Enver Hoxhaj

Enver Hoxhaj: “Me fonde të BE-së po luftohet historia e Kosovës – kërkesa për 180 vite burg është ndërhyrje politike brutale”

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë së Specializuar në Hagë për dënim total prej 180 vjetësh burgim ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si “ndërhyrje brutale politike” dhe përpjekje për rishkrim të historisë së Kosovës. Hoxhaj ka thënë se këto kërkesa nuk përfaqësojnë drejtësi të paanshme, por, sipas tij, një qasje selektive që zhvendos vëmendjen nga krimet e regjimit serb te rezistenca çlirimtare e Kosovës. Sipas tij, Serbia ka ushtruar dhunë sistematike, spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë, ndërsa UÇK-ja u shfaq si reagim i domosdoshëm mbrojtës ndaj këtij realiteti. Ai ka theksuar se çdo përpjekje për ta nxjerrë luftën jashtë këtij konteksti përbën shtrembërim të së vërtetës historike. Hoxhaj ka vlerësuar se përqendrimi i proceseve vetëm mbi ish-drejtuesit e UÇK-së, e jo mbi aparatin shtetëror serb që kreu krime, krijon sipas tij një barazi të rreme mes pushtuesit dhe të pushtuarit, duke prodhuar relativizim moral dhe padrejtësi të reja. Ai ka shtuar se kriminalizimi i UÇK-së është sulm ndaj historisë së popullit të Kosovës dhe ka theksuar se çlirimi dhe rezistenca për liri nuk mund të trajtohen si krim. Në fund, Hoxhaj ka deklaruar se, sipas bindjes së tij, është shqetësuese që “me fonde të Bashkimit Evropian po luftohet historia e Kosovës”, ndërsa regjimi serb, sipas tij, nuk është përballur realisht me drejtësinë.

Kontrolloni gjithashtu

Pandeli Majko

Pandeli Majko: Procesi në Hagë po deformon luftën e Kosovës dhe po amniston Millosheviçin

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar me tone të ashpra ndaj procesit gjyqësor që …