Deputeti dhe ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, duke e cilësuar situatën si një krizë të thellë dhe të zgjatur. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoxhaj është shprehur se Kosova aktualisht është “e paralizuar dhe e përçarë”, pa një qëllim të përbashkët dhe pa një ide unifikuese që do të mund ta udhëhiqte përpara. Ai ka paralajmëruar se kjo gjendje rrezikon aftësinë e vendit për të mbrojtur interesin shtetëror në një kontekst global gjithnjë e më të pasigurt. Sipas tij, mungesa e unitetit dhe dinamizmit politik po e dobëson pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në këtë kontekst, Hoxhaj e ka vlerësuar si të pavlefshme heqjen e masave nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se një vend i përçarë dhe i paralizuar nuk mund të përfitojë realisht nga një vendim i tillë. “Për shkak të krizës politike, e cila duket se nuk ka fund, Kosova është po aq e paralizuar sa edhe e përçarë… Prandaj, edhe heqja e masave të BE-së sot është pa vlerë dhe pa kuptim, sikurse ishin të dëmshme dhe të pakuptimta kur u vendosën ato”, ka deklaruar Hoxhaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
