Ish-prokurori i Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Geoffrey Nice, ka ngritur dyshime të forta mbi legjitimitetin dhe qëllimin e gjykatës speciale, duke e cilësuar themelimin e saj si të panevojshëm dhe potencialisht të ndikuar politikisht. Nice, i njohur për ndjekjen penale ndaj Slobodan Milosheviç, ka kritikuar ashpër edhe kërkesat e Prokurorisë për dënime të rënda ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si Hashim Thaçi, duke i quajtur ato “të pazakonta” dhe të paargumentuara në mënyrë bindëse. Ai vë në pah se akuzat fillestare për trafikim organesh, të ngritura në raportin e Dick Marty, nuk janë provuar kurrë dhe janë transformuar në akuza më të përgjithshme, duke ngritur dyshime për mënyrën se si është ndërtuar gjithë procesi gjyqësor. Sipas tij, narrativa të tilla kanë qenë të përsëritura më herët në konflikte të tjera në rajon, pa u mbështetur në prova reale. Më tej, Nice problematizon faktin që kjo gjykatë merret kryesisht me një palë të konfliktit, duke e cilësuar këtë si një devijim nga standardet e drejtësisë ndërkombëtare dhe duke pyetur hapur pse nuk janë përfshirë palët e tjera. Deklaratat e tij pritet të rindezin debatin mbi natyrën e kësaj gjykate dhe perceptimin për drejtësi selektive, në një kohë kur proceset ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së vazhdojnë të mbeten ndër më të ndjeshmet politikisht për Kosovën.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
