Miftar Matosh Geci ka lindur në Veliq, në një familje oxhak i parë i Bytyçit, në vitin 1878, viti kur u krijua Lidhja Shqiptare e Prizrenit. U ekzekutua nga forcat austrohungareze, të cilat e kishin pushtuar Shqipërinë, në prill të vitit 1918. Është Dëshmor i Atdheut dhe një nga luftëtarët më të spikatur të Krahinës së Bytyçit. Trashëgoi dhe ngriti në një nivel më të lartë cilësitë më të mira të bytyçasve: bujarinë, mençurinë, trimërinë dhe sojninë. Shtëpia e tij ndodhej buzë rrugës. Në frëngjinë e saj linte bukë dhe djathë për rrugëtarët që ta mernin vetë, veçanërisht për berishasit.
Bytyçasit organizuan një aksion në Qafë të Luzhës, në prill të vitit 1918, ku u vranë Doktori austriak, me gradë major vetë i treti. Në krye të këtij aksioni ishin: Hoxhët e Luzhës, Miftar Matosh Geci, Tahir Niman Hoxha, Elez Mahmut Hoxha, Haxhi Mehmeti dhe Avdyl Qerimi. Hafija nga Luzha, Ram Beqiri iu dha austriakëve listën e plotë të organizatorëve të aksionit, në Qafë të Luzhës. Pas largimit të tyre, fshati Luzhë mori vendimin për ekzekutimin e tij. Një vendim unanim. Ky mbeti gjakhupun. Pasardhësit e tij nuk kishin kujt t’ia kërkonin gjakun se ishte i gjithë fshati që e vrau spiunin. Pushtuesi u hakmor, duke vrarë në Mëhallën e Epër të Luzhës:
Bekë Miftar Nezirin, Shpend Zeqir Mulkurtin, Din Bajram Bicin.
Në Qafë të Luzhës u pushkatuan: Avdyl Qerim Imeraj, Miftar Matosh Geci, Brahim Abaz Mulkurti, Arif Abaz Mulkurti, Zeqir Haxhi Ukhysaj (Hoxha i madh i Luxhës) dhe Sadik Hoxha.
Te Turra e Vladit u ekzekutuan: Tahir Niman Hoxha, Elez Mahmut Hoxha, Rexhep Avdyl Neza.
Musli Mal Hoxha nga Paci, 15 vjeç dhe Ali Miftar Zenelaj nga Luzha, 16 vjeç vdiqën nga trauma që pësuan duke parë gjithë ato vrasje kur u kthyen në shtëpi.
Disa ditë më vonë kapën Haxhi Mehmetin në Zherkë. E dërguan në Komandën Qendrore në Dojan dhe e dënuan me vdekje. Ai arriti të shpëtojë, duke kompromentuar komandantin austriak me një sasi napolonash ari, të cilat ia dërgoi familja në shportën me qershi, në fund të saj.
Për këtë ngjarje populli këndoi që në vitin 1918 e në vitet në vazhdim. Këndoi edhe për luftëtarin Miftar Matoshi këngë të veçantë. Ai del edhe në këngë të tjera, se është protagonisti kryesor i kësaj ngjarjeje e në krye të bytyçasve në luftën kundër pushtuesit austrohungarez.
Këngët historike janë ato këngë, të cilat u këndojnë ngjarjeve historike të caktuara ose figurave të njohura e të shquara të historisë.
Sipas Qemal Haxhihasanit, një nga studiuesit më të mëdhenj të folklorit shqiptar: “Te këngët historike nuk ka asgjë të sajuar, të shpikur, por ngjarje dhe situata të jetuara realisht. Kënga e popullit i paraqet këto, vërtet sipas ligjit të pasqyrimit artistik të realitetit, por këtë e bën duke qendruar ngushtësisht brenda caqeve të së vërtetës historike. Ajo nuk del jashtë procesit historik, përkundrazi lind si kërkesë e tij dhe bëhet në një vështrim dokumentim i tij”[1].
Cilat janë disa veçori të këtyre këngëve?
- Në këto këngë pasqyrohen mjediset e betejave, vendet e ekzekutimit dhe koha kur zhvillohen ato. Vetë titujt e tyre e shprehin këtë: “Tuj dalë vera krisi kjameti[2]”. Vargjet: “U vra doktori vetë i treti / Vakmajsteri[3] rrehi telin / Në Qafë të Luzhës e kam pa gazepin / Bytyçi e Luzha m’i vranë asqerin” – dëshmojnë më së miri këtë.
Përmasat e maskrës së pushtuesit pasqyrohen nëpërmjet vargjeve: “Gjygji i hasmit merr vendime / Jep dënime me pushkatime / Disa në Luzhë, në krye të fshatit / Do të tjerë, në Bytyç, në Turrë të Vladit”.
- Pasqyrohet me nota epike rezistenca e bytyçasve, rezistenca e një populli për të ruajtur ekzistencën e tij: “Provuan burgun edhe gjygjin / Po Miftari s’e korit fisin / Ky djalë Bytyçi kurrë s’u nënshtrue / Plumbit t’ pushkës nuk iu frigue”.
Vargjet të shprehura në mënyrë hiperbolike dëshmojnë masakrën e madhe që u bë, ku viktima ishin bytyçasit dhe luzhjanët: “Qafën e Luzhës e ka mlue gjaki / U vra Avdyli, u vra Miftari / Hoxha i Luzhës vetë i shtati / Në Qafë të Luzhës krisi tërmeti”.
Miftar Matosh Geci e shokët e tij, që u vranë nga pushtuesi nuk kishin ardhë rastësisht në krye të bytyçasve. Këta ishin pajtues gjaqesh, duke i bashkuar bytyçasit në luftë kundër pushtuesit turk, serb e austohungarez: “Pajtues gjaqesh me urtësi / Herë në Has e herë në Malsi / Në mbrojtje të Rekës e të Malsisë / Kundër turqve, kundër Serbisë”. Këta luftëtarë nuk ishin të mëdhenj vetëm për trimëri. Ishin të mëdhenj, sepse kishin shpirt të pastër, kishin besë dhe nder. “Nderi” është fjala që përkufizon popullin tonë. Është kjo arsyeja që iu besuan njerëzit dhe u bashkuan me ta. Kënga e popullit shpreh gjakftohtësinë në momentet e vdekjes, të cilën mund ta kishte vetëm një trim i sprovuar në beteja dhe i ndërgjegjshëm për rrugën e ndjekur.
- Një veçori tjetër për këngët për Miftar Matoshin është edhe sensi realist, përshkrimi preçiz dhe sintetik i ngjarjeve historike: “Me u hakmer për Folberin[4] / N’Btyç i mora bajraktarët / N’ Luzhë i mora hoxhallarët”.
Sipas Akademik Aleks Budës: “Këngët historike nuk e riprodhojnë realitetin me gjuhën e dokumentit historik. Marrëdhëniet e saj me faktet janë të një natyre të veçantë. Ajo ka si specifikë të saj pasqyrimin e jetës me mjete artistike”[5].
- Vetëdija historike, e trupëzuar në këngët historike paraqitet si pasqyrim me vërtetësi historiko-artistike ngjarjesh, situatash, epokash, personalitetesh konkretë, realë dhe historikë.
Është populli i Bytyçit në 7 e 70, të rinj e të reja, burra e gra, pleq e plaka që luftojnë. Janë edhe prijësit e tij, të cilët gjithmonë janë në ballë të luftës. Ky heroizëm nuk është i ngushtë, fisnor, krahinor, individual, por heroizëm i përgjithshëm kombëtar dhe historikisht i njohur si heroizëm kolektiv i masave të gjera popullore, të cilat sakrifikohen për interesa kolektive kombëtare. Figura e heronjve është fuqia e popullit. Këngët historike i përshkruajnë personazhet në kushte historike konkrete në sfondin e ngjarjeve të caktuara. Këto me mjetet e tyre theksojnë rrethanat, kohën, arsyen e rrjedhjes së ngjarjeve, bëjnë vlerësimin emocional të fakteve nga pozicioni i atij që e ka krijuar këngën[6].
Një popull që lufton për lirinë dhe të drejtat e tij është i pamposhtur. Bytyçasit ishin të ndërgjegjshëm e të vendosur për të dhënë jetën e tyre: “Ata vdiqën për trojet e veta / s’do t’ harrohen sa t’ jet’ jeta!” Janë përjetësuar në lapidarë, në pllaka përkujtimore, në vargjet e kangës: “N’ Qafë të Luzhës ësht Lapidari / Do t’ kujtojmë Miftar djalë pas djali!”
Portreti i Miftarit dhe i bashkëluftëtarëve të tij është ghdhendur përmes epitetesh: syptrembur, plak kuvendi, burrë kreshnik, trim i çartun, zemërzjarr, me anë të krahasimit: trupin si gdheni. Po kështu është dhënë edhe dhimbja e madhe për vdekjen e tyre përmes paralelizmit figurativ: “S’ po knon qyqja as turreci”. Mbajnë zi për këta luftëtarë trima edhe shpendët, qan edhe natyra. Atdheu është gjëja më e shtrenjtë. Me dashurinë për të janë edukuar breza të tërë: “Një fjalë Malsia e ka thanë / Të digjet shpi, të digjet stan / të lamë mallin, të lamë gjanë / Se pushtiuesit s’i rrimë n’ kam”.
Përfundime
- Përgjithësisht në krijimet popullore mendimi artistik është racional, i arsyeshëm dhe jeton kur është i tillë, i lidhur drejtpërdrejt me idenë që kthehet në figurë, duke iu nënshtruar arsyes dhe argumenteve të kësaj arsyeje[7].
- Në folklor, pra dhe në këngët historike të Bytyçit mbërrijnë ato forma që kanë treguar funksionalitet për bashkësinë e caktuar. Këto figura letrare ndihmojnë:
- për përmbushjen e tematikës së këngëve,
- për zbërthimin dhe arritjen e qëllimit të këngëve, nënvizimin e mendimit artistik, theksimin e ideve,
- për vizatimin e shpejtë të peisazhit natyror, ku zhvillohen ngjarjet,
- për karakterizimin e brendshëm e të jashtëm të personazheve.
Siç ka thesuar edhe studiuesi i folklorit, Rrustem Berisha: “Krahasimet, metaforat dhe epitetet i kanë hyrë në punë poetit që të shquajë më tepër vlerat dhe cilësitë e objektit, duke i dhënë kumtimit dimensione më të gjera të mendimeve, duke u shtrirë mbi një numër më të madh objektesh”[8].
Pra këto figura ndihmojnë që populli të mbajë lidhje afektive me të kaluarën. Gjithashtu kanë edhe funksione të tjera:
- nxitin zhvillimin e idesë, mbështesin tematikën, krijojnë vlera në aspektin sociologjik, historik dhe estetik,
- qartësojnë kuptimin, identifikojnë vlera në shumë drejtime,
- krijojnë marrëdhënie dinamike dhe optimiste.
Frojdi dhe pasuesit e tij interpretojnë përdorimin e figurës si thelbi i shfaqjes së subkoshiencës.
- Që në fillim të këngëve jepet informacioni për çfarë bëhet fjalë në këto këngë dhe cilët janë personazhet kryesore:
Pastaj kemi zhvillimin e veprimit. Këngët mbyllen me mesazhe konkrete, të cilat i përcjellin te brezat pasardhës: “Ata vdiqën për troje t’ veta, / Nuk harrohen sa t’ jet’ jeta!” “Për vatrat tona jemi ba hi, / Emnin ton’ e kem’ Shqipni”.
- Detajet janë të qëlluara e konkrete për secilin nga luftëtarët, duke theksuar dhe cilësitë e tyre.
- Këngët historike përjetësojnë fakte reale me interes të gjerë kombëtar, politik e shoqëror. Këto janë pasqyrë e marrëdhënieve të epokave të ndryshme, shprehje e thelbit dhe e forcave lëvizëse të proceseve të ndryshme historike. Thënë përmbledhtas, këto krijime pasqyrojnë artistikisht historinë në kuptim të gjerë të këtij termi[9]. Këngët historike të Bytyçit janë pjesë e historisë së tij.
- Këto këngë kanë përmbajtje të angazhuar historike dhe janë shprehje e situatës në konflikt, të konfliktit me pushtuesin turk, serbomalazez dhe me fashistët italianë e nazistët gjermanë. Në to pasqyrohet lufta heroike e pandërprerë për liri dhe pavarësi.
- Këto këngë kushtëzohen nga referenca historike: Lufta e bytyçasve kundër pushtuesit turk, serb dhe austriak.
- Zgjedhja e motivit të një kënge historike dhe trajtimi i temës në një formë të caktuar – janë pasoja të reagimit ndaj ngjarjeve të spikatura historike. Këngëtari përqendrohet në atë që ka ndodhur, nënvizon arsyet e ngjarjes dhe personazhet veprues[10].
- Heronjtë e këngëve janë përfaqësues të vegjëlisë, pjesa më e madhe e tyre, me botë të madhe shpirtërore dhe me dinjitet.
- Trashëgiminë që na e lanë këngëtarët popullorë, vlerësuar sipas këngëve, duket sheshit se përcollën hap pas hapi ndodhitë e vogla e të mëdha, individuale dhe kolektive në këto kohëra. Nëpërmjet këtyre këngëve ne do të njohim të gjitha virtytet, psikologjinë, shpirtin luftarak e liridashës të bytyçasve, do të njohim njeriun në tërësi, moralin e lartë njerëzor që është gjithmonë i gatshëm të japë jetën për atdheun.
- Fakti historik dhe trajtimi folklorik në këngët historike të Bytyçit janë parë e trajtuar si raporte të historisë me artin folklorik. Çdo pasqyrim artistik, folklorik nuk është thjesht një fotokopje e realitetit. Pra këngët historike të Bytyçit nuk riprodhojnë vetëm realitetin me gjuhën e dokumentit historik. Marrëdhëniet e tyre me faktet historike janë të një natyre të veçantë, ku specifikë të tyre kanë pasqyrimin e jetës me mjete artistike. Në këto këngë jepen të dhëna mbi karakterin dhe zhvillimin e konflikteve, psikologjinë dhe botën shpirtërore të personazheve, marrëdhëniet shoqërore, sistemin ekonomik administrativ, ushtarak të kohës etj.
- Krijuesi popullor e ndjen veten pjesë të bashkësisë, sa nuk kërkon as të evidentohet me emër. Këto këngë kanë stilin e tyre specifik, për vetë kushtet specifike, duke iu përmbajtur disa ligjësive kryesore të njohura, të pranuara dhe të ndjekura nga mijëra njerëz.
Epilogu
Miftar Matosh Geci është xhaxhai i gjyshit të Ram Gecit. Në moshën më të mirë, 40 vjeç e dha jetën për atdheun. Kjo familje është shquar brez pas brezi për besë, bujari, trimëri dhe urtësi. Është një familje e pushkës, e dijes dhe e punës. Djemtë e saj: Shabani, Muhameti, Qerimi u shkolluan dhe ishin kuadrot e parë në Krahinën e Bytyçit. Shabani ka bërë disa studime për gjuhën dhe toponominë e Bytyçit. Ran Geci në sajë të punës së tij të palodhur u bë një biznesmen i suksesshëm. Rama e rikontruktoi Lapidarin në Qafë të Luzhës, ku u vra edhe paraardhësi i tij Miftar Matosh Geci. Elementë destruktivë e minuan atë pa e ditur përse e për çfarë po e bënin.
Nderimi për Miftarin e bashkë luftëtarët e tij është nderimi për bijtë më të mirë që u flijuan për atdheun, është nderim për historinë e lavdishme të bytyçasve. Të mos harrojmë fjalët e At Shtjefën Gjeçovit: “Ruajuni mallkimit të historisë! Po u mallkoi historia, vula e turpit iu mbetet për mot e jetë!” Filozofi gjerman Niche theksonte: “Me të drejtë thuhet se një popull karakterizohet jo aq nga njerëzit e tij të mëdhenj, sesa nga mënyra sesi sillet ndaj tyre.”
[1] Qemal, Haxhihasani: Hyrje, Epika historike 2 (Tiranë: Instituti i Kulturës Popullore, 1981), f. 8.
[2] fatkeqësi e madhe.
[3] Funksionar i lartë i Austrohungarisë.
[4] Doktori hungarez.
[5] Aleks, Buda: Eposi dhe historia jonë. Çështje të folklorit shqiptar 2 (Tiranë Instituti i Kulturës Popullore, 1987), f. 10.
[6] Miaser, Dibra: Metafora në këngët popullore shqitare (Tiranë: Instituti i Kulturës Popullore, 2007), f. 276-277.
[7] Miaser, Dibra: Metafora në këngët popullore shqitare (Tiranë: Instituti i Kulturës Popullore, 2007), f. 52.
[8] Rrustem, Berisha: Stili dhe figuracioni në poezinë tonë popullore (Prishtinë: Instituti Albanologjik, 1986), f. 302.
[9] Jorgo, Panajoti: Balada popullore dhe historia (Tiranë: Kultura Popullore, 1/1983), f. 165.
[10] Miaser, Dibra: Metafora në këngët popullore shqitare (Tiranë: Instituti i Kulturës Popullore, 2007), f. 265.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
