Në kuadër të Marrëveshjes së Mirëkuptimit ndërmjet Aktivitetit Qeverisja e Pronës të USAID-it dhe Komunës së Vitisë, është mbajtur sot në Viti një aktivitet në të cilin mori pjesë edhe kryetari i Komunës, Sokol Haliti. Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte përfundimi i procesit të analizimit dhe vlerësimit të procedurave dhe kapaciteteve për ofrimin e shërbimeve kadastrale nga Drejtoria për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë.
Në bashkëpunim me stafin komunal dhe organizatat e shoqërisë civile, ekipi i USAID-it ofroi rekomandime konkrete për përmirësimin e cilësisë dhe rritjen e efikasitetit të këtyre shërbimeve. Ky proces pritet të rezultojë në hartimin e një Plani për Përmirësimin e Ofrimit të Shërbimeve Kadastrale për Komunën e Vitisë, i cili do të përgatitet në një punëtori të përbashkët dy-ditore.
Kryetari Haliti shprehu mirënjohje për këtë bashkëpunim dhe theksoi rëndësinë e përmirësimit të shërbimeve për qytetarët, duke nënvizuar se ky projekt do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e transparencës dhe efikasitetit në menaxhimin e pronës në komunë.

Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
