Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka vlerësuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e lavdishme por nuk u bë sa duhet për ta promovuar atë. Ai ka shtuar më tutje se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të konsiderohet ndër më të pastrat në historinë e njerëzimit por megjithëkëtë, shoqëria kosovare dhe klasa politike nuk kanë bërë sa duhet për ta mbrojtur dhe promovuar këtë pjesë të lavdishme të historisë kombëtare. “Ne nuk e kemi pasur sigurinë as për të ardhmen e vendit… e gjithë shoqëria jonë, por besoj se edhe të gjithë ata që ishin në politikë për këto 25 vite, nuk kanë bërë mjaftueshëm për të ruajtur vlerat e UÇK-së, për të promovuar luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së dhe për të penguar synimet e Serbisë dhe aleatëve të saj për të denigruar UÇK-në”, ka theksuar mes tjerash, ministri, Ejup Maqedonci.
