Tërstenasit kërkojnë ndërtimin e rrugës dhe të shkollës

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi, drejtori i Drejtorisë për Infrastrukturë e Shërbime Publike, Besnik Beka  dhe drejtori i Drejtorisë për Arsim, Pajazit Hajzeri, kanë qëndruar në fshatin Tërstenë të rajonit malor të Shalës së Bajgores, ku me banorët e atyshëm biseduan për çështjen e ndërtimit të rrugës dhe problemin e shkollimit të nxënësve.

Adem Ibishi, kryetar i fshatit, tha se rreth 20 familje  që janë kthyer pas lufte, pasi që i tërë fshati, përkatësisht rreth 70 shtëpitë e fshatit ishin djegur nga kriminelët serbë gjatë luftës, jetojnë në kushte të vështira.

“Rreth 80 për qind të familjeve jetojnë nga asistenca sociale. Nuk kemi rrugë, shkolla është dëmtuar dhe në të që nga pas lufta nuk ka rrymë. Shkolla është e vendosur larg shtëpive dhe shtatë nxënësit e vetëm që mësojnë në të gjatë udhëtimit disa kilometra në të dyja drejtimet, rrezikohen nga bishat e malit dhe nga ujërat e lumit dhe të përroskave. Pastaj rruga e tëra është në baltë, kështu që fëmijët e klasave të ulëta mezi arrin deri në shkollë dhe anasjelltas”, tha ai.

Nënkryetari Kamberi dhe drejtorët Hajzeri e Beka, pasi i dëgjuan me vëmendje fshatarët duke folur për problemet e tyre, folën për mundësitë aktuale që ka komuna për t’ua zgjidhe problemet e tyre.

Ata i njoftuan tërstenasit se tashmë ndërtimi i rrugës së tyre është në prioritet dhe në mesin e projekteve që sivjet do të fillojnë të realizohen.

“Ju duhet të vendosni vet se kah do i bie traseja e rrugës, ndërsa që ekspertët tanë do të jenë aty për të shenjëzuar dhe pastaj për të filluar punimet. Do shikojmë me ribalancin e qershorit se a mund të ndajmë edhe më shumë mjete për rrugë, pasi ato që janë zotuar nuk mjaftojnë. Sidoqoftë, rruga do të filloj së ndërtuar sivjet dhe ajo do të ndërtohet në faza”, ju thanë drejtuesit komunal tërstenasve.

Ndërsa, sa i përket çështjes së shkollës, drejtuesit e komunës së Mitrovicës, ofruan disa zgjidhje, për të cilat duhet të vendosin vet banorët.

Meqë banorët thanë se nxënësit më nuk do t’i dërgojnë në shkollën aktuale për shkak të largësisë dhe rrezikut që ju kanoset fëmijëve, drejtuesit komunal propozuan që përderisa të ndërtohet shkolla re në lokalitet tjetër, afër shtëpive ku tani jetojnë, nxënësit të transportohen me shpenzime të komunës në shkollën e fshatit të afërm, Rashan.

Si zgjidhje tjetër u përmend edhe mundësia e sigurimit të ndonjë kontejneri, apo vendosja e shkollës në ndonjë shtëpi të zbrazët që i plotëson kushtet. Për këto propozime banorët e Tërstenës do të deklarohen në ditët në vijim.

Kontrolloni gjithashtu

Drejtoria Komunale e Arsimit në Deçan ka filluar me procesin e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal të Arsmit 2024 – 2027

Drejtoria Komunale e Arsimit në Deçan ka filluar me procesin e hartimit të Planit Zhvillimor …