Elez Durmishi: Një vit pa profesor Ahmet Qeriqin

Simbol i përkushtimit, ndershmërisë dhe besnikërisë ndaj idealeve kombëtare!
Sot mbushet një vit që profesor Ahmet Qeriqi është ndarë nga jeta. Një vit pa zërin e tij të fortë, pa mendimin e tij të kthjellët dhe pa përkushtimin e tij të palodhshëm ndaj çështjes kombëtare. Por edhe pas një viti, mungesa e tij ndihet thellë, sepse njerëz si Ahmet Qeriqi nuk largohen kurrë vërtet – ata mbeten të gjallë në veprat që lënë pas dhe në idealet për të cilat jetojnë.
Ahmeti na la me 7 Mars, në Ditën e Mësuesit, në ditën simbol të dijes dhe përhapjes së arsimit shqip, ai na la në Marsin e zjarreve të Epopesë së UÇK-së, që simbolizon sakrificën dhe qëndresën për lirinë e Kosovës. Kjo përputhje e bën edhe më domethënës largimin e tij, sepse gjatë gjithë jetës Ahmet Qeriqi i shërbeu kombit me fjalën, me penën dhe me veprën e tij. Si veprimtar, publicist, drejtues i Radio Kosova e Lirë dhe si veteran i UÇK-së ai mbrojti të vërtetën historike dhe mbajti gjallë kujtimin e luftës dhe të sakrificës për liri. Prandaj, largimi i tij në këtë ditë simbolike duket sikur bashkon dijen e mësuesit me trimërinë e luftëtarit, duke e përjetësuar emrin e tij në kujtesën kombëtare dhe në historinë e popullit shqiptar
Ahmet Qeriqi ishte shumë më tepër se një profesor, studiues apo publicist. Ai ishte një idealist i palëkundur, një zë i ndërgjegjes kombëtare dhe një luftëtar i së vërtetës. Në kohët më të vështira për Kosovën, kur fjala e lirë ishte e rrezikuar dhe e ndaluar, ai e ngriti atë lart dhe e bëri armë të rezistencës.
Si themelues i Radios Kosova e Lirë, ai krijoi një nga zërat më të fuqishëm të kohës së luftës. Ajo radio nuk ishte vetëm një medium informimi – ishte shpresë, ishte kurajë, ishte frymëzim për popullin dhe për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në ditët më të errëta, kur gjithçka dukej e pasigurt, zëri i saj sillte dritë dhe besim se liria ishte e mundur.
Pas luftës, Ahmet Qeriqi nuk e ndali misionin e tij. Ai vazhdoi të shkruajë, të analizojë dhe të mbrojë të vërtetën historike të Kosovës me një këmbëngulje që vetëm idealistët e vërtetë e kanë. Ai mbeti gjithmonë zëri i dëshmorëve, i invalidëve dhe i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – zëri i atyre që sakrifikuan gjithçka për lirinë e këtij vendi. Me një fjalë e gjithë jeta e tij ishte një dëshmi e përkushtimit, e ndershmërisë dhe e besnikërisë ndaj atdheut dhe vlerave kombëtare.
Sot, një vit pas ndarjes së tij nga jeta, ndiejmë dhimbje për mungesën e tij, por edhe krenari për veprën që ai la pas. Sepse njerëz si Ahmet Qeriqi nuk vdesin – ata jetojnë në kujtesën e një kombi, në historinë e tij dhe në rrugën që ai vazhdon të ndjekë.
Me shkuarjen e tij në amshim, shumëkush e përfytyron sikur ai u bashkua në botën tjetër me dëshmorët e kombit për të cilët shkroi dhe punoi gjatë gjithë jetës. Përmes shkrimeve, kronikave dhe angazhimit të tij, ai mbajti gjallë kujtimin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e tyre për liri.
Prandaj, largimi i tij në marsin e lavdisë, shihet simbolikisht si një takim i përjetshëm me ata dëshmorë që ai i nderoi me penën dhe përkushtimin e tij, sikur tashmë fjala e tij vazhdon të jetojë mes tyre dhe në kujtesën e popullit shqiptar
Ahmet Qeriqi u largua nga kjo botë duke lënë pas një trashëgimi të pasur publicistike dhe shkencore: komente, analiza, studime dhe veprën madhore për dëshmorët e kombit “Feniksët e Lirisë”, një monument i shkruar i sakrificës dhe heroizmit të bijve më të mirë të Kosovës.
Lavdi jetës dhe veprës së profesor Ahmet Qeriqit. Kujtimi për të do të mbetet i gjallë përherë, ashtu si idealet për të cilat ai jetoi dhe punoi deri në frymën e fundit.

Kontrolloni gjithashtu

Babi, një vit pa Ty, një jetë me mall dhe frymëzim

BABI- Kaluan 366 ditë të mbushura me mungesën tënde të thellë, me mallin që nuk …