Elez Durmishi kujton profesor Ahmet Qeriqin në njëvjetorin e ndarjes nga jeta

Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të profesor Ahmet Qeriqit, shoku dhe bashkëluftëtari i tij, Elezë Durmishi, ka kujtuar me respekt të veçantë figurën dhe veprën e veprimtarit, publicistit dhe veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në mesazhin e tij përkujtimor, Durmishi thekson se një vit pas ndarjes së profesor Qeriqit nga jeta, mungesa e tij ndihet thellë në shoqëri dhe në jetën kombëtare, pasi ai ishte një zë i fuqishëm i së vërtetës dhe i përkushtimit ndaj idealeve të lirisë. Sipas tij, profesor Ahmet Qeriqi ishte simbol i ndershmërisë, përkushtimit dhe besnikërisë ndaj çështjes kombëtare. Ai kujton se Qeriqi u nda nga jeta më 7 mars, në Ditën e Mësuesit, një datë simbolike për dijen dhe arsimin shqip, e cila përkon edhe me muajin e lavdisë së Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Durmishi vlerëson se kjo përputhje simbolike e bën edhe më domethënës largimin e tij, pasi gjatë gjithë jetës profesor Ahmet Qeriqi i shërbeu kombit me fjalën, penën dhe veprën e tij. Ai e përshkruan Qeriqin si një idealist të palëkundur dhe një zë të ndërgjegjes kombëtare, i cili në kohët më të vështira për Kosovën e ngriti lart fjalën e lirë dhe e shndërroi atë në një mjet rezistence. Durmishi kujton edhe rolin e tij si themelues dhe drejtues i Radios Kosova e Lirë, e cila gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bë një nga zërat më të fuqishëm të informimit dhe të shpresës për popullin shqiptar. “Ajo radio nuk ishte vetëm një medium informimi, por ishte shpresë dhe frymëzim për popullin dhe për luftëtarët e UÇK-së në ditët më të vështira të luftës”, thekson ai. Sipas Durmishit, edhe pas luftës profesor Ahmet Qeriqi vazhdoi misionin e tij duke shkruar, analizuar dhe mbrojtur të vërtetën historike të Kosovës, duke mbetur gjithmonë zëri i dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai thekson se jeta dhe veprimtaria e tij përbëjnë një dëshmi të përkushtimit të rrallë ndaj atdheut dhe vlerave kombëtare. Durmishi rikujton se profesor Ahmet Qeriqi la pas një trashëgimi të pasur publicistike dhe shkencore, përfshirë komente, analiza, studime dhe veprën madhore për dëshmorët e kombit “Feniksët e Lirisë”, e cila përbën një monument të shkruar të sakrificës dhe heroizmit të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Njerëz si Ahmet Qeriqi nuk largohen kurrë vërtet. Ata mbeten të gjallë në veprat që lënë pas dhe në idealet për të cilat jetojnë”, shprehet Durmishi në mesazhin e tij përkujtimor. Në fund të mesazhit, ai nderon jetën dhe veprën e profesor Ahmet Qeriqit, duke theksuar se kujtimi për të do të mbetet i gjallë përherë në historinë dhe në kujtesën e popullit shqiptar.

Kontrolloni gjithashtu

Sot bëhet një vit nga ndarja nga jeta e profesorit, historianit dhe publicistit të shquar Ahmet Qeriqi

Sot bëhet një vit nga ndarja nga jeta e profesorit, historianit dhe publicistit të shquar …