Në Ditën e Lirisë, deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka përkujtuar sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të popullit shqiptar për çlirimin e vendit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxhaj ka theksuar se kjo ditë është një homazh për të gjithë ata që luftuan, ranë në altarin e lirisë dhe për ata që ende e mbajnë barrën e saj. Në këtë kontekst, Hoxhaj njoftoi se një ditë më parë ka zhvilluar një vizitë në Hagë, ku ka takuar ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli – dy prej figurave kyçe të luftës çlirimtare të cilët aktualisht ndodhen në paraburgim nga Gjykata Speciale. “Dita e sotme – Dita e Lirisë – është kujtim për ata që luftuan, për ata që ranë dhe për ata që vazhdojnë të mbajnë barrën e lirisë edhe sot. Dje i vizitova në Hagë dy prej burrave që i dhanë kaq shumë Kosovës, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Kosova është e lirë, sepse ata, luftëtarët e UÇK-së dhe populli i Kosovës guxuan të përballen me errësirën për të sjellë dritën,” ka shkruar Hoxhaj. 12 qershori përkujtohet si Dita e Lirisë në Kosovë, në nder të hyrjes së forcave të NATO-s më 12 qershor 1999 dhe përfundimit të luftës, çka shënoi një kapitull të ri në historinë e vendit. Në këtë ditë, përkujtohen me mirënjohje të thellë të gjithë ata që dhanë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.