në fakt ajo duhej të quhej divizion, por Serbia nuk e lejonte një gjë të tillë, sepse qëllimi i saj ishte ripushtimi i Kosovës.

Lidhur me këtë nacionalisti Adem Selimi (Gllavica) udhëheqës i luftëtarëve të Kosovës në malet e Gjilanit tregon: “Ne kishim shumë djem të rinj që s’kishin kryer asnjë veprim kundër partizanëve. Kushtet ekonomike e të municionit gjithnjë po na keqësoheshin. Jugosllavia komuniste po forcohej dita-ditës, prandaj vendosëm të takoheshim me Shaban Haxhinë, meqë shtabi i tyre kishte lëshuar një thirrje të tillë “Të merremi vesh si shqiptari me shqiptarin”. Ndërlidhës ishte Raif Smallusha. Shabani do të vinte me komisarin, Qamil Brovinën dhe me katër veta të armatosur. Po ashtu edhe nga ne, unë me Luan Gashin për bisedime dhe katër veta të armatosur. U morëm me dy çështje: E para, të dorëzoheshin djemtë e rinj që ishin me ne në mal pa dhënë asnjë llogari, po sikur shkojnë vullnetarë nga shtëpitë e tyre. E dyta, forcat e tyre mos të na ndiqnin dhe ne do të evitonim lëvizjet tona që të mos ndesheshim me forcat e tyre. Duhet thënë për hir të së vërtetës, të dyja këto marrëveshje ata i zbatuan. Asnjë nga djemtë tanë që hynë në atë brigadë nuk është dëmtuar”.

Bashkimi i brigadës së Drenicës me Brigadën e Shtatë Kosovare, me komandant Shaban Haxhinë ishte domosdoshmëri që e kërkonte koha dhe se një gjë të tillë e kishte miratuar edhe komandanti Shaban Haxhia.

Formimi i kësaj brigade dhe veprimtaria e saj luftarake i frikësoi drejtuesit ushtarakë serbë. Më 17 janar 1945 Shtabi i Divizionit 46 të Serbisë njoftonte njësitë e veta se prej 20-24 janar 1945 njësite shqiptare të Brigadës VII të Kosmetit do të kalojnë pranë Prishtinës nëpër Podujevë e në drejtim të Kurshumlesë dhe se në këto njësi “Konsiderohet se ka shumë dezertorë dhe vrasës, andaj t’u vihet roje përgjatë rrugës në të dy anët e Grykës së Llapit”. Shqiptarët në këtë Brigadë nga shovinistët serbë etiketoheshin “kriminelë të njëmendtë”. Pra ata konsideroheshin kriminelë pse mbronin popullsinë e pafajshme në Kosovë nga çetnikët serbë, të nxitur e të organizuar nga vetë strukturat më të larta ushtarake serbe. Brigada nuk do të lëvizte si një formacion kompakt luftarak, por e ndarë në kolona e megjithatë, edhe kështu e copëtuar, ajo ishte më e madhe se çdo brigadë serbe. Këtë e pohojnë vetë autoritetet më të larta ushtarake serbe.

Nën pretekstin e likuidimit të bashkëpunëtorëve të fashizmit, popullsia shqiptare në Kosovë u terrorizua. Komandanti i Divizionit të 46-të urdhëronte njësitë e veta. “Në kryerjen e detyrave të jeni të pashpirt kundër çdo gjëje dhe kundër çdo kujt, të zbatoni raprezalje, aty ku ju bëhet rezistencë. Nëse në njësitë tuaja shtijnë nga fshati, të kallet i tërë fshati. Armiqtë e ushtrisë dhe të popullit tonë patjetër duhet ta ndiejnë fuqinë e armëve tona… Për operacionet kësisoj shtabet tona duhet të vihen në pozitë të komandantëve të ushtrisë okupatore”.Nga përmbajtja e këtij urdhëri gjithçka është e qartë: vendin e pushtuesit gjerman në Kosovë e zuri pushtuesi serb. Melihate Deda, me anë të një letre njoftonte institucionet e larta partizane në Kosovë se disa njësi serbokomuniste kishin direktivë të fshehtë që të vrisnin së paku 50% të popullsisë shqiptare në Kosovë.

Më 2 dhjetor 1944 u dha urdhër për formacionet ushtarake serbe që spastrimi i terrenit nga “banditët” (kështu i quanin ata shqiptarët patriotë të Kosovës) të fillojë më 5 dhjetor 1944. Këtë nuk mund ta lejonte komandanti Shaban Haxhia. Është kjo arsyeja që kjo brigadë e fuqishme, me ndjenja të larta patriotike duhej të shpërndahej, të coptohej që të ishte sa më pak e rrezikshme për serbokomunistët. Mbi të gjitha të largohej nga Kosova që t’i kishin të lira duart për spastrimin etnik të saj.

Brigada e Shtatë Kosovare, kur u përqëndrua në Podujevë, kishte një efektiv të njëjtë me atë të divizioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, por pavarësisht nga ky fakt, ajo nuk u shndërrua në divizion, por u copëtua dhe u përdor si repart plotësues. Sipas kryeudëbashit të Kosovës, Spasoje Gjakoviç: “Brigada e  Shtatë e Kosmetit, së cilës duhej t’u bashkohej Shaban Polluzha konsiderohet se më 18 dhjetor 1944 kishte rreth 17000 luftëtarë të mobilizuar prej dy emnakëve Shaban Haxhisë dhe Shaban Polluzhës”. Ka një urrejtje të madhe për këtë Brigadë dhe Komandantin, Shaban Haxhia, duke e konsideruar shumë të rrezikshme veprimtarinë e tyre në dëm të serboshovinistëve, prandaj në asnjë mënyrë nuk duhej të qëndronte në Kosovë dhe të vepronte si formacion luftarak unik, sepse pengonte ripushtimin e Kosovës nga forcat serbe, kolonializimin e saj nga Serbia, realizimin e aspiratës së popullit të Kosovës, të shprehur në Konferencën e Bujanit, për t’u bashkuar me Shqipërinë.

Divizionet partizane serbe, në bashkëpunim me forcat çetnike, plaçkitnin dyqanet shqiptare, digjnin fshatrat shqiptare, vrisnin fëmijë e pleq. Sipas Lëvizjes Çetnike në Jugosllavi, serbët dhe malazezët në Kosovë “duhet të qëronin hesapet me arnautët”. Sipas drejtuesve të saj “problemi i Metohisë, Kolashinit dhe i tërë Serbisë së Jugut, mundet dhe patjetër duhet të zgjidhet vetëm me pastrimin e turqve dhe të shqiptarëve”. Në këto kushte situata në Kosovë u keqësua dhe u tensionua.

Drejtimet nga kaloi Brigada e Shtatë e Kosovës në Frontin e Sremit janë: Kikindë – Zrenjanin – Pançevë – Zemur – Sremska Mitrovice – Vinkovc (deri këtu me tren). Pastaj me këmbë në itinerarin: Sllavonski Bord – Nova Gradishka – Novska – Kutina – Ivangrad, nja 20 km afër Zagrebit. Disa nga njësitë e saj u futën edhe në Zagreb. Aty Shtabi i Brigadës mori urdhër që njësitë e saj t’ia dorëzojë Armatës së Parë e kjo i përcolli tek Armata e Dytë dhe e Katërt, ku luftuan deri në kufi me Austrinë.

Luftëtarët e Brigadës së Shtatë të Kosovës morën pjesë në çlirimin e shumë qyteteve të Kroacisë e të Sllovenisë. Ndoqën edhe mbeturinat bellogradiste, ustashe dhe çetnike në Slloveni, Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe në Mal të Zi deri në qershor të vitit 1945.

Në fillim të nisjes për në Banatë, janar 1945, Brigada e Shtatë ka qenë e dislokuar në rajonin e gjerë të Janjovës – f. Gushtericë dhe në disa vende të tjera në rrethinat e Prishtinës. Me gjithë vështirësitë, koha e pamjaftueshme për ta realizuar këtë detyrë, dimri i ftohtë, veshjet e dobëta, pa rroba të ngrohta, pa këpucë dimërore, pa batanie, urdhërin e dhënë kjo Brigadë e kreu me sukses në tërësi.

Në kapitullin “Brigadat në  LNÇ”, të Enciklopedisë Jugosllave, botuar në Zagreb, më 1987 nuk përmendet roli i Brigadës VII të Kosovës për çlirim e Kosovës dhe të viseve të tjera të Jugosllavisë. Harresë e qëllimshme…

Ka pasur edhe një përpjekje tjetër nga historianët e Kosovës dhe të Shqipërisë për ta paraqitur këtë brigadë si të shpartalluar e të asgjesuar plotësisht nga armiku në luftimet e saj në Frontin e Sremit. Është arritur deri atje sa të thuhet se u kthyen vetëm 8 luftëtarë të gjallë në Kosovë, çka nuk është e vërtetë. Më 1984 në Prishtinë e rrethinat e saj ishin 600 luftëtarë të saj të gjallë. Shumë luftëtarë të saj vdiqën nga tifoja, nga të ftohtit e ngricat e mëdha. Të tjerë ranë në luftë. Kështu në luftimet për çlirimin e Sarajevës u vranë 42 luftëtarë nga kjo brigadë.

Shumë historianë në Shqipëri dhe në Kosovë në shkrimet, intervistat dhe në studimet e tyre mbrojnë idenë se shkuarja e brigadave shqiptare në Kosovë për ta çliruar atë dhe për të ndihmuar LNÇ-në u ka shërbyer interesave të Serbisë, bile absurditeti arrin deri atje sa ta qujanë “tradhti kombëtare”. Edhe shkuarjen e luftëtarëve të Brigadës VII në Frontin e Sremit e quajnë veprim të gabuar. Sipas tyre nuk duhej të shkonin atje, por të rrinin për të mbrojtur shqiptarët nga gjenocidi serb, siç veproi Shaban Polluzha. Edhe lufta në Frontin e Sremit, edhe qendrimi në Drenicë kanë patur një qëllim dhe një objektiv: ta ruanin popullsinë shqiptare në Kosovë nga shfarosja. Sikur shqiptarët në Kosovë të mos organizoheshin në luftën çlirimtare (gjithsej 56 mijë luftëtarë) do të ndodhte shpërngulja e tyre, siç ndodhi me çamët e me shumë popuj të tjerë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Plani i Çubrilloviçit për shpërnguljen e shqiptarëve të Kosovës në kohë lufte me preteksin se ata kanë bashkëpunuar me fashistët dështoi. Dështoi pikërisht se në luftë kundër pushtuesit nazifashist u rreshtuan 56 mijë luftëtarë nga Kosova, prapa të cilëve ishin 56 mijë familje dhe një rrjet i gjerë miqësor i tyre. Drejtuesve më të lartë shqiptarë të formacioneve partizane të Kosovës, ku vend të rëndësishëm e të veçantë zë Shaban Haxhia,  duhet t’u njihet merita që i ngritën, i mobilizuan dhe i udhëhoqën shqiptarët e Kosovës në këtë luftë çlirimtare.

Shabani mbrojti me vendosmëri vendimet e Konferencës së Bujanit. Pikërisht për këtë, ai u godit edhe në Shqipëri, edhe në Jugosllavi. U goditën dhe u eliminuan edhe shokët e tij të ngushtë Hajdar Dushi, Xhevdet Doda, Rifat Berisha, Qamil Brovina, Zekeria Rexha. Në studimin e tij, për Kosovën, shkruar, më 11 shkurt 1949 ai thotë: “Në lidhje me aspiratën e shqiptarëve të Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë dua të theksoj: Këtë aspiratë, dëshirë e ka në shpirt çdo shqiptar. Është dëshira më e madhe e tyre, dëshirë që vlon në zemrat e shpirtin e tyre. Nuk është një dëshirë që ka dalë pas Rezolucionit të Byrosë Informative, por ka qenë shumë kohë përpara, është sot e nesër…. do ta ruajë çdo shqiptar në shpirt deri në vdekje. Bashkimin me Shqipërinë e quan si gjënë më të shtrenjtë dhe e pret me padurim. Ndonëse nuk mundet të flasë, të shprehet hapur nga frika, e ka në shpirt sot e përgjithmonë. Shumica e popullit shqiptar në Kosovë është i gatshëm të luftojë për t’u bashkuar me Shqipërinë”.

Në Muzeun e Kosovës (Prishtinë) në vitin 2002 në Ekspozitën me temë “Lufta e popullit shqiptar në Kosovë kundër pushtuesit serbokomunist (nëntor 1944-prill 1945)” është vendosur edhe fotografia e Komandantit të Brigadës së Shtatë Kosovare – Shaban Haxhia (me përmasa të mëdha),  ku jepen edhe vlerësime për veprimtarinë e tij atdhetare në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës nga terrori serbokomunist. Historiani Hakif Bajrami duke vlerësuar figurën e Shaban Haxhisë në mbrojtje të shqiptarëve në Kosovë shkruan: “Shaban Haxhia është komandant i Eshallonit të ushtarëve shqiptarë që luftuan në Frontin e Sremit. Ky oficer patriot e faktorizoi popullin shqiptar që të mos shfaroset sikur parashikonin kriminelët: Tito, Gjillas, Rankoviç e kompani, ashtu si vepruan me gjermanë e hungarezë në Vojvodinë dhe me italianë në Ister”.

Akademik Hakif Bajrami për të bërë vlerësimin maksimal për luftën e Shaban Haxhisë në çlirimin e Kosovës, të Bosnje-Hercegovinës, të Kroacisë e të viseve të tjera të Jugosllavisë e quan “Gjeneral”.

Kontrolloni gjithashtu

Ramadan Jetullah Musliu ( 8 maj 1923 - 24 nëntor 1997) një atdhetar militant, i panjohur sa duhet për opinionin

Ramadan Jetullah Musliu (8 maj 1923 – 24 nëntor 1997) një atdhetar militant, i panjohur sa duhet për opinionin

Zbulimi i një pjese të dosjes së Ramadan Jetullah Musliut nga fshati  Reçak i Shtimes, …