Arbanë Qeriqi-Gashi

Elmije Plakiqi: Intervistë me kryeredaktoren e Radios-Kosova e Lirë, luftëtaren e lirisë, Arbanë Qeriqi- Gashi

Arbanë Qeriqi-Gashi është kryeredaktore e Radios-Kosova e Lirë, folëse dhe gazetare e TV-Diellit. Ajo është edhe veterane e luftës së UÇK-së dhe ka marrë pjesë aktive në shërbim të saj edhe si motër medicinale. Me Arbanë Qeriqin jemi njohur qysh në kohën e fillimit të luftës, kur unë kisha lënë detyrën e drejtoreshës së Shkollës, në vendlindjen time në fshatin Nekovc dhe isha rreshtuar  në radhë e luftës së UÇK-së.

Zonja Arbanë, na thuani për fillim të intervistës, kur iu keni bashkuar radhëve të luftës së UÇK-së?

Arbana Qeriqi: Kur jam kyçur në luftë kam pasur 24 vjet. Kam shërbyer në ambulancën ushtarake,  në fshatin Krojmir të komunës së Lypjanit. Prej tetorit të vitit 1998 kam ndihmuar edhe stafin e parë të Radios-Kosova e Lirë, i cili ishte i vendosur në Krojmir, në vendlindjen time. Edhe prej 4 janarit të vitit 1999 kur ka  filluar punën radiostacioni i luftës Radio Kosova e Lirë, kohë pas kohe kam punuar dhe kam kryer detyrat që më kanë ngarkuar për informim,  sidomos babai im, Ahmet Qeriqi,  i cili ishte edhe përgjegjës i Radios.

Ju si motër medicinale sa e keni pasur të vështirë ta ushtroni këtë punë dhe sa shpesh keni qenë të rrezikuar?

Arbana Qeriqi: Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë sepse kemi trajtuar të gjitha rastet që nga dhënia e injeksioneve, vaksinimet për ushtarët në teren e deri te  trajtimi i plagëve të civilëve dhe ushtarëve që plagoseshin në fronte të ndryshme të luftimeve. Vendet ku ishim vendosur ishin të pasigurta sepse vendbanimet vazhdimisht granatoheshin nga forcat ushtarake e policore serbe.  Pastaj kishte mungesë të barnave dhe mjeteve e pajisjeve medicinale, kushte të rënda të punës, shpeshherë  kemi trajtuar raste edhe nën breshërinë e armëve armike. në gryka malesh, e nëpër tenda plastmasi.  Dua të ndaj disa raste që nuk do të më hiqen asnjëherë nga kujtesa si: mjekimi dorës së Drenusha Gashit. Drenusha  asokohe ishte tre apo katër vjeçare,  e cila nga granatat që kishin hedhur kriminelet serbë,  kishte mbetur pa dorën e djathtë, që ia kishin amputuar deri në bërryl. Pastaj rasti i plagosjes së një gruaje tjetër nga Sllovia e Lypjanit, zonjës, Shemsije Vishesella, së cilës në masakër,  serbet ja kishin mbytur burrin dhe dy djem të mitur. Ajo  kishte shpëtuar me vajzën e saj, por nofullën në anën e djathtë e kishte të thyer. Ajo është mjekuar gjatë nga stafi i ambulancës në Krojmir. Rasti tjetër ka qenë kur një numër i madh i ushtarëve të plagosur nga spitali i Pagarushës pasi i kishin sulmuar serbet, bashkëluftëtarët gjatë natës nëpër male i kishin sjellë në Grykën e Krojmirit, ku  qëndruan disa  ditë. Nuk kishim mjete as personel të mjaftueshëm sepse kishim mbi 80 të plagosur, shumica syresh shumë rëndë. Më kujtohet se shumica ishin të shtrirë nëpër grykë dhe infuzionet ia varnim nëpër drurë, në mal.

Pastaj janë mjekuar për disa javë rresht edhe disa ushtarë të plagosur të zonës së Rahavecit, të cilët kishin plagë shumë të rënda nga luftimet  nëpër beteja. Po ashtu dua të veçoj me këtë rast se unë dhe stafi shëndetësor i luftës kemi marrë  pjesë në qindra lindje në kushte lufte dhe  fatbardhësisht të gjitha lindjet kanë pasur suksese.

Cili ishte ekipi shëndetësor që ka vepruar më gjatë në Grykën e Shpëtimit, në Krojmir, ku gjatë luftës ishte vendstrehimi më i madh i popullatës në zonat e luftës, që kalonte mbi 27.000 të zhvendosur?

Arbanë Qeriqi: Ekipi shëndetësor ka qenë mobil dhe ambulant, ka lëvizur nga një vend në tjetrin, por ka funksionuar qysh prej fillimit të luftës. Në mesin e mjekëve të luftës kanë qenë: Fitim Selimi, Naser Bytyçi, Jakup Ismajli, Avdullah Fazliu, Reshat Gashi, pastaj tekniket, Musa Baftiu, Tahir Krasniqi, Mirdita Qeriqi, Ganimete Qeriqi, Lumnije Gashi, Mervete Hasani, Habibe Zeqiri, Makbule Brahimi, Fatime Z. Qeriqi, Teuta dhe Merita Iballi e të tjerë. Kohë pas kohe ka ardhur edhe dr. Shpëtim Robaj, tani dëshmor, pastaj, Nehat Baftiu, Isa Haxhiu, Agim Hazrolli, Hysni Arifi, madje   me ekipe të ndryshme nga Prishtina, Shtimja, Lypjani, Ferizaj…

Sa keni qenë të rrezikuar si ekip gjatë luftës?

E rrezikuar apo të rrezikuar kemi qenë vetëm nga distanca, sepse kriminelët serbë nuk kishin depërtuar asnjëherë në Grykën e Shpëtimit, në Krojmir, ku kanë mbijetuar luftën rreth 27.000 të zhvendosur nga fshatrat e Drenicës. Vlen të përmend rastin kur është plagosur për vdekje, nga shpërthimi i granatave serbe, kushërira,  Afërditë Qeriqi,  së cilës granata ia kishte këputur dy duart. Atë ditë janë plagosur edhe babai i saj, Shaqa, pastaj  vëllai Samiu e të tjerë.  Kanë qenë jashtëzakonisht të rënda ditët e ofensivës së 25 e 26 korrikut të vitit 1998, sepse luftimet e granatimet nga forcat serbe nuk kanë pushuar me ditë të tëra. Ka rënë dëshmor, Ruzhdi Salihu nga Zborci dhe janë plagosur pesë luftëtarë të tjerë. Nën breshërinë e armëve armike  nga fshati Krojmir shkonim në fshatin Pjetërshticë,  ku kishim fillimisht ambulancën. Atje kemi trajtuar të plagosurit  nga radhët e popullatës civile si dhe luftëtarët e lirisë.

Na tregoni për organizimin e punës, si jeni koordinuar me koleget tuaj dhe si ka funksionuar puna në përgjithësi?

Arbana Qeriqi: Kemi punuar sa kemi mundur, nuk kemi pasur orar të caktuar. Nganjëherë kemi punuar edhe gjatë natës. Kemi bartur të plagosur me orët të tëra nga zonat e luftës dhe i kemi depërtuar në vendet afër qyteteve. Madje ka ndodhur kur i kemi përcjellë luftëtarët me plagë të rënda, me infuzione të trup dhe në qerre kuajsh apo nëpër rimorkio traktorësh, shpeshherë në dimër dhe në dëborën e madhe që mesi i tërhiqnim këmbët.  Një pjesë e stafit mjekësor ka qëndruar në një shtëpi në Krojmir, ku edhe kishim ambulancën, në shtëpinë e një bashkëfshatari  që jetonte në Gjermani. Pastaj kur filluan ofensivat e verës së vitit 1998, u vendosëm në Grykën e Shpëtimit. Atje kemi qëndruar nëpër tenda, në të cilat janë kryer të gjitha mjekimet si: trajtimi i pacientëve që kanë ardhur për të kërkuar ndihmë mjekësore, pastaj trajtimi i plagëve, nxjerrja e dhëmbëve, kryerja e lindjeve, etj. Është punuar 24 orë pandërprerë. Disa nga mjekët dhe teknikët kanë fjetur në një pjesë të tendës disa të tjerë në kasolle ku i kishim familjet tona. Ka ndodhur të mungojnë barnat apo mjetet e nevojshme mjekësore, por asnjëherë nuk ka munguar vullneti dhe dëshira për të dhënë ndihmën me aq sa kishim mundësi, gjithmonë ishim në nivel të detyrave…

Në luftë për çlirimin e Kosovës ka qenë e angazhuar tërë familja juaj, si ia keni dalë?

Arbana Qeriqi: Unë nuk kam ndier shqetësim të veçantë sepse ne familjarisht të gjithë ishim të kyçur në luftë, pastaj edhe të gjithë kushërinjtë, gati tërë fshati, ashtu si kudo në rajonin e Drenicës. Ne krejt familja  ishim në shërbim të nevojave të luftës, secili me detyrat dhe angazhimet e veta, përjashtoj këtu vëllanë e vogël, Zamirin,  që ishte 10 vjet asokohe, edhe ai me bashkëmoshatarët improvizonin luftën, disa kishin madje edhe uniforma, të rregulluara  nga familjet, këndonin këngë patriotike, i brohorisnin luftës së UÇK-së, rregullonin armë prej druri…  Të tjerët secili kishim nga një angazhim, nëna ime Zymrytja përgatiste ushqimin, pastronte punonte pa ndërprerë e deri te babai,  i cili ishte pjesë e strukturave të luftës… Për mua ka qenë e vështirë koha sa rrija në ambulancë kur kishte luftime e granatime dhe prisja se kush do të vinte për mjekim. Kisha frikë mos e sillnin edhe babin im sepse  ai udhëtonte çdo ditë nëpër gryka malesh nga Krojmiri në fshatin Berishë e granatimet ishin të vazhdueshme, po ashtu kisha frikë edhe vëllanë, Epirin që ishte ushtar. Më dhimbeshin të gjithë, sepse të gjithë sa ishim në male, madje edhe dy motrat e mia ishin në shërbim të luftës, Rrezarta dhe Labëria, e cila kishte ardhur nga Tirana, ku kishte qenë gjatë verës. Vetëm motra e madhe, Antigona  ishte në Gjermani, me familjen.  Ishim  me mijëra, ishim bërë një familje e madhe.  Familja jonë e  ngushtë shpëtuam fizikisht nga lufta, por lufta mori shumë të afërm e të njohur që më kanë ngelur gjithmonë në mendjen e shpirtin tim.

A e kujtoni ndonjë moment me koleget, qoftë ngjarja kur keni qenë të rrezikuar për jetë apo ngjarje të hareshme, e cila ju ka bërë ta harroni luftën për një moment?

Arbana Qeriqi: Lufta kurrë nuk harrohet, sepse edhe po të donim ne, na kujtonte armiku me bombardimet që i bënte. Në të shumtën e rasteve, ne flinim e zgjoheshim në  granatime, por ishim vendosur në pozicionet strategjike  në gryka malesh ku konsideronim se ishim jashtë rrezikut, sado që kurrgjë nuk ishte e sigurt. Rreziku më i madh ka ndodhur me 1 dhe 2 prill të vitit 1999, kur pasi NATO-ja kishte filluar bombardimet kundër policisë dhe ushtrisë kriminale të Milosheviqit, forcat serbe kishin marrë ofensivë të përgjithshme kundër UÇK-së. Ato ditë nga fshati Krojmir me mijëra pjesëtarë të popullatës civile ishim dyndur në Grykën e Shpëtimit nën granatimin të pandërprerë të breshërisë së armëve armike, shumica syresh ecnin e vraponin këmbë, pastaj me traktorë, me qerre kuajsh dhe kush si kishte mundur… Ishin momente për jetë a vdekje…

Kemi pasur fatin e madh që serbët asnjëherë nuk kanë arritur të depërtojnë te popullata civile, sepse ishte një mbrojte e fortë në të gjitha pozicionet, të cilat i kanë mbajtur nën kontroll luftëtarët e lirisë.  Kishte një urdhër të prerë të Shtabit të Përgjithshëm,  konkretisht nga Komandanti i Zonës, Tahir Sinani, Ai  u kishte bërë të qartë luftëtarëve se  vetëm mbi trupat e rënë të luftëtarëve të lirisë, serbët mund të  depërtonin te popullata civile…

Ngjarje të hareshme në luftë nuk kam përjetuar. Momente gëzimi po. Kur ktheheshin fitimtarë ushtarët tanë nga betejat që zhvillonin kundër kriminelëve serb. Pastaj kur dëgjonim Radion Kosova e Lirë që lajmëronte për betejat e fituara nga çlirimtarët, apo edhe kur kryenim me sukses ndonjë intervenim, në kushte dhe rrethana lufte,  e sidomos lindjet e suksesshme të shtatzënave. Po ashtu ndiheshim me shpresë edhe kur gjatë natës vërenim aeroplanët e NATO-s, të cilët i bombardonin caqet serbe. Personalisht luftën për asnjë moment nuk e kam harruar, sepse ato përjetime nguliten thellë në kujtesë, janë kujtimet e ngadhënjimit mbi vdekjen, pastaj kujtimi e mallëngjimi për të gjithë ata që nuk arritën ta gëzojnë çlirimin e vendit nga robëria serbe, kujtimi për nënat e baballarët që mbeten pa bijtë e bijat e tyre, kujtim për nuset, bijtë e bijat e tyre… por edhe krenaria e ligjshme, sepse lufta solli fitoren, lirinë…

A jeni të kënaqur me situatën pas luftës dhe çfarë të drejte ju gëzoni si kontribut-dhënëse e luftës?

Arbana Qeriqi:  Nuk jam e kënaqur në shumë segmente, sepse ka mundur dhe mund të bëhet edhe  shumë për mirëqenën e kategorive të dala nga lufta, por edhe për Kosovën përgjithësisht, edhe pse nuk mund të mohohet ajo që është arritur në shumë segmente.  Përveç kartelës së veteranes që e mbaj me shumë respekt e nostalgji, asnjë favor tjetër nuk gëzoj, sepse shumë nga  ne  veteranët kemi  nga një punë të rregullt, në këtë rast unë punoj që nga lufta e tutje në Radion Kosova e Lirë dhe  nuk kërkoj të  kem benifite të tjera. Edhe pse me profesion jam profesoreshë e Pedagogjisë, nuk kam punuar në profesion. Lufta ka  bërë që ta marrë rrugën drejt lirisë dhe  ndihem mirë edhe me punën që bëj për Radion-Kosova e Lirë dhe në TV-Dielli.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI: Intervistë me poetin Fejzi Murati, “ Nderi i qytetit ” të Kuçovës, ish-mësues letërsie

Intervistë me poetin Fejzi Murati, “ Nderi i qytetit ” të Kuçovës, ish-mësues letërsie: – …