Ekspozita “Përtej Pamjes” hap dialogun mes artit, natyrës dhe njeriut

Galeria e Fakultetit të Arteve ka hapur sot ekspozitën personale të fotografit Blerim Gjinovci, të titulluar “Përtej Pamjes”, një projekt i kuruar me kujdes që sjell para publikut një rrugëtim të thellë vizual dhe emocional mbi marrëdhënien mes njeriut, natyrës dhe dinjitetit njerëzor.

E vendosur në ambientet e Galerisës së Fakultetit të Arteve, ekspozita u hap më 17 mars 2026 në orën 19:00, duke mbledhur artistë, studiues, studentë dhe dashamirë të artit pamor. Ky aktivitet u shndërrua në një hapësirë reflektimi dhe dialogu estetik, ku fotografia nuk paraqitet vetëm si imazh, por si një gjuhë që komunikon përtej asaj që syri sheh.

Kuratori i ekspozitës, Zeni Ballazhi, theksoi se procesi i përzgjedhjes së fotografive ka qenë një sfidë e veçantë profesionale, duke pasur parasysh thellësinë dhe shumëllojshmërinë tematike të punimeve. Ai tregoi se ekspozita është e shtrirë në dy hapësira të dallueshme: njëra e ndërtuar mbi fotografi me ngjyra dhe tjetra në bardhë e zi, duke krijuar kështu një kontrast estetik dhe emocional që pasqyron dimensionet e ndryshme të përjetimit artistik. Sipas tij, “ekspozita përfaqëson shpirtin e brendshëm të artistit, ndërsa titulli ‘Përtej Pamjes’ vjen si një ftesë për të depërtuar në kuptimet e fshehura të secilës fotografi”.

Çdo kapitull i ekspozitës trajton një temë të veçantë, duke përfshirë edhe dimensionin social, i cili dokumentohet përmes fotografive të zgjedhura me kujdes dhe ndjeshmëri të lartë artistike. Në këtë mënyrë, ekspozita shndërrohet në një narrativë të shumëfishtë, ku secili imazh mbart një histori më vete dhe një interpretim të hapur për publikun.

Në fjalën e tij, fotografi Blerim Gjinovci falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në hapjen e ekspozitës së tij personale, duke theksuar se “çdo fotografi ka interpretimin e vet dhe na çon përtej pamjes së parë, drejt një reflektimi më të thellë mbi realitetin dhe përjetimet tona”. Ai shprehu mirënjohje të veçantë për kuratorin Zeni Ballazhi për profesionalizmin dhe përkushtimin në realizimin e projektit, si dhe për mbështetjen institucionale të Dekanit Hazir Haziri, i cili kontribuoi në organizimin e kësaj ngjarjeje artistike.

Ekspozita “Përtej Pamjes” përfaqëson një thirrje për të ndalur ritmin e përditshmërisë dhe për të vëzhguar botën me një ndjeshmëri më të thellë. Ajo i fton vizitorët të reflektojnë mbi kujtesën, identitetin dhe dinjitetin njerëzor, duke e kthyer përvojën artistike në një akt vetë analize.

Pas ceremonisë së hapjes, për të pranishmit u organizua edhe një koktej rasti, duke krijuar një atmosferë miqësore dhe komunikimi mes artistëve dhe publikut.

Kjo ekspozitë shënon një tjetër hap të rëndësishëm në krijimtarinë e Blerim Gjinovci, duke e konfirmuar atë si një zë të veçantë në skenën bashkëkohore të fotografisë artistike. Ekspozita do të qëndroj e hapur për 10 ditë rresht për të gjithë të interesuarit. /RKL/ fotografite Kushtrim Haxha.

Kontrolloni gjithashtu

Mehmet Bislimi: Flakët e lirisë

Flakët e lirisë Adam që nga krijuesi i njerëzisë e deri tek Ti Adem sa …