Pas plot 51 seancash të dështuara për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, institucionet mbeten ende të paralizuara. Bisedimet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate nuk kanë arritur të sigurojnë shumicën e nevojshme për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Sipas burimeve të Gazetës Metro, LVV dhe Nisma e Fatmir Limajt bashkë arrijnë t’i mbledhin 60 vota – vetëm një më pak se minimumi kushtetues prej 61 votash për të zgjedhur Kryeparlamentarin. Në këtë situatë, si mundësi e mundshme për të plotësuar votën e munguar është përmendur deputetja boshnjake Duda Balje. Megjithatë, ajo ka mohuar çdo bashkëpunim me Albin Kurtin dhe ka theksuar se nuk ka fare besim në të. “Unë nuk mundem me bashkëpunua me Albin Kurtin sepse nuk kam besim – s’mundesh me punu me dikë që s’ki besim, edhe ai s’ka besim tek unë”, është shprehur Balje, duke shtuar se nuk i interesojnë as poste politike. Ajo ka pranuar se ka biseduar me Fatmir Limajn, por thekson se nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj: “Jo kurgjo, veç Fatmir Limaj ka thënë: ‘a ka mundësi me bisedu, a don naj pozitë, a naj sen?’ – Unë s’du pozitë, s’du kurgjo, kërkesa ka qenë për boshnjakët”, është shprehur Balje.
