Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka shprehur dyshime se deklarimet e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kanë ndikuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht në mosvendosjen e masave ndaj kryesuesit të seancës, Avni Dehari, dhe deputetëve që nuk marrin pjesë në votim. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani u shpreh i habitur se si Gjykata arriti në përfundimin se Dehari ka shkelur Kushtetutën, por njëkohësisht e urdhëron atë të vazhdojë seancën e 8 prillit “aty ku e ka lënë”. Sipas tij, kjo bie ndesh me standardet e gjyqësisë kushtetuese dhe me postulatet e mandatit të lirë të deputetit.
“Është e çuditshme se si mund të konstatohet shkelja kushtetuese e zotit Avni Dehari dhe i njëjti të urdhërohet të vazhdojë aty ku e ka shkelur Kushtetutën. Kjo nuk mund të arsyetohet me standardet e gjyqësisë kushtetuese. Po ashtu, urdhërimi që deputetët të marrin pjesë dhe të votojnë bie ndesh me parimin e mandatit të lirë,” tha Hasani. Ai sqaroi se, sipas dispozitivit të aktgjykimit, seanca duhet të vazhdojë sipas rendit të ditës të përcaktuar më 8 prill, duke numëruar 30 ditë nga fillimi i asaj seance. Për Hasanin, gjendja jokushtetuese ka nisur në momentin kur Dehari ndryshoi rendin e ditës në mënyrë arbitrare. Hasani vuri në dukje se aktgjykimi nuk parashikon masa ndëshkuese në rast të mospërmbushjes së vendimit, duke e lidhur këtë me ndikimin e mundshëm të Presidentes Osmani mbi gjykatën. I pyetur për pasojat nëse Kuvendi nuk konstituohet pas 30 ditësh, Hasani tha se, duke iu referuar deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti se do të zbatojë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese, nuk sheh arsye pse vendimi nuk do të ekzekutohet.