Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, ka dhënë një paralajmërim serioz për krizën në të cilën ndodhet Kosova, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si përgjegjësin kryesor për bllokimin e Kuvendit dhe për shtyrjen e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Hasani tha se situata aktuale paraqet një bllokadë të plotë institucionale që paralizon funksionimin e shtetit, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ai theksoi se, nëse kjo gjendje vazhdon, Kosova do të përballet me pasoja serioze, përfshirë edhe kolapsin financiar për shkak të pamundësisë për të rishikuar dhe zbatuar buxhetin. “Është sjellje në kundërshtim të plotë me Kushtetutën. Kurti e sheh kompromisin si tradhti, ndërsa në demokraci kompromisi është themel i jetës politike,” u shpreh Hasani. Ai kritikoi ashpër faktin që një kandidate e vetme është propozuar më shumë se dhjetë herë për kryetare të Kuvendit, duke e cilësuar këtë si veprim joetik dhe politikisht të papërgjegjshëm. Sipas tij, tentativa për ta kthyer të drejtën për të propozuar kandidatin në një të drejtë për ta emëruar atë automatikisht, është pa mbështetje në Kushtetutën e Kosovës. Në fund, ai vuri në dukje se legjitimiteti i ri që po fitojnë studentët protestues në Serbi mund të ndikojë në raportin e Serbisë me BE-në dhe se Aleksandar Vuçiq, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme, do të mbetet një faktor kyç politik në rajon.
