Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm mëngjesin e sotëm në prezantimin e raportit të Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, ku u diskutuan të dhënat e mbledhura gjatë një cikli katërvjeçar pune për vlerësimin e universiteteve në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi rëndësinë e këtij procesi, duke e cilësuar atë si pjesë të vizionit për një “Universitet 4.0”. Ai vlerësoi raportin si një bilanc të vlefshëm që reflekton si progresin e arritur, ashtu edhe sfidat që mbeten për t’u përballuar në sistemin arsimor. “Ndërkohë që ne ecim përpara, bota fluturon. Dhe për të kapur ritmin, për t’i dhënë të rinjve tanë një ofertë akademike serioze dhe konkurruese, duhet të shtyjmë me shumë forcë përpara”, u shpreh kryeministri. Në këtë kontekst, Rama theksoi nevojën për një rishikim të ligjit për arsimin e lartë, veçanërisht tani që Shqipëria ndodhet në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sipas tij, ligji duhet të reflektojë përvojën e fituar gjatë këtyre viteve, por edhe zhvillimet moderne në sistemet akademike ndërkombëtare.
