Pas vendimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit – për të refuzuar vizitën e Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara, të njëjtin veprim e kanë ndërmarrë edhe disa nga ish-luftëtarët e tjerë që ndodhen në paraburgim në Hagë. Sipas informacioneve të bëra publike nga Nasim Haradinaj përmes një postimi në Facebook, Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Sali Mustafa dhe Pjetër Shala gjithashtu kanë refuzuar takimin me përfaqësuesin e Avokatit të Popullit, duke u bashkuar në shenjë proteste me të paraburgosurit tjerë. “Avokatin e Popullit të Gjykatës Speciale e kanë refuzuar edhe Pjetër Shala dhe Sali Mustafa! Besoj shumë edhe të paraburgosurit e tjerë! Prandaj, informata duhet të jepet e saktë. Nuk mjafton të përmenden vetëm Hashimi, Jakupi, Rexhepi dhe Kadria. Krejt janë të barabartë dhe të rëndësishëm!”, ka shkruar Haradinaj. Refuzimi është bërë në shenjë proteste ndaj, siç thuhet nga të paraburgosurit, trajtimeve mizore dhe kushteve të papërshtatshme brenda Qendrës së Paraburgimit në Hagë.
