Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për blerjen e raketave të fuqishme nga Kina, duke i cilësuar ato shqetësuese për sigurinë në rajon. Hoxhaj tha se deklaratat e Vuçiqit duhet të merren seriozisht, ndërsa kritikoi institucionet e Kosova për mungesë reagimi ndaj, siç i quajti ai, provokimeve të tilla. Sipas tij, qeveria aktuale është më e përqendruar në zhvillimet e brendshme politike sesa në çështje strategjike që lidhen me sigurinë dhe politikën e jashtme. “Qeveria dhe këta që janë në pushtet janë më shumë të shqetësuar për ‘divorcin’ e pozitave që i kanë aktualisht në jetën tonë politike dhe nuk kanë kohë të merren me tema që janë në interes strategjik. Po shihet që në këto vite nuk ka pasur as politikë të jashtme, as politikë të mbrojtjes, por më shumë propagandë mediale”, u shpreh Hoxhaj. Ai shtoi se deklaratat dhe veprimet e Vuçiqit lidhur me armatosjen duhet të trajtohen me seriozitet nga institucionet e Kosovës, por edhe nga aleatët ndërkombëtarë, për shkak të ndikimit që mund të kenë në stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
