Analisti serb, Dushan Janjiq, ka deklaruar se Serbia e ka njohur de facto Kosovën përmes marrëveshjeve dhe dokumenteve të nënshkruara në kuadër të dialogut, por sipas tij, sulmi në Banjskë ka rrënuar gjithçka që ishte ndërtuar deri tani në procesin e normalizimit. Janjiq ka vlerësuar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka humbur thelbësisht përmbajtjen politike dhe është shndërruar në takime formale pa rezultate konkrete. Sipas tij, edhe pse procesi është i bllokuar, një sërë çështjesh kyçe në marrëdhëniet mes dy vendeve janë tashmë të zgjidhura në praktikë. Në këtë proces, Serbia e ka njohur de facto Kosovën. Kjo gjendet në marrëveshje dhe dokumente. Narrativi i ‘mosnjohjes’ shërben vetëm për konsum të brendshëm. Beogradi nuk ka më çfarë të ofrojë dhe me sulmin në Banjskë gjithçka është dorëzuar, ka thënë Janjiq. Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Janjiq ka theksuar se ai është konceptuar gabimisht që në fillim dhe nuk mund të ofrojë një zgjidhje të qëndrueshme. Sipas tij, Kosova tashmë është e decentralizuar dhe modeli etnik i vetëqeverisjes përbën një dështim politik. Asociacioni, në këtë formë, nuk është i realizueshëm. Pa status institucional të qartë dhe pa mbrojtje reale të të drejtave të komunitetit serb, Kosova nuk ka një rrugë serioze drejt Këshillit të Evropës. Ekzistojnë modele alternative, përfshirë modelin kroat për vetëqeverisjen e pakicave, i cili është përmendur edhe nga kryeministri Kurti, ka deklaruar ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
