Skender Demaliaj

Dr. Skёnder Demaliaj: NË VAZHDIM TË NJË SHKRIMI PЁR BIZNESMENIN E SUKSESSHËM RAM GECI NGA BYTYÇI

Ram Geci është nga Bytyçi, Malësia e Gjakovës ose Tropoja, siç quhet ndarja administrative. Një krahinë e njohur për besë, trimëri, bujari, fisnikëri dhe bukuritë e saj natyrore.

Është rritur në Pac, shkolluar në Kukës, ka punuar në Laç. Nuk ka qenë me shtëpi pranë pushtetarëve të djeshëm e të sotëm, në shkollë me fëmijët e tyre. Nuk kishte mbaruar ndonjë shkollë për ekonomi dhe financë kur filloi biznesin. Ai nuk është pjesë e klaneve të djeshme dhe të sotme. Nuk ka lidhje nepotiste me asnjë pushtetar. Nuk ka asnjë lidhje me botën e krimit. Nuk është anëtar i asnjë partie. Partia e tij është puna. E megjithatë kjo nuk e ka penguar të jetë biznesmen i suksesshëm. Gjithçka e ka ndërtuar me punën e djersën e tij, me vendosmërinë për t’i realizuar qëllimet dhe objektivat në vazhdimësi.

Rasti i tij i veçantë dëshmon se nuk duhet të presësh dhurata nga lart, ndihmën e të tjerëve, të marrësh tendera të pamerituara, por të punosh pa rreshtur 24 në 24, me vullnet, me pasion, i motivuar dhe i karrikuar gjatë gjithë kohës.

Shumëkush ishte skeptik se ai do të bëhej pronar i vetëm i International Hotel Tirana, duke i blerë të gjitha aksionet e të tjerëve, por edhe kur ia arriti kësaj kishte të tjerë skeptikë sesi do ta administronte… I tejkaloi edhe parashikimet e më optimistëve.

Kompania Geci Sh.p.k., jo shumë larg qendrës së Tiranës ka në zotërim një hapësirë rreth 12 ha, ku ka ndërtuar kapanone, zyra, magazina me sipërfaqe 4000 m2, me një cilësi të lartë ndërtimi dhe sigurie. Kjo hapësirë është vendqendrim për mbi 200 mjete, mekanizma dhe makineri. Ka të punësuar të përhershëm mbi 300 persona, në periudha të ndryshme mbi 500 persona, një staf drejtues teknik, i përbërë nga 50 persona, që ndjek dhe drejton zbatimin e punimeve që kompania realizon. Është drejt përfundimit ndërtimi i kullës rreth 150 metra e lartë, duke qenë investitor dhe zhvillues i “New Tirana Intercontinental Hotel”. Një strukturë shërbimesh hotelerie me 5 yje, një projekt madhështor me vlerë 65 milionë euro. Ky Kompleks Turistik do të ketë:

  • 500 dhoma hoteli, Suita Presidenciale, Suita Deluxe, Dhoma Superiore,
  • sallёn më tё madhe në Shqipëri, me kapacitet 1100 pjesëmarrës,
  • 21 salla konferencash të madhësive të ndryshme, të pajisura me teknologjinë më moderne audiovizuale, për të transformuar Tiranën në një destinacion të rëndësishëm për evente e Konferenca Ndërkombëtare,
  • projekti përfshin një Qendër SPA shumë moderne, pishina të brendshme, jacuzzi, dhoma masazhi, palestër… e shumë shërbime të tjera,
  • restorant panoramik në katin e 35, në ndërtesën më të lartë në Tiranë.

Kapitali i Kompanisë Geci po rritet nga vitit në vit. Po kështu edhe numri i punonjësve, i mjeteve, i investimeve në ndërtim, hoteleri-turizëm dhe infrastrukturë. Kuptimi i jetës është brenda vetë jetës, në ritmin e çdo dite dhe çdo ore. Është kjo arsyeja që titullin e shkrimit e zgjodha: “Në vazhdim të një shkrimi pёr biznesmenin e suksesshëm Ram Geci nga Bytyçi…

Kam shkruar edhe më parë për të dhe është mirëpritur nga biznesi vendas, i huaj dhe komuniteti.

Sipas studiuesve dhe ekspertëve të ekonomisë pesë aspekte të një biznesi të suksesshëm janë:

  • udhëhëqje e fortë orientuese,
  • mjedis, disiplinë, veçanërisht disiplinë financiare dhe siguri,
  • shkëmbim idesh,
  • shpresa të mëdha,
  • kontroll i shpeshtë i realizimit të detyrave.

Realizimi me sukses i këtyre kërkesave ka një emërues të përbashkët: aftësi të larta komunikuese me specialistët, punonjësit, kontraktorët dhe komunitetin, të pranosh idetë, kritikat, vërejtjet që përmirësojnë dhe çojnë përpara punët, aftësi për të shfaqur afërsi e ngrohtësi, aftësi për të zotëruar shumë stile komunikative e për të qënë elastik e pragmatist.

Drejtuesi me vizion realizon komunikime të lira, të cilat kërkojnë që në vend të emancipimit të disa formulave të komunikimeve, të emancipojë gjithë personalitetin e tij. Ky komunikim kërkon, pra, jo të hiqesh si i emancipuar, duke bërë sikur kërkon mendimin e njerëzve, por të emancipohesh me të vërtetë, të jesh thellësisht i interesuar për të tërhequr mendimin e  të tjerëve.

Për biznesmenin Ram Geci, komunikimi nuk është vetëm një komunikim racional (kjo po se po), por është edhe një komunikim emocional. Si i tillë, ai bëhet më kompleks, veç mesazheve racionale në këto komunikime, një rol të fuqishëm luajnë mesazhet psikologjike që kumtohen në mënyrë  emocionale. Në paraqitjen e tij ka mirësi, të folurin e ka tё qetë dhe bindës. Portreti i e tij të krijon imazhin e një drejtuesi serioz dhe të vendosur për t’i bërë realitet ato që premton. Në punën me njerëzit mbështetet në veçoritë e personalitetit të secilit, në cilësitë e temperamentit, të karakterit, në prirjet që kanë, në aftësitë dhe interesat e tyre.

Një komunikim që shquhet për etikë, mirësjellje, për dashamirësi dhe inkurajim, i kulturuar, i gatshëm për ndihmë, i predispozuar për t’u krijuar kushte optimale të gjithëve për zhvillimin e personalitetit.

Kredibiliteti i drejtuesit lidhet me dy faktorë: kompetenca dhe besueshmëria. Të dyja janë pjesë e pandarë e punës së tij të përditshme. Në fund të fundit njerëzit besojnë te suksesi, fitorja, tek ajo që bëhet dhe realizohet. E këto nuk i  kanë munguar asnjëherë atij. Kanë qënë pjesë e rritjes së kapitalit dhe kapaciteteve prodhuese e ndërtuese. Suksesi u buzëqesh atyre që dinë të komunikojnë me njerëzit e që fitojnë zemrat e tyre. Për të ndërtuar një shoqëri është e domosdoshme t’i prekësh njerëzit në ndjenjë. Fuqia e fjalës është forca e vërtetë lëvizëse në mbretërinë e padukshme të mendimit dhe në bashkimin intelektual.

Gjithçka biznesmeni Ram Geci e ka arritur me punën e tij të ndershme. Një fjalë e urtë thotë se jetova aq sa punova. Pushimi është vetëm për të vdekurit. Në fund të fundit gjithë zotësia e njerëzve nuk është gjë tjetër veçse një përzjerje durimi dhe kohe. Një njeri nuk është më shumë se një tjetër në qoftë se nuk punon më shumë se një tjetër. Ram Geci është një njeri kurajoz, me vullnet, me sedër dhe ambicje për të kapur maja të larta. Rasti krijon gjëndjen, studiuesi e talenti di të përfitojë prej saj. Kështu ka ndodhur edhe me të, i cili u shfaq në këto vite si lider i vërtetë në biznes. Suksesi personal i tij lidhet me:

  • marrjen e iniciativës, mbajtjen e zotimeve, të qenit e tij shumë aktiv, duke qëndruar në krye të punëve,
  • përcaktimin e prioriteteve,
  • zbatimin e thënies “Kërko fillimisht të kuptosh, pastaj të kuptohesh
  • zbatimin e parimit të vetëpërtëritjes së balancuar.

Vizioni është i lidhur me përgatitjet paraprake për të njohur dhe vlerësuar vlerat dhe mundësitë për ta realizuar atë. Vetanaliza e zhvillimit të vizionit personal ndihmon në realizimin në kohë të objektivave kryesorë që i përcakton vetë. Sipas psikologëve vizionet kanë të bëjnë me atë:

  • si mund të kthehen dështimet në mësim,
  • frika e dështimit kapërcehet duke siguruar suksese të qëndrueshme,
  • si mënjanohen vetkufizimet që ushqehen nga mosbesimi në vetvete,
  • guximi ka aftësi magjike për të siguruar suksesin,
  • arritja e suksesit është zgjidhja më e mirë e problemeve, sepse hap rrugën për suksese të reja të niveleve gjithnjë e më të larta.

Mbi të gjitha bie në sy aftësia e tij për të dalë nga zona e rehatisë. Përvoja e punës e mësoi se ҫdo gjë është e mundur dhe se ҫdo objektiv është i arritshëm, se nuk duhet hequr dorë nga realizimi i detyrave përballë pengesave dhe vështirësive. Ram Gecin e ka karakterizuar vendosmëria, mostërheqja deri në arritjen e qëllimit final. Fokusim-qendrueshmëri-këmbëngulje – janë trinomi i jetës dhe i veprimtarisë së tij. Insistimi për t’u përmirësuar ia rriti dhe ia siguroi suksesin. Sipas psikologëve përpjekja vlen dyfish. Jeta dhe veprimtaria e Ram Gecit na mëson se vendosmëria mund të zhvillohet dhe se duhet të kemi besim se përpjekjet tona nuk shkojnë kot kur jemi të vendosur. Të kesh vendosmëri do të thotë të vazhdosh të hedhësh hapat njëri pas tjetrit, t’i përmbahesh një qëllimi interesant dhe domethënës, të investosh ҫdo ditë përballë një praktike sfiduese, të rrëzohesh shtatë herë dhe të ngrihesh tetë herë. Vendosmëria ka të bëjë me rezistencën ndaj vetëkënaqësisë. Nëse në veprimtarinë tënde udhëhiqesh nga asetet themelore psikologjike: interesi, praktika, qëllimi (konkret, specifik, në shërbim të njerëzve) dhe shpresa nuk ka kala që nuk e merr, fiton zemrat dhe besimin e njerëzve. Rëndësi ka të mësosh rreth tyre, t’i zbulosh në kohë, t’i zhvillosh e t’i ҫosh më tej.

Puna me hotelin e ri, siç shprehet vetë ai nuk po ecën sipas afateve të përcaktuara për mungesë të specialistëve për punime të veçanta, por ai nuk dorëzohet. Është në kërkim të tyre, ka identifikuar punët që janë shtyrë, ka përcaktuar afatet për realizimin e tyre, është fokusuar në ato projekte që janë të mundura për t’u përfunduar sa më shpejt, ka bërë riplanifikimin e ri. I bindur se do ta mbarojë në kohë e me cilësi. Çdo zvarritje, çdo vonesë është me kosto, por është edhe shqetësim, mërzitje dhe ndjesi negative.

Humanizmi i tij është shumëdimensional, social. Veprat e tij bamirëse i prekim çdo ditë. Rastet e fundit për këtë vit janë: sponsorizimi për veprimtarinë botuese të shkrimtarit Besnik Mustafaj dhe promovimit të 20 librave të mi, në Tirana International Hotel. Sponsorizime për Bytyçin e tij të dashur, për Tropojën në shumë drejtime. Është shtëpia jonë, ku mund të mblidhemi, të flasim, të diskutojmë e të promovojmë vlerat tona. Mesazhi që përcjell libri “Psikologjia e kulturës” është: “Lloji njerëzor vuan për dhembshuri”. Psikologu i famshëm vjenez, Alfred Adler në librin e tij “Qëllimet e jetës” shkruante se njerëzit që nuk interesohen për të tjerët kanë më shumë vështirësi në jetë dhe janë individët që dështojnë në arritjen e qëllimeve të tyre”. Ram Geci mund të mos i këtë lexuar këta psikologë, por atij nuk i ka munguar asnjëherë interesimi për njerëzit, veçanërisht për ata në nevojë, një interesim përherë i sinqertë për njerëzit e tij, të cilët e ndihmuan, kur ishte në vështirësi, ku mund të veçojmë djemtë e xhaxhait, Muhametin, Shabanin, Qerimin, tezen e tij e shumë të afërm të tjerë.

Egoja jeton përmes krahasimit, nuk është e kënaqur egoja kurrë, egoja e secilit gjithmonë dëshiron më shumë. Ram Geci ka ego për të realizuar më shumë punë. Krahasimin e arritjeve e bën në rradhë të parë me veten e tij, pastaj me të tjerët, por edhe me atë çfarë kërkon e pret komuniteti. Është i vetëdijshëm për punët e mëdha që e presin…. I përkushtuar në vizionin e tij.

Vetëdija është aftësia për të vëzhguar në mënyrë objektive mendimet, emocionet dhe sjelljet pa shtuar interpretimin apo historinë tënde. Të jetosh me vetëdije, vetëpranim, vetëpërgjegjësi, vetëpohim, duke patur qëllime, me integritet të lartë – janë elementë të rëndësishëm të suksesit në vazhdim.

Motoja e sjelljes dhe e punës së tij është: “Ne u rritëm për të qenë të kujdesshëm, të përmbajtur e të ndershëm. Është besimi në një kod moral standard që i bashkon njerëzit e nuk i përçan”.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj: Edhe njëherë për sigurinë

Sipas të dhënave nga buxheti i vitit 2025, GDP është vlerësuar në 11 miliardë e …