Kryetari i OVL së UÇK, Smajl Elezaj, në një intervistë për Epoka e Re, ka bërë me dije se veteranët nuk pajtohen me ndaljen e pensioneve të tyre. Ai i ka bërë thirrje Qeverisë të bëjë një zgjidhje të përhershme sa i përket buxhetit për veteranët. Sipas Elezajt, për ta tejkaluar këtë krizë Qeveria mund t’i marrë mjetet nga Fondi i Privatizimit. “Nëse nuk kanë të holla, siç po ankohen, atëherë ato mund t’i marrin tek Fondi i Privatizimit që i kanë 738 milionë euro dhe ta kalojnë këtë krizë”, është shprehur ai. Elezaj ka thënë se nëse dyshohet se numri i veteranëve është rritur, atëherë le të formohet një komision ad-hoc dhe të vihet deri tek e vërteta. Por, sipas tij, është e padrejtë të merren në qafë veteranët e mirëfilltë të luftës të cilët me pensionin prej 170 eurosh e sigurojnë bukën e gojës për familjet e tyre. Paralajmërimin e ministrit Hoti, se do të ketë vështirësi për t’i siguruar pensionet për veteranët e luftës së UÇK-së për shkak se numri i tyre po rritet çdo muaj, për Elezajn është shumë i pakuptimtë,ngase qe nga fillimi është ditur se veteranët e UÇK-së duhet të paguhen, prandaj është dashur të sigurohet buxheti i mjaftueshëm për këtë kategori.
