Drejtuesit e komunës së Mitrovicës bisedojnë me qytetarë për zgjidhjen e problemeve të tyre  

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe infrastrukturë, Besnik Beka, ka vizituar një lagje me rreth 40 shtëpi banimi në lokalitetin e Tunelit të Parë, që shtrihet përgjatë Floatcionit të Minierës së Stan Tërgut, ku me përfaqësuesit e banorëve kanë biseduar për problemet e tyre të përgjithshme.

Përfaqësuesit e banorëve të kësaj lagje i thanë kryetarit Bahtiri se ata kanë shumë probleme me të cilat po ballafaqohen në jetën e tyre të përditshme, siç është papunësia e madhe, infrastruktura, çështjet banesore etj.

Mirëpo, ata si  prioritet në zgjidhjen e problemeve të tyre kërkuan që të jetë rregullimi i rrugës në gjatësi prej rreth 800 metra dhe meremetimi i kulmeve të katër ndërtesave kolektive që gjenden, të cilët janë mjaftë të dëmtuar.

Kryetari Bahtiri, pasi i dëgjoi me vëmendje banorët, tha se komuna e Mitrovicës është aktualisht një ndër komunat që ka së tepërmi probleme të nduarduarshme dhe është e zhytur në varfëri, prandaj edhe po bëhen përpjekje të mëdha që problemet e shumta të qytetarëve të menaxhohen mirë dhe të zgjidhen një nga një e sipas prioriteteve që vet qytetarët i caktojnë.

“Nëpër rrugën që ju po kërkoni të rregullohet sapo kalova dhe vërejta se ka nevojë të madhe të intervenohet. Dhe po ju premtoj se kjo do të bëhet shumë shpejt, gjatë kësaj vere. E di se ju keni shumë të papunësuar dhe keni gjendje të rëndë ekonomiko-sociale, por ju duhet të paguani një shumë simbolike, prej 25 euro për familje si participim i komunitetit dhe rruga do të rregullohet. Të shikojmë se a do të asfaltohet apo kubëzohet”, tha kryetari Bahtiri.

Edhe sa i përket meremetimit të kulmeve në katër objektet kolektive të banimit, kryetari Bahtiri premtoi se do të angazhohet për të siguruar, materialin e nevojshëm, ndërsa që banorët u deklaruan se punimet do t’i ekzekutojnë vet ata.

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së  dhe Martirëve të luftës në komunën e Malishevës mbajti mbledhjen e tretë të rregullt

Komiteti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së  dhe Martirëve të luftës në …