Deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ka deklaruar se lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka më shumë gjasa për t’u zgjedhur kryetar i Kuvendit sesa kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu. Duke folur para se të hynte në seancën e radhës për përpjekjen e 50-të për konstituimin e Kuvendit, Balje tha se nuk pret ndonjë marrëveshje konkrete, pavarësisht takimeve të fundit mes Albin Kurtit dhe Fatmir Limajt. “Nuk besoj se LVV-ja do ta lëshojë këtë pozitë. Limaj ndoshta do ta ketë përkrahjen nga PDK-ja, por nuk mendoj se është arritur ndonjë marrëveshje,” u shpreh ajo. Ngërçi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit vazhdon prej më shumë se pesë muajsh, ndërsa afati kushtetues për përmbylljen e seancës konstituive përfundon më 26 korrik.
